Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha pas seancës dëgjimore me KPK-në. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme Veting

Gjyqtari Gerd Hoxha pretendoi se kishte njëanshmëri në analizën financiare të Kolegjit

Gjyqtari Gerd Hoxha, e cilësoi të enjten të kundërligjshme dhe në kundërshtim me precedentët e vendosur nga vetë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, analizën financiare të KPA, që siç u kuptua e nxirrte atë me diferenca negative.

Para se të bënte kundërshtimet ai i kërkoi Kolegjit ta cilësonte analizën të pavlefshme, duke thënë se ajo thjeshtë kishte përkthyer në shifra dhe tabela parashtrimet e Komisionerit dhe ironizoi se KPA kishte ndihmuar Komisionerin në ankim. Hoxha i kërkoi KPA ta ribënte analizën duke marrë në konsideratë edhe qëndrimet e tij.

Ndërkohë Komisionerja Publike Irena Nino, tha se e rezervonte të drejtën për të mbajtur qëndrim mbi analizën në konkluzionet përfundimtare. Nino megjithatë mbrojti në seancë qëndrimin e mëparshëm se ankimi i bërë përfshinte edhe kërkesën për të hetuar burimin e ligjshëm të një shume prej 5 milion lekësh të ish-bashkëshortes gjyqtares Elbana Lluri. “Kuptohet lehtësisht se përfshin të gjitha burimet e deklaruara”, tha Nino duke iu referuar kërkesës për hetimin e pasurisë së gjyqtarit.

Seanca ndaj Hoxhës filloi vetëm një orë pasi Kolegji zhvilloi seancën ndaj ish-bashkëshortes së tij gjyqtares Elbana Lluri. Të dy gjyqtarët u konfirmuan në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por pas rekomandimeve të ONM-së dhe ankimit të Komisionerit Publik.

Në një seancë të mëparshme  Kolegji vendosi të pranojë një opinion të ONM për bashkimin e fashikujve të dy çështjeve. Të enjten kryesuesja Rezarta Schuetz tha se palët ishin njohur me përmbajtjen e dosjeve.

Hoxha i filloi kundërshtimet e tij duke cilësuar të pabazuar në ligj pretendimet e Komisioneres se ankimi përfshinte shumën 5 milion lekë. Ai tha se përfshirja e kësaj shume në ankim dhe përfshirja e saj në analizën financiare të KPA-së, cënonte parimin e sigurisë juridike dhe në tërësi procesin ndaj tij.

Ai tha se njëlloj Komisioneri Publik mund të ngrinte pretendime të ngjashme dhe e cilësoi këtë jo normale.

Më tej ai kundërshtoi analizën e KPA, e cilësoi atë të paprecedentë dhe referoi një sërë vendimesh të Kolegjit në të cilat sipas tij procesi ishte trajtuar ndryshe. Hoxha tha se në rastin e tij Kolegji kishte marrë parashtrimet Komisionerit Publik dhe i kishte përkthyer ato në tabela e shifra, pa marrë në konsideratë qëndrimet e tij. Hoxha tha se nëse qëndronte kjo analizë, trupa e kishte paragjykuar rastin e tij.

Ai i kërkoi Kolegjit që ta rrëzonte analizës dhe ta ribënte duke marrë parasysh pretendimet e tij. Kolegji pasi u tërhoq në dhomë këshillimi për rreth 1 orë e 30 minuta, me shumicë votash i rrëzoi të dy kërkesat.

Më pas Hoxha tha se ishte i detyruar të përsëriste ato që kishte thënë në parashtrime. Ai këmbënguli se qoftë vetë, po ashtu edhe ish-bashkëshortja kishin pasur burime të ligjshme për pasurinë.

Hoxha megjithatë paraqiti disa versione mbrojtjeje për pjesë të ndryshme të analizës. Për sa i përket shumës prej 5 milion lekësh të ish bashkëshortes, ai këmbënguli se ajo nuk ishte pjesë e ankimit fillestar dhe nuk duhej të mbahej në konsideratë.  Ai po ashtu pretendoi se ai nuk mund të mbahej përgjegjës për këtë shumë që ish-bashkëshortja e kishte pasur para martese. Megjithatë këmbënguli në parashtrime se shuma në fjalë kishte burime të ligjshme.

Njëlloj ai justifikoi edhe një shumë që ish-bashkëshortja kishte marrë hua nga prindërit e saj. Pasi e distancoi veten nga shuma dhe këmbënguli se nuk mund të ishte përgjegjës për burimin e ligjshëm të saj, gjyqtari këmbënguli se ish-vjehrri i tij dhe ish-vjehrra kishin pasur të ardhura të mjaftueshme. Ai paraqiti disa versione të kursimeve të tyre, që sipas tij, i nxirrnin me burime të ligjshme. Ndërsa pretendoi se analiza e bërë nga KPA u llogariste prindërve të ish-bashkëshortes shpenzime më të larta se ato që llogariteshin bazuar në standardin e ILDKPKI-së. Ai tha se shumat e dhuruara për prindërit nga vajza e madhe e tyre nuk mund të konsideroheshin të shpenzuara.

Hoxha dhe versione të dyfishta mbrojtje edhe sa i përket pasurisë së tij. Ai këmbënguli se një shumë prej 1.5 milion lekësh ishte krijuar në disa vite dhe po ashtu i tha Kolegjit se kishte punuar gjatë kohës së shkollës. “Nuk e kam për turp që kam punuar kamerier”, tha ai dhe shtoi se donte që modeli i tij i studentit që punon dhe mbulon shpenzimet e studimit të ndiqej nga të rinjtë.

Ai tha se analiza e Kolegjit kishte lënë jashtë disa burime të ligjshme të pasurisë dhe pretendoi se nëse merreshin parasysh qëndrimet e tij, në përfundim ai rezultonte me situatë financiare pozitive.

Hoxha u ndal gjatë edhe sa i përket një makine të blerë në shumën 37 mijë dollarë nga babai i tij, për të cilën janë ngritur dyshime për pasuri të fshehur të vetë gjyqtarit. Hoxha fillimisht këmbënguli se akti i përdorimit nuk e bënte babain e tij person të lidhur. Ai iu referua disa vendimeve të Kolegjit në të cilat sipas tij përdorimi i pasurisë së prindërve prej magjistratëve nuk ishte konsideruar nga Kolegji si veprim që i bënte ata persona të lidhur. “Këto ishin shtëpi. Ishin pasuri më të mëdha”, tha Hoxha duke referuar vendimet e KPA për disa subjekte.

Por ai këmbënguli edhe se Kolegji nuk kishte kryer një analizë financiare të drejtë të prindërve. Ai tha se ndërsa nuk kishte detyrim të shpjegohej, kishte sjellë informacion të plotë dhe pretendoi se analiza e KPA kishte lënë jashtë disa të ardhura të ligjshme të familjes. Ndër të tjera ai vuri në dukje një shumë prej 400 mijë lekësh që tha se ishte e ardhur e të motrës prokurore. Ai tha se ishte konsideruar e ligjshme në KPK dhe nuk ishte ankuar as nga ONM dhe as nga Komisioneri, por që nuk ishte në analizën e tij. “Kjo (e ardhur) konsiderohet gjë e gjykuar”, tha ai.

Hoxha pretendoi që KPA duhej të njihte si të ardhura të familjes edhe ato të fituara prej tij dhe prej motrës tjetër mjeke. Ai këmbënguli se nëse merreshin parasysh pretendimet e tij analiza financiare e familjes së babait rezultonte pozitive me një shumë të konsiderueshme. Seanca për konkluzionet përfundimtare u caktua në 22 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *