Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Elbana Lluri pas seancës në KPA. Foto:V.Karaj/BIRN
KPA Lajme Veting

Elbana Lluri kundërshton analizën financiare të KPA-së

Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Elbana Lluri e kundërshtoi të enjten më 9 qershor analizën financiare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA të kryer në mbështetje të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa kundër vendimit të Komisionit për konfirmimin e këtij subjekti rivlerësimi.

Në ankimin e kryer pas rekomandimit të Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Ballhysa vlerëson se vendimi i Komisionit përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim në Kolegj dhe të vendoset lënia në fuqi ose ndryshimi.

Në seancën e mëparshme të zhvilluar më 4 maj, Kolegji vendosi të pranojë një opinion të ONM për bashkimin e fashikujve të hetimit administrativ të kryer për gjyqtaren Lluri me ato të ish-bashkëshortit të saj Gerd Hoxha, rivlerësimi i të cilit ka filluar në shkallën e dytë të vetingut rreth dy muaj më parë.

Komisioneri Ballhysa deklaroi të enjten se në analizën e KPA-së lidhur me burimet e apartamentit, të shpenzimeve dhe përdorimin e një makine të vjehrrit, gjejnë pasqyrim të gjitha kërkimet e tij. Ai u shpreh se do të jepte qëndrimin e tij në konkluzionet përfundimtare, pasi të njihej edhe me prapësimet e subjektit.

Gjyqtarja Lluri paraqiti shpjegime të detajuara lidhur me analizën financiare të hartuar në KPA. Për një apartament me sipërfaqe 125 m2 në Tiranë, komisioneri ka kërkuar që të verifikohet nëse janë paguar gjithë detyrimet tatimore për të ardhurat e deklaruara nga ish-bashkëshorti i subjektit për një shumë 1.5 milionë të deklaruar si kursime personale të tij ndër vite që ka shërbyer si një prej burimeve për blerjen e banesës.

Lluri deklaroi se si burime të krijimit të kësaj shume kanë qenë të ardhurat e ish-bashkëshortit nga pagat si gjyqtar; të ardhurat si pedagog; nga shitja e një automjeti; si dhe të ardhura nga puna në zyrën e OSBE-së në Tiranë.

Subjekti pohoi se në analizën e KPA-së nuk janë konsideruar të ardhurat nga OSBE, me argumentin se nuk janë paguar detyrimet. Ajo vërejti se KPK me të drejtë i ka përfshirë këto të ardhura si burim për krijimin e shumës 1.5 milion lekë.

“Duhet që këto shuma të siguruara nga ish-bashkëshorti G.H., të konsiderohen se i përmbushin kushtet,” kërkoi Lluri. Ajo theksoi se në vitin 1997, është ratifikuar një memorandum mes Shqipërisë dhe OSBE-së që përjashton nga taksimet fondet e kësaj të fundit.

Lluri kërkoi që gjendja cash e ish-bashkëshortit të përllogaritet bazuar në deklaratat periodike dhe këmbënguli se ai ka pasur mjaftueshëm të ardhura me burime të ligjshme për të justifikuar kursimin e vlerës 1.5 milionë lekë në vitin 2011, kur është blerë apartamenti.

Në vijim, gjyqtarja Lluri dha argumentet e saj për mundësinë financiare të prindërve për dhënien e një huaje 25 mijë euro në vitin 2011 që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi përllogaritjen e shpenzimeve të jetesës së prindërve, duke përfshirë si shpenzim edhe vlerën 40 mijë lekë në muaj të deklaruar prej saj se u është dhënë si ndihmë nga motra prej vitit 1995 e në vijim, me qëllim që të kishin një nivel mesatar jetese. Ajo theksoi se shpenzimet e jetesës së prindërve të saj janë përllogaritur nga KPA në nivel tre herë më të lartë sipas standartit të përllogaritur për gjithë subjektet e rivlerësimit që i janë nënshtruar procesit të vetingut.

Lluri deklaroi se shpenzimeve u ishte shtuar padrejtësisht një shumë prej 2.5 milionë lekësh. “Edhe nëse do të mendonim se prindërit e kanë shpenzuar gjithë ndihmën financiare të dhënë nga motra, vlera e pensioneve të tyre për periudhën 2005-2011 e krijon kursimin në vlerën 25 mijë euro”, deklaroi Lluri dhe pretendoi se prindërit rezultonin me balancë pozitive në çdo mënyrë të përgatitjes së analizës financiare.

Subjekti dorëzoi si provë një dokument që sipas saj vërteton që i ati ka përfituar edhe pension suplementar si ushtarak, në shumën 1 milion e 540 mijë lekë. Ky akt u pranua si provë nga Kolegji.

Lluri solli në vëmendje se e kishte deklaruar në vite huanë dhe se kjo shumë nuk kishte shërbyer për krijimin e pasurive. Sipas saj, për pagesën e apartamentit ka shërbyer kredia dhe jo huaja.

Lluri deklaroi se është provuar se motra ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për të ndihmuar prindërit me shumën 40 mijë lekë çdo muaj, si dhe për dhurimin në favor të saj të vlerës 2 milionë lekë. Ajo renditi vlera të konsiderueshme të ardhurash të motrës dhe bashkëshortit të saj në vite nga dhënia me qira e objekteve që kishin përfituar nga investimi i kryer në një truall që zotëronte i kunati, si dhe të ardhura të tjera për të cilat këmbënguli se kishte provuar me dokumentacion ligjshmërinë e tyre.

Ajo kërkoi që shuma 2 milionë lekë që i ka dhuruar e motra, të përllogaritet si burim për krijimin e kursimeve në vlerën 5 milionë lekë të deklaruar para fillimit të detyrës, që është deklaruar se ka shërbyer si burim për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 126.5 m2 në Vlorë.

Po ashtu, subjekti pretendoi se të ardhurat e familjes së origjinës dhe ato nga bursat si studente “ekselente” dhe nga Shkolla e Magjistraturës, mbulojnë krijimin e kursimeve në vlerën 5 milionë lekë me burime të ligjshme në vitin 2004, në çfarëdo mënyre që të kryhen përllogaritjet.

Lluri deklaroi se ajo dhe ish-bashkëshorti kanë pasur mundësi edhe për blerjen e një automjeti tip “Citroen C4” në vitin 2012 për vlerën 16 mijë e 500 euro. Subjekti sqaroi se kontributi i saj dhe i ish-bashkëshortit për blerjen e kësaj pasurie kishte qenë i barabartë. Ajo theksoi se analiza financiare e vitit 2012 del me balancë negative në shumën 33 mijë lekë dhe jo në vlerën 800 mijë lekë të përllogaritur nga KPA sipas kërkimeve të komisionerit.

Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të një automjeti tip Audi Q7, të blerë nga ish vjehrri, Lluri theksoi se kjo pasuri ishte blerë përpara martesës. Ajo sqaroi se ish-vjehrri ia kishte dhënë në përdorim të birit, ish-bashkëshortit të saj.

Sipas subjektit, edhe pse në policat e sigurimit të viteve 2015 dhe 2016 figuronte edhe emri i saj, nuk e kishte përdorur asnjëherë mjetin. Lluri u shpreh se ajo kishte qenë vetëm në cilësinë e pasagjeres dhe se deklarimi i ish-bashkëshortit e ka përmbushur detyrimin.

Sipas subjektit, nisur nga fakti se ky automjet është blerë nga babai i ish-bashkëshortit përpara martesës, nuk ka asnjë detyrim për të vërtetuar burimet. Për të mbështetur ketë qëndrim, ajo solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së. “Megjithatë, nga analiza e KPK-së rezulton se ish-vjehrri ka pasur mundësi për blerjen e automjetit”, pohoi Lluri.

Në përfundim, subjekti kërkoi që Kolegji të marrë në konsideratë prapësimet e saj dhe të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për konfirmimin e saj. Kryesuesja e trupës së Kolegjit, Natasha Mulaj sqaroi se 6 denoncime të mbërritura në Kolegj kundër subjektit nuk plotësojnë kushtet për t’u marrë në shqyrtim.

Pasi palët në këtë çështje nuk paraqitën kërkesa të reja për hetimin gjyqësor, seanca u shty për më datë 22 qershor, në orën 10:00, kur palët pritet të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *