Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Nertina Kosova-gjyqtare e Apelit për Krime të Rënda

Gjyqtarja Nertina Kosova, njëherazi kandidate për KLGJ do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj në vitet 2003-2017.Nertina Kosova është gjyqtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ajo do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili drejtohet në këtë proces nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Olsi Komici.

Kosova është emëruar si anëtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në korrik 2014. Më parë, ajo ka punuar si gjyqtare në gjykatën e shkallës së parë për Krime të Rënda si dhe një kohë të shkurtër në Gjykatën e Elbasanit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Nertina Kosova nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar e gjyqtares së Apelit për Krime të Renda, Nertina Kosova.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Nertina Kosova nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në fund të vitit 2017, pasuria e zonjës Kosova kap vlerën e 8.1 milionë lekëve.

Pasuria e saj përbëhet nga një apartament banimi në Tiranë, e blerë pjesërisht me kredi në vlerën e 6 milionë lekëve, likuiditete në bankë në vlerën e 1.7 milionë lekëve si dhe kursime në cash në vlerën e rreth 3.9 milionë lekëve.

Të ardhurat e gjyqtares Nertina Kosova përbëhen kryesisht nga paga dhe shpërblimet për shkak të funksionit, të cilat zënë rreth 91 për qind të totalit që kap vlerën e 19.8 milionë lekëve për të gjitha vitet e deklarimit. Të ardhurat e familjarëve përbëjnë 5 për qind, ato nga shitja e pasurisë së paluajtshme 0.9 për qind si dhe të ardhurat e fituara si eksperte dhe nga interesat bankare zënë së bashku 2.5 për qind.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat vetëm njëra rezultoi me probleme.

Në deklaratën e vitit 2006, Znj. Kosova ka deklaruar blerjen e një apartamenti me vlerë 6 milionë lekë dhe me burim një kredi bankare në vlerën e 5 milionë lekëve. Analiza e kryer nga BIRN tregon se gjyqtarja ka pasur mungesë të ardhurash për blerjen e kësaj pasurie në vlerën e 613 594 lekëve.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

 

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006  

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008  

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012  

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *