Prokurori Robert Kote pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

SPAK sqaron tërheqjen nga kërkesa për shkarkimin e prokurorit Robert Kote

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rihapi procesin ndaj prokurorit Robert Kote pasi e gjeti të paqartë proceduralisht qëndrimin përfundimtar të përfaqësuesit të SPAK-ut, Klodian Braho. Vendimi për rihapje u mor, siç u tha në seancën e së mërkurës, për të sqaruar nëse tërheqja e SPAK nga kërkesa për shkarkimin e Kotes ishte njëkohësisht edhe tërheqje nga ankimi.

Në seancë, Braho sqaroi se qëndrimi kishte të bënte me dosjen dhe i referohej provave dhe argumenteve të çështjes. Ai tha se, ndonëse SPAK kishte krijuar bindjen se Kote nuk kishte probleme dhe duhej të konfirmohej, vendimi për këtë i mbetej Kolegjit. “Nuk kemi hequr dorë nga ankimi, pasi duam që vendimi i KPK t’i nënshtrohet kontrollit nga KPA”, tha Braho në seancë.

Pasi dëgjoi këtë qëndrim, Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallej më 18 korrik në orën 9:00.

Prokurori Robert Kote u konfirmua në detyrë më 19 dhjetor 2022, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) konkludoi se ai kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Ndërsa pakica çmoi se, në vlerësimin tërësor të çështjes, subjekti kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia dhe duhej të ishte shkarkuar.

Për këtë çështje paraqiti opinion edhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Gerrit Sprenger, i cili konstatoi nevojën e hetimit të mëtejshëm të gjetjeve me qëllim për të arritur në përfundimin e duhur.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, i cili ngriti shkaqe ankimi në të tre kriteret e rivlerësimit, duke kundërshtuar konkluzionet e KPK-së si të pabazuara në aktet e hetimit administrativ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *