Gjyqtarja Anita Mici pas seancës dëgjimore në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Vendimi i KPA: Anita Mici, e papërshtatshme në kriterin profesional

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e përmbysi si të pabazuar vendimarrjen e Komisionit për konfirmimin në detyrë të ish-gjyqtares Anita Mici, pasi e gjeti të drejtë kërkimin e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për shkarkimin e saj për probleme në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.

Ish-gjyqtarja e Apelit Durrrës, Anita Mici e kaloi shkallën e parë të vetingut më 4 gusht 2020, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin, vlerësoi se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti kishte arritur të provonte pretendimet e saj për gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit.

Roli i Micit për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u çmua nga Komisioni si një çështje që i përket Gjykatës së Lartë dhe ILD-së. Vendimarrja e trupës së Apelit të Durrësit, ku bënte pjesë edhe Mici, u rrëzua nga Gjykata e Lartë pas rekursit të ushtruar nga prokuroria, ku u evidentuan probleme që u konsideruan nga KPA në vlerësimin e saj për këtë subjekt.

Deklarim i pamjaftueshëm

Komisioneri Ballhysa parashtroi se subjekti kishte kryer deklarime të pasakta në vitin 2006 lidhur me një prej burimeve të një apartamenti banimi me sipërfaqe totale 104.33 m2 ndodhur në Tiranë, konkretisht për kursimet familjare në shumën 5000 euro.

Po ashtu, Komisioneri pretendoi se subjekti ka kryer deklarime kontradiktore gjatë hetimit administrativ në Komision mbi shlyerjen e pagesës 5000 euro. Sipas Ballhysës, Komisioni duhej të kishte përfshirë në analizë vetëm sa kishte deklaruar subjekti në vitin 2006.

Ai konkludoi se Mici nuk mbulonte me të ardhura nga burime të ligjshme pagesën e shumës 5000 euro të kryer në mars të vitit 2006, duke argumentuar se deri në momentin kur është kryer pagesa 5000 euro, subjekti ka tërhequr rreth 250 mijë lekë, që kanë qenë të pamjaftueshme.

KPA vëren se në vitin 2006, subjekti nuk ka deklaruar detyrim të mbetur; në përgjigjet e pyetësosit të dytë ka shënuar se vlera 5000 euro nuk ishte likujduar; ndërsa në pyetësorin e pestë është shprehur se i qëndronte deklarimit të 2006-ës ku pretendon se shuma prej 5000 euro ishte shlyer në të njëjtën ditë me disbursimin e kredisë bankare, në numrin personal të llogarisë së investitores.

Mici ka sqaruar se në përgjigjet e pyetësorit të dytë u ishte referuar deklarimeve të bashkëshortit, i cili nuk mbante në kujtesë shlyerjen e detyrimit 5000 euro. Lidhur me burimin e ligjshëm të shumës 5000 euro, subjekti ka pretenduar shlyerja e kësaj vlere përputhet me deklarimin periodik të vitit 2006 në zërin “kursime familjare”, si dhe me atë vitit 2007 ku thuhet se është pakësuar gjendja “cash” në banesë në masën 450 mijë lekë.

Në deklarimin e saj të parë në vitin 2004, subjekti nuk ka shënuar likujditete. Në vitin 2005 ka deklaruar gjendje cash në shumën 950 mijë lekë dhe në vitin 2006 ka deklaruar se dispononte në shtëpi shumën 500 mijë lekë.

Gjatë parashtrimeve në Komision e në Kolegj, Mici ka sqaruar se gjendja cash në masën 950 mijë lekë e deklaruar në vitin 2005, ka qenë diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve shtrirë ndër vite.

Për mosdeklarimin në vitin 2004, ajo është justifikuar me mungesën e përvojës. Megjithëse nuk ka deklaruar pakësimin e cash-it, Mici ka këmbëngulur se deklarimi në vitin 2006 i disponimit të shumës 500 mijë lekë nga 950 mijë lekë që ishte deklaruar në 2005-ën, tregon pakësimin. Ajo ka petenduar se ndreqja e pasaktësive të një deklarate vjetore jashtë procesit të rivlerësimit nuk përbën shkak për marrjen e masës disiplinore.

Referuar deklarimeve të subjektit, KPA vlerëson se deklarimi 2006-ës tregon shtesë të likujditeve nga kursimet e atij viti dhe jo si pretendohet nga Mici.

Kolegji vlerëson se shpjegimet e subjektit nuk e kalojë pragun deklarativ lidhur me këto situata dhe për rrjedhojë gjendet i bazuar pretendimi Ballhysës se Komisioni duhej të kishte mbajtur qëndrim ndryshe, duke e konsideruar shumën 500 mijë lekë si shtesë likujditetesh cash në vitin 2006.

Nisur nga fakti se Mici ka pretenduar se shuma 5000 euro kishte burim gjendjen cash 950 mijë lekë të deklaruar në vitin 2005, është kryer analiza financiare për vitet 2000 – 2004, prej nga ka rezultuar pamjaftueshmëri në vlerën 385 mijë lekë, ndërkohë që për vitet 2000 – 2005 mundësia e kursimit ka rezultuar vetëm në shumën 150 mijë lekë nga 950 mijë lekë të pretenduara.

Për rrjedhojë, nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për pagesën e shumës 5000 euro nga kursimet familjare në vitin 2006.

Komisioneri ngriti pretendime edhe ndaj shumës së deklaruar nga subjekti se i është dhënë nga vjehrri si ndihmë në vite. Sipas Ballhysës, Mici nuk arriti të provojë mundësinë e vjehrrit për vlerat e dhëna ndër vite. Po ashtu, ai vëren se subjekti dhe bashkëshorti nuk i kanë pasyqruar gjatë hetimit në deklaratat periodike, në atë “veting” dhe në përgjigje të një pyetësori, këto ndihma nga familjarët. Komisioneri kërkoi që këto të ardhura të pretenduara të mos përfshihen në analizën financiare.

Po ashtu, edhe Kolegji vëren se nuk janë deklaruar të ardhurat nga ndihma e prindërve të bashkëshortit të subjektit përgjatë periudhës 2005-2016 nga 300 mijë lekë çdo muaj dhe për këtë arsye nuk janë përfshirë në analizën financiare.

Lidhur me likuiditetet cash, Komisioneri Publik pretendon se Komisioni në përllogaritjet e tij në analizën financiare për vitet 2006, 2007 dhe 2016 ka pakësuar likuiditetet cash, ndërkohë që sipas tij, në deklaratat periodike vjetore Mici ka pasqyruar vetëm shtesa të kursimeve cash dhe në asnjë prej tyre nuk ka deklaruar pakësime të këtyre kursimeve. Ballysa ka vlerësuar se kjo analizë bie ndesh me orientimin e Kolegjit dhe jurispudencën institucioneve të vetingut.

Ky fakt konstatohet edhe nga Kolegji që e gjen të drejtë pretendimin e Komisionerit Publik për të mos përfshirë në analizën financiare përdorimin e këtyre kursimeve në analizën e vitit pasardhës.

Ndryshe nga Komisioni, Komisioneri kërkoi gjithashtu që shpenzimet e jetesës të familjes së subjektit të rivlerësimit të llogariten bazuar në përbërjen familjare të deklaruar në deklaratat periodike vjetore përkatëse, duke përjashtuar ato të viteve 2006 dhe 2007 kur subjekti i ka pasqyruar këto shpenzime.

Kolegji vëren se Komisioni, në analizën financiare të kryer për periudhën 2004 e në vazhdim, nuk i është referuar numrit të anëtarëve të familjes sipas përbërjes në certifikatën e gjendjes familjare, dhe as përbërjes familjare të deklaruar në deklaratat e interesave privatë periodikë, por është mbështetur në shpjegimet e dhëna nga subjekti i rivlerësimit gjatë hetimit administrativ. Për vitet 2004, 2005, 2008, 2009 dhe 2010, janë përllogaritur shpenzimet për dy anëtarë, ndërkohë që familja përbëhej nga tre anëtarë, për vitet 2006 dhe 2007 janë përllogaritur sipas deklarimit të bërë nga vetë subjekti në deklaratat periodike, dhe për periudhën gusht 2010 – dhjetor 2016, përllogaritjet janë bërë për tre anëtarë, ndërkohë që familja përbëhet nga katër anëtarë.

Kolegji konstaton pamundësi për blerjen e një automjeti të llojit Audi A4, pasuri për të cilën janë deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga puna si avokat, ndërsa në vijim është sqaruar se në momentin e blerjes është marrë një hua që është likujduar pak kohë më vonë.

Nga analiza financiare e kryer në KPA, duke përfshirë edhe huan 6000 euro, ka rezultuar mungesë e burimeve financiare në shumën 1 milion lekë për të blerë makinën, shlyerjen e borxhit dhe mbulimin e shpenzimeve të tjera familjare.

Nga analiza financiare përfundimtare e kryer në Kolegj, Mici dhe bashkëshorti i saj kanë rezultuar me bilanc negativ në shumën 5 milionë lekë përgjatë periudhës 2005-2016, prej nga është arritur në përfundimin se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

E papërshtatshme profesionalisht

Kolegji evidenton mungesë në arsyetimin ligjor të Micit në drejtim të caktimit të masës së dënimit të një të pandehuri. Sipas KPA, duket se subjekti nuk ka vlerësuar drejt faktet dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, që ishte e përsëritur. Sipas Kolegjit, arsyetimi i Micit lidhur me masën e dënimit është i përgjithshëm, duke mos analizuar mjaftueshëm shkaqet që çuan në këtë masë dënimi, në raport me rrethanat e veprave penale dhe konsistencën në kryerjen e tyre.

Subjekti ka theksuar se vendimarrja e saj është lënë në fuqi nga Apeli, por KPA sjell në vëmendje se Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, në cilësinë e organit ndihmës në vlerësimin e gjyqtarëve dhe qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ka parashtruar rrethana që evidentojnë mangësi të Micit në drejtim të caktimit të masës së dënimit, që janë gjetur të drejta.

Në një vendimarrje për një dënim plotësues të kërkuar nga prokuroria, KPA vëren se megjithëse gjykata nuk ka pasur detyrim ligjor për ta zbatuar, duket se disponimi i subjektit në këtë çështje, nuk shkon përtej bindjes së brendshme të krijuar në bazë të provave, rrethanave të çështjes dhe dispozitave të zbatueshme.

Një vendimarrje e subjektit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj një të proceduari për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të mbetur në tentativë është rrëzuar nga Apeli, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit, pasi nuk plotësoheshin kushtet ligjore. Por, pas vendimarrjes së Apelit, i dyshuari nuk është ndaluar dot pasi ishte larguar jashtë shtetit pasi ishte lënë i lirë prej subjektit.

Pavarësisht se i akuzuari është deklaruar i pafajshëm gjatë gjykimit në themel, Kolegji vlerëson se ky fakt nuk justifikon mungesën e analizës ligjore të subjektit të rivlerësimit në drejtim të zëvendësimit të masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”, në kushtet kur nuk plotësoheshin kërkesat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale,

Sipas KPA, në gjykimin e një çështjeje civile me objekt rivendosjen në afat të ankimit, Mici rezulton se ka cenuar parimin e sigurisë juridike për palët në procesin gjyqësor, pasi nuk ka thirrur palën paditëse. “Duke pasur në konsideratë qëllimin e këtij parimi, që vendimet e formës së prerë të gjykatave të mos vihen në diskutim, subjekti i rivlerësimit duhet të kishte treguar një kujdes të veçantë, në zbatim të këtij parimi, së pari lidhur me kohën shumë të gjatë nga vendimi i formës së prerë në vitin 2001, duke vënë në rrezik kështu stabilitetin e vendimeve gjyqësore dhe paprekshmërinë e të drejtave të fituara tashmë nga pala”, arsyeton Kolegji dhe shton se Mici duhej të udhëhiqej nga parimi i barazisë së armëve duke bërë pjesëmarrës në këtë proces dhe palën paditëse.

Në vijim trajtohet edhe vendimarrja e Gjykatës së Apelit Durrës për lirimin e kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ku pjesë e trupit gjykues kishte qenë edhe Mici. Në vendim konstatohet se trupi gjykues i Apelit Durrës, ka disponuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit penal material, pasi ka vendosur “lirim para kohe me kusht” të të dënuarit Lulzim Berisha për ngjarje të rënda, edhe pse nuk ishte plotësuar një nga kushtet ligjore, ai i vuajtjes së 3/4 të dënimit të dhënë ndaj tij.

Sipas Kolegjit, subjekti ka treguar mangësi në analizimin e vendimeve gjyqësore me të cilat i dënuari ka përfituar ulje dënimi, duke mos treguar kujdes në drejtim të zbatimit të ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”.

KPA vlerëson se mangësitë e konstatuara në kriterin profesional e kualifikojnë ish-gjyqtaren Mici si të papërshtatshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *