Prokurori, Fatmir Lushi gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto nga : LSA
Analiza Korrupsioni KPA Vendi

Kolegji rrëzon akuzat për figurën, por shkarkimi i Fatmir Lushit mbetet në fuqi

Tre anëtarë të Kolegjit i kanë dhënë të drejtë ankimit të ish-prokurorit Fatmir Lushi për kriterin e figurës dhe disa elementë të pasurisë –por mungesa e burime për blerjen e një apartamenti në Elbasan e nxjerr atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Ish-prokurori Fatmir Lushi gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi me shumicë votash konkluzionin e shkallës së parë të vetingut se ish-drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë përmes ‘veprimeve korruptive’.

Kolegji vlerësoi gjithashtu ndryshe nga KPK disa prej konkluzioneve për kriterin e pasurisë, por në fund e la në fuqi shkarkimin e tij – duke e motivuar me mungesën e burimeve financiare për të paguar pjesën takuese në një apartament të blerë në Elbasan së bashku me prindërit.

Ish-prokurori Fatmir Lushi u shkarkua nga detyra në mars 2019, për probleme të figurës dhe pasurisë. Në vendimin e KPK arsyetohej se ai kishte favorizuar një person të proceduar për korrupsion pasiv në sektorin privat në Elbasan dhe një të pandehur për plagosje të lehtë në Shkodër.

Në ankimin e tij në Kolegj, Lushi tha se gjykata i kishte dhënë të drejtë për pushimin e çështjes dhe asgjësimin e përgjimeve në çështjen e Elbasanit  dhe se kishte kryer hetimet e nevojshme në rastin e Shkodrës.

Tre anëtarët të Kolegjit, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Albana Shtylla i kanë dhënë të drejtë atij, duke arsyetuar se Lushi nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi në rastin kur përgjimet janë asgjësuar me vendim gjykate. Ata argumentuan gjithashtu se konkluzioni i Komisionit se ish-prokurori kishte favorizuar të pandehurin në Shkodër nuk ishte i bazuar në prova.

Shumica në Kolegj vë në pikëpyetje edhe procedurën e ndjekur në këtë rast, ku vlerësimi i figurës është bërë duke analizuar aftësitë profesionale të subjektit.

“..Është e pamundur që në kuadër të vlerësimit të figurës të zbatohen standardet e kontrollit të aftësive profesionale. Burimet mbi të cilat merren informacionet për kontrollin e këtyre kritereve të rivlerësimit, janë të ndryshme, gjithashtu i ndryshëm është edhe objekti i kontrollit,” arsyeton shumica.

Tre gjyqtarët arsyetojnë se nuk provohet që ish-prokurori Fatmir Lushi të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo që të ketë rrethana të tilla që të krijojnë bindjen se është i papërshtatshëm për kriterin e figurës.

“Komisioni nuk ka arritur të provojë me dokumente dhe argumente bindëse se faktet e parashtruara në dokumentin e DSIK-së plotësojnë rrethanat e parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 84/2016,” konstaton shumica, duke shtuar se elementët e këtyre çështjeve nuk mund të sjellin konkluzionin se subjekti ka cenuar besimin e publikut.

Gjyqtaret Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz në pakicë e mbështetën konkluzionin e KPK se Lushi kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

“Shumica e trupit gjykues të Kolegjit e ka fokusuar vendimin vetëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe ka gjetur që, pavarësisht problematikave potencialisht të rëndësishme, nuk ka vend për të debatuar cënim të besimit të publikut, me gjithë dyshimet serioze të ngritura nga raportet e organeve ligjzbatuese,” evidenton pakica.

Mungesë burimesh për apartamentin

Ish-prokurori Fatmir Lushi arriti të bindë Kolegjin edhe mbi disa konkluzione negative në kriterin e pasurisë, por nuk ka arritur të provojë burimin financiar që ka shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 102.94 m2 në Elbasan në gusht të vitit 2013 për vlerën 5 milionë lekë.

Nga analiza financiare ka rezultuar se në vitin 2013, prokurori Lushi nuk mund të përballonte shpenzimet e jetesës, shpenzimet e arredimit dhe shpenzimet e tjera të vitit dhe gjithashtu të mund të kryente pagesën e 50% të vlerës së apartamentit në qytetin e Elbasanit nga të ardhurat e ligjshme të këtij viti.

“…Subjekti i rivlerësimit për këtë vit dhe në vitet paraardhëse, nuk ka deklaruar asnjë burim tjetër të mundshëm për t’u përdorur për blerjen e kësaj pasurie,” thuhet në vendim.

Sipas Kolegjit, mosdeklarimi i burimeve financiare apo gjendjeve cash, shoqërohet me mungesën e burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë.

KPA ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Lushit se nuk ka pasur mungesë të ardhurash për të justifikuar gjysmën e vlerës së arredimit të apartamentit në vitet 2013 dhe 2014. Kolegji vlerëson se, duke mos pasur një periudhë të saktë se kur mund të jetë kryer mobilimi i banesës në qytetin e Elbasanit, analiza është kryer e plotë për një vit kalendarik, prej nga ka rezultuar një balancë negative në vlerën 1.8 milionë lekë për vitin 2013 dhe një mungesë në shumën 69 mijë lekë edhe për vitin 2014.

Kolegji konkludon se Lushi nuk ka shpjeguar bindshëm burimet e ligjshme për shpenzimet e kryera për apartamentin në Elbasan dhe e vlerëson të drejtë këtë konkluzion të Komisionit.

Ndërkohë, KPA vlerëson të bazuar pretendimin e Lushit se nuk ka qenë i drejtë kalimi i barrës së provës për të provuar burimin e të ardhurave të babait për blerjen e ½ të këtij apartamenti, kur ai nuk ishte në cilësinë e huadhënësit apo huamarrësit.

Në vendim thuhet se subjekti i rivlerësimit ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e krijimit të pasurisë së personit tjetër të lidhur, vetëm kur ka hyrë në një marrëdhënie huaje ose dhurimi. Sipas KPA, në rastet e tjera pasuria e personave të tjerë të lidhur kryesisht, duhet të verifikohet për konflikt të mundshëm interesi.

Trupi gjykues vlerëson se në kushtet kur nuk ka dyshime për pasuri të fshehura apo konflikt interesi, verifikimi i mëtejshëm kapërcen kufijtë e objektit të procesit të rivlerësimit.

Kolegji i jep të drejtë Lushit për mosdeklarimin e shtëpisë së dajës, ku ai ka jetuar për disa vite në cilësinë e pasurisë në përdorim. “Nga dokumentacioni i administruar në dosje dhe rrethanat faktike, rezulton se kjo banesë i është ofruar nga daja i tij si mbështetje për qëllime strehimi dhe jo në kuptim të përdorimit të sendit si e drejtë reale, pasi subjekti i rivlerësimit ka jetuar bashkë me familjen e dajës së tij,” vlerëson KPA dhe shton se Lushi e ka deklaruar si adresë banimi këtë shtëpi për periudhën 2008-2013.

Në fund, Kolegji vendosi lënien në fuqi të shkarkimit të Lushit, duke i cilësuar shkaqet e drejta të ankimit të tij si të pamjaftueshme për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *