Shkarkimi nga KPK i Prokurorit të Sarandës Edison Ademi. Foto : BIRN
Artikull kryesor Lajme KPK Në Fokus

Video: Prokurori kërcënon me burg KPK-në pas vendimit të shkarkimit

Pasi e shkarkuan nga detyra, drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës Edison Ademi kërcënoi se do të burgos një nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Edison Ademi nuk e ka pritur mirë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’a shkarkuar nga detyra.

Pa u larguar mirë nga salla drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, iu drejtua njërit prej anëtarëve të trupës gjykuese duke e kërcënuar me burg.

“S’mbaron këtu! Do të përballemi prapë bashkë. Po s’të futa në burg, ta shikosh ti,” tha Ademi ndërkohë që largohej nga salla, i shoqëruar nga të afërm që qanin.

Ademi mbajti një qëndrim të ngjashëm edhe gjatë seancës dëgjimore, kur i tha trupës gjykuese se kishte informacion që një person i lidhur me një anëtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e kishte kërcënuar se do ta shkarkonte.

Komisioni nuk reagoi ndaj qëndrimeve të Ademit. Të martën treshja e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo) Firdes Shuli relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, vendosi shkarkimin e tij nga detyra, pas hetimit administrativ në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.

Gjatë seancës dëgjimore relatorja Shuli bëri me dije se Ademit i ishin gjetur probleme të pasurisë, ndërsa ILDKPKI kishte sjellë raport negativ sipas të cilit ai kishte bërë fshehje pasurie dhe ishte në konflikt interesi.

Po ashtu analiza financiare e nxorri atë me mungesë burimesh prej 3 milionë lekësh.  Përveç problemeve me pasurinë, relatorja Shuli renditi dy raste të shkeljes së etikës nga ana e subjektit. Sipas saj, Edison Ademi ka komunikuar në telefon me një person, të cilin e kishte hetuar për armëmbajtje pa leje dhe ka lënë takim me të, ndërsa rasti i dytë lidhej me kalimin me makinën e një personi me precedentë penalë në pikën kufitare të Morinës në vitin 2014.

Ademi e ka kundërshtuar analizën financiare dhe sipas relatores, ka paraqitur dokumentacion me vulë apostile për të ardhurat e vëllait në vitin 2016. Prokurori i shkarkuar Edison Ademi e kundërshtoi procedurën e hetimit administrativ të kryer vetëm për dy kriteret, duke pretenduar se në këto kushte ishte paracaktuar shkarkimi i tij nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *