Gjyqtarja Alma Kodraliu e Gjykatës së Tiranës do të përballet të premten më 16 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja.
Alma Kodraliu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Kodraliu punoi si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë në vitet 2013-2015 dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të gjyqtares Alma Kodraliu nga viti 2009 deri në fund të vitit 2019.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/06/Kodraliu-skeda-e-pasurise-.jpg)
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2009, gjyqtarja Alma Kodraliu zotëronte pasuri me vlerë 800 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e saj familjare kap vlerën e 3 milionë lekëve.
Ajo zotëron familjarisht likujditete bankare prej 1.3 milionë lekësh si dhe likujditete të akimuluara në cash prej 1.7 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën e deklarimit janë 17.9 milionë lekë, nga të cilat 69% kanë si burim pagën e subjektit, gati 8% pagat e familjarëve, rreth 10% nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe 8% nga dhuratat në cash.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një transfertë bankare në llogarinë e vajzës për mbulimin e shpenzimeve të studimit.
Në vitin 2016, vajza e subjektit deklaron llogari bankare me vlerë 9963 euro të transferuara nga llogaria e gjyshes për mbulimin e shpenzimeve të shkollimit. Gjithashtu në vitin 2016, subjekti deklaron huadhënie prej 2100 euro ndaj një personi fizik, hua e kthyer plotësisht në rrugë bankare një vit më vonë.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Deklarata e pasurisë së vitit 2019
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al