Gjyqtarja Mirela Mishgjoni pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme Veting

Konfirmimi i gjyqtares Mirela Mishgjoni ankimohet në KPA

Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të mërkurën më 10 korrik ushtrimin e ankimit ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Vlorës, Mirela Mishgjoni. Komisionerja Irena Nino, bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, çmon se vendimi i Komisionit nuk është në pajtueshmëri të plotë me gjendjen e fakteve dhe provave të administruara në fashikull, për krijimin e bindjes se Mishgjoni arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe kërkon shkarkimin e saj për probleme në kriterin e pasurisë.

Konfirmimi i Mishgjonit u vendos me shumicë votash nga relatorja Alma Faskaj dhe anëtarja Pamela Qirko, që vlerësuan se të gjitha rrethanat e konstatuara lidheshin me të ardhurat e bashkëshortit të subjektit në Itali dhe shitjen e aktivitetit të tij vitin 2004.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Komisioni konstatoi pamundësi në vlera të mëdha të familjes së Mishgjonit për mbulimin e shpenzimeve, investimeve dhe krijimin e pasurive para detyrës, për shkak të mosnjohjes së të ardhurave të bashkëshortit nga shitja e pjesës takuese në një fabrikë vaji në Vlorë në vitin 1997, shitja e një restoranti në Itali në 2004-ën, si dhe nga puna si shef kuzhine, pasi nuk ishin paguar në kohë detyrimet tatimore – gjetje për të cilat subjekti pretendoi se kishte provuar të kundërtën e barrës së provës.

Pas shpjegimeve të subjektit, shumica vlerësoi se nuk kishte ndonjë të dhënë prej nga mund të ngriheshin dyshime se Mishgjoni, me deklarimin e të ardhurave, ka synuar të mashtrojë organet e vetingut. Duke çmuar se pasuria e deklaruar ka si burim të ardhurat e bashkëshortit, të krijuara kohë më parë se ata të fillonin bashkëjetesën ligjore, si dhe bazuar në parimin e proporcionalitetit, shumica nuk gjeti shkaqe penalizuese.

Kryesuesja Xhensila Pine në pakicë, vlerësoi se të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti bashkëshortit, janë jo vetëm të paprovuara se janë përfituar lidhur me kohën e shumën, por edhe të panënshtruara pagimit të detyrimeve tatimore. Sipas Pines, Mishgjoni nuk arriti nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

ONM çmoi se vendimi i shumicës tregon keqinterpretim të provave dhe arsyetim të pamjaftueshëm dhe u kërkoi Komisionerëve Publikë të ushtronin ankim në Kolegj, me argumentin se gjetjet e evidentuara do të çonin në një konkluzion të ndryshëm.

Mirela Mishgjoni ka punuar si gjyqtare në vitet 1995-2002. Ajo u shkarkua në detyra dhe punoi si avokate deri në 2009-ën, vit kur u rikthye në detyrë pasi fitoi çështjen gjyqësisht. Prej 2009-ës ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Ashtu si ONM, edhe Nino vlerëson se në analizën financiare për blerjen në vitin 2006 të një apartamenti me sipërfaqe 111.6 m2 në Vlorë, nuk duhen të konsiderohen të ardhurat e bashkëshortit nga shitja e pjesës takuese në një fabrikë të përpunimit të ullirit në Vlorë. “[…]Çmojmë se këto të ardhura nuk duhet të përfshihen në analizën financiare dhe nuk duhen marrë në konsideratë në vlerësim tërësor, pasi përveçse nuk janë deklaruar në deklaratën ‘Vetting’ dhe në deklaratat periodike vjetore si të ardhura apo si burim krijimi, nuk plotësojnë dhe kriteret e nenit D, pika 3 të Aneksit të Kushtetutës”, konstaton Nino.

Njëlloj si pakica e Komisionit dhe ONM, edhe Nino ndan qëndrim të ndryshëm nga shumica dhe lidhur me blerjen e disa pasurive të paluajtshme në kushtet e konfliktit të interesit, pasi subjekti ka gjykuar çështje me palë shitësit e këtyre pronave. Po ashtu, evidenton dhe pamundësi financiare.

Sipas Komisioneres, nëse analiza financiare do të kryhej sipas çmimit të referencës, subjekti dhe bashkëshorti do të rezultonin me mungesë burimesh të ligjshme për vitet 2010 dhe 2012.

Lidhur me konfliktin e interesit, Nino vlerëson se shpjegimet e dhëna nga subjekti nuk janë bindëse, pasi mosreferimi në kërkesën e dorëheqjes të rrethanave të plota lidhur me marrëdhënien me karakter pasuror mes shitësve të pasurive dhe bashkëshortit të saj, më së paku, pamundëson vlerësimin e drejtë të titullarit mbi situatën e mundshme të konfliktit të interesit.

Komisionerja shprehet se, rrethanat e konstatuara lidhur me këto pasuri e vendosin Mishgjonin para një deklarimi të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe në kushtet e konfliktit të interesit.

Nino konstaton deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe për likujditetet cash të Mishgjonit; për një hua 17 mijë euro dhënë një shtetaseje, si dhe për një automjet për të cilin deklaron si burim kthimin e huasë.

Ashtu si ONM, edhe Komisionerja evidenton se nuk janë verifikuar burimet e blejes së një apartamenti në vitin 2020 në Tiranë për shumën 161 mijë euro. Sipas Ninos, Komisioni ka përmendur shkarazi këtë pasuri në rezultatet e hetimit dhe në vendimin e tij, pa u ndalur në verifikimin e shumave të deklaruara si burim për krijimin e kësaj pasurie.

Po ashtu, Nino ndalet dhe në mënyrën e hetimit të KPK të veprimtarisë së një organizate jofitimprurëse, ku bashkëshorti subjektit rezulton të jetë një prej themeluesve. Ajo vëren se KPK nuk duket të ketë administruar akte të tjera në drejtim të vlerësimit të aktivitetit të kësaj organizate.

Në përfundim, Nino vlerëson se gjyqtarja Mirela Mishgjoni ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurive; si dhe se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e tyre dhe mbulimin e shpenzimeve ndër vite. Ajo kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit për Mishgjonin dhe shkarkimin e saj nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *