Gjyqtari i Gjirokastrës Arben Dosti pas seancës në KPA. Foto: BIRN
KPA Lajme

KPA hap shqyrtimin për gjyqtarin Arben Dosti

Gjyqtari i Gjirokastrës, Arben Dosti, paraqiti të enjten më 19 dhjetor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, shpjegimet e tij për disa denoncime. Ai parashtroi rrethanat e çështjeve të denoncuara, vendimmarrjet e tij dhe të shkallëve më të larta të gjyqësorit. Ndërsa Komisioneri Publik, florian Ballhysa tha se u qëndronte shkaqeve për denoncimet e parashtruara në ankim. Për denoncimin e ri tha se e linte në çmimin e gjykatës. 

Në vijim, Dosti ju përgjigj pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar, Steven Kessler lidhur me gjetjet në kriterin e pasurisë. 

Dosti u konfirmua në detyrë më 3 dhjetor 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për barrën e provës lidhur me balancën financiare negative të konstatuar gjatë hetimit paraprak në shumën 36.4 milionë lekë për shkak të të ardhurave të padokumentuara, për të cilat subjekti pretendon se i ka kursyer nga emigracioni në Greqi, nga bashkëpunimi me një shoqëri tregtare, si dhe nga shitja e një lokali në pronësi të nënës, të gjitha të përfituara para fillimit të detyrës.

Po ashtu Komisioni rrëzoi raportin negativ të DSIK-së, si dhe gjetjet për profesionalizmin nuk u konsideruan penalizuese. 

Gjatë seancës të enjten, Dosti e cilësoi jo shumë të saktë konstatimin e vëzhguesit ndërkombëtar se kishte deklaruar se nuk dispononte asnjë dokumentacion për të ardhurat në Greqi. Sipas subjektit, ai ka paraqitur në Komision pasaportën me vizë turistike, me të cilët ka deklaruar se ka hapur një llogari bankare në Greqi, ku jane  kryer pagesat. Ai theksoi se ka bërë përpjeke të shumta në vijimësi, deri në hapjen e një procesi gjyqësor ndaj bankës, për t’i vendosur në dispozicion dokumentet e të dhënat.  

Dosti shtoi se ka paraqitur dhe deklarime nën betim të kryer në Dreqi nga persona me të cilët ka punuar në Greqi. Subjekti vërejti se po diskutohen të ardhura të përfituara 15 vjet para se të fillonte detyrën, madje kur ende nuk kishte filluar studimet e larta dhe mund të kishte qenë i kujdesshëm për të ruajtur dokumentacion, aq sa mund të ishte çdo kush në atë kohë, me formimin e tij. 

Për të ardhurat nga bashkëpunimi me një shoqëri në Shqipëri, subjekti shpjegoi se kishte pasur njohje me administratorin dhe se merrte pjesë nga fitimi, bazuar në kontributet që jepte. Lidhur me vendosjen e emrit në listëpagesat e shoqërisë, subjekti tha se këtë gjë e ka bërë administratori, pasi në atë kohë nevojitej që kompanitë të kishin të regjistruar të paktën 7 punëmarrës, që të mund të merrnin pjesë në tendera. Dosti këmbënguli se nuk është paguar asnjëherë me pagë fikse, pork a marrë pjesën e dakordësuar të fitimeve të shoqërisë, pasi për të ardhurat ishin shlyer dhe detyrimet tatimore. 

Lidhur me lokalin e shitur nga e ëma, subjekti theksoi se nuk mund të mbante përgjegjësi për veprimet e nënës. Ai shtoi se vërtetohej se nëna kishte përfituar 12.8 milionë lekë nga shitja e kësaj pasurie dhe jo 3.8 milionë lekë sa e ishte shënuar noterja. Sipas subjektit, 500 mijë lekë ia kishin dhënë motrës, 300 mijë lekë i kishin mbajtur në shtëpi dhe vlerën tjetër e kishte ndarë me nënën nga 6 milionë lekë secili. 

I pyetur nga vëzhguesi ndëkrombëtar se përse dikush që jetonte në Itali duhej të investonte në Kuçovë një vlerë aq të madhe, subjekti tha se aktualisht pasuria ka vlerë tre deri në katër herë më të madhe. Sipas Dostit, me vlerën monetare të investuar nga blerësi, nuk kishte mundësi që të blije në Milano të Italisë një pasuri të tillë. 

Subjekti këmbënguli se ka qenë gjithmonë i sinqertë dhe se ka treguar vetëm të vërtetën. Në vijim, subjekti kërkoi administrim e provave dhe kërkimeve. 

Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi të çelë shqyrtimit gjyqësor, duke pranuar disa prej kërkimeve të subjektit. Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj tha se u vendos të administrohen në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura bashkëlidhur parashtrimeve përveç dëshmisë së penalitetit të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë e Greqisë, si dhe një prokurorë të posaçme – akte që nuk janë paraqitur në formën e kërkuar nga ligji. Kolegji e ftoi Dostin që t’i sjellë deri në seancën e radhës, në formën e kërkuar nga ligji. Po ashtu, u administruan disa akte të sjella në seancën e sotme dhe atë paraardhëse. 

Ndërkohë, KPA rrëzoi kërkesën e subjektit për urdhërimin e AKSIK-së të kryejë deklasifikimin e raportit të figurës. Dosti kërkoi më parë që ti mundësohet njohja me përmbajtjen e raportit të AKSIK, duke u shprehur se nuk ka asnjë interes për të mësuar burimet. Kërkesën tjetër për t’i dhënë kohë që të paraqesë dokumentet në Alfa Bankë në Greqi, duke çmuar se Dosti ka pasur kohë të mjaftueshme nga momenti me njohjen me shkaqet e ankimit deri në shqyrtimin e çështjes.

Të tjera kërkesa të rrëzuara nga Kolegji ishin ato për marrjen e informacionit nga Ministria e Drejtësisë të Greqisë për gjendjen gjyqësore të subjektit dhe për verifikimin e gjendjes gjyqësore nëpërmjet krahasimit dhe verifikimit të gjurmëve papilare. 

Kolegji vendosi të çeli hetimin gjyqësor për 3 denoncime dhe e ftoi Dostin të sjellë aktet nga fashikujt gjyqësorë, me të cilat ai vlerëson se provojnë qëndrimin e tij lidhur me këto çështje. Po ashtu, iu kërkua të vendosi në dispozicion edhe vendimet përkatëse të marra prej tij lidhur me këto denoncime dhe të paraqiten në KPA, të paktën pesë ditë para seancës gjyqësore të ardhshme.

Trupi gjykues vendosi të shkojë në agjencitë ligjzbatuese për t’u njohur me të njëjtin informacion për Dostin, me të cilin është njohur edhe KPK. Kolegji bëri me dije se data dhe ora e seancës së ardhshme do të njoftohet pasi t’i mundësohet njohja e informacionit nga agjencitë ligjzbatuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *