Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejtë disa prej shkaqeve të ankimit të gjyqtarit të Tiranës, Arben Konstandini për problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë, por bilanci negativ i mbetur u gjet shkarkues dhe u la në fuqi vendimi i Komisioni të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për largimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.
KPK vendosi më 15 mars 2023 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Arben Kostandini për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Po ashtu, u konkludua se me veprimet dhe mosveprimet e tij në marrëdhënien me një apartament që ka filluar ta përdorë pa kundërshpërblim, gjashtë vjet para se ta blinte, kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia. Ndërkohë, Kostandini u vlerësua pozitivisht në kriterin e figurës dhe se ishte “i aftë” profesionalisht.
Për një apartament me sipërfaqe 75 m2 në Tiranë dhe shtesë me sipërfaqe 41 m2 të legalizuar në vitin 2021, Komisioni ka arritur në përfundimin se shtesa është ndërtuar në vitet 1996 -1997, gjë që nuk është deklaruar në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2003. Po ashtu, nuk është deklaruar vlera e këtij investimi në deklaratën veting, si dhe ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie, në shumën 184 mijë lekë.
Kostandini ka pretenduar se mospasqyrimi i shtesës anësore në deklaratat periodike nuk përbën shkelje ligjore pasi ajo është ndërtuar në vitet 1996-1997, është deklaruar për legalizim në vitin 2006 dhe procesi i legalizimit ka përfunduar në vitin 2021. Sipas tij, ndërtimi nuk përbënte detyrim për deklarim në formën e shpenzimit të deklarueshëm, pasi një gjë e tillë është përcaktuar me ligj në vitin 2012, për shpenzimet mbi vlerën 500 mijë lekë gjatë vitit të deklarimit. Ai ka këmbëngulur se, kur shtesa është ndërtuar para vitit 1999, mosdeklarimi i shpenzimeve nuk është në shkelje të ligjit të vitit 2003, për deklarimin.
Kolegji, ashtu si dhe Komisioni e vlerëson të pabazuar pretendimin e subjektit të rivlerësimit se nuk ka pasur detyrim për deklarim të shtesës anësore. Sipas KPA, shtesa duhej të deklarohej prej tij në deklaratën e personit që mbart detyrim për deklarim të vitit 2003, si deklarim për herë të pare. Trupi gjykues i Kolegjit sjell në vëmendje se dispozitat e ligjit nuk bëjnë dallim nëse pasuria është e regjistruar apo e legalizuar, por për pasuri reale dhe shpenzime të rëndësishme.
“Gjithashtu, në formularin e deklarimit, pjesë e këtij ligji, përcaktohet si objekt deklarimi çdo lloj pasurie e regjistruar ose jo në regjistrat publikë”, citohet në vendim dhe theksohet se shtesa duhej të deklarohej në vitin 2003, si një pasuri e paluajtshme e re. Po ashtu, KPA vëren se legjislacioni kërkon edhe deklarimin e vlerës së investimit.
Subjekti i rivlerësimit ka pretenduar se përllogaritja e të ardhurave dhe shpenzimeve jetike në analizën financiare të Komisionit për periudhën 1988 – 1997 është e pasaktë, pasi ka përllogaritur të ardhurat e tij në vlerë më të ulët se pensionet e prindërve. Sipas subjektit, Komisioni ka llogaritur shpenzimet jetike si 66% të të ardhurave, gjë që bie ndesh me jurisprudencën e Kolegjit, që rekomandon përdorimin e normës 30% për funksionarët publikë me të ardhura më të larta.
KPA konstaton se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë qenë mesatarisht rreth 30% më të larta krahasuar me pagat e funksionarëve të tjerë të administratës publike. Nisur nga këto të dhëna dhe duke marrë në konsideratë nivelin e përgjithshëm të kostove të jetesës, Kolegji arsyeton se në rastet kur të ardhurat burojnë nga funksioni i gjyqtarit apo prokurorit, shpenzimet jetike mund të përllogariten në masën 30% të të ardhurave. Sipas KPA, kjo përqindje përafron në mënyrë proporcionale me nivelin e shpenzimeve jetike prej 66% të të ardhurave për kategoritë me paga mesatare në sistemin publik.
Po ashtu, konstatohet se KPK nuk ka reflektuar në analizën financiare të ardhurat e punës së bashkëshortes së subjektit për periudhën para vitit 1997 dhe në vendim nuk është dhënë ndonjë shpjegim për këtë. Kolegji ka rishikuar analizën financiare bazuar në këto konstatime, prej nga ka rezultuar se subjekti dhe familja e tij rezultojnë me bilanc pozitiv për periudhën 1988 – 1997.
Në përfundim të analizës së kësaj pasurie, Kolegji në ndryshim ka Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti dhe familjarët e tij kanë pasur mundësi financiare për investimin e kryer në shtesën e banesës.
Për një apartament tjetër në Tiranë, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka përfituar trajtim preferencial nga shoqëria shitëse, pasi e ka blerë me çmim disa herë më të ulët të apartamentit krahasuar me çmimin referencë dhe çmimin e kontratave të ngjashme. Po ashtu, është konstatuar dhe fakti se apartamenti i është lënë në përdorim për 6 vjet me radhë, pa kundërshpërblim, ndërkohë që nuk ka bërë deklarime në lidhje me këtë trajtim preferencial. Nga analiza financiare e kryer në KPK, ka rezultuar pamundësi në vlerën 3.4 milionë lekë për blerjen e këtij apartamenti.
Në përfundim, Komisioni ka ngritur dyshime se subjekti i rivlerësimit ka ndërmarrë hapa për të fshehur ndër vite marrëdhënien me këtë pasuri, për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme financiare dhe se e ka formalizuar atë vetëm në vitin 2016, për efekt të procesit të vetingut. Këto veprime sipas KPK, krijojnë bindjen se Kostandini ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Subjekti ka kundërshtuar si të pabazuar konkluzionet e Komisionit, duke pretenduar se nuk ka pasur ndonjë trajtim preferencial, por se marrëveshja për blerjen e këtij apartamenti është arritur në vitin 2005 në mënyrë verbale, bazuar në një miqësi të hershmemes tij dhe drejtuesit të shoqërisë. Sipas Kostandinit, çmimi i përcaktuar në kontratën e vitit 2016 është në përputhje me çmimet e vitit 2005, kur është shfaqur vullneti për blerjen. Po ashtu, Kostandini ka parashtruar se shoqëria në fjalë nuk ka qenë palë në ndonjë proces gjyqësor të zhvilluar prej tij, e për rrjedhojë nuk ka konflikt interesi.
Trupi gjykues i KPA vlerëson se konkluzioni i Komisionit mbi trajtimin preferencial duhet analizuar në raport me rrethanat faktike dhe kualifikimin e trajtimit preferencial sipas legjislacionit që ndalon një zyrtar të kërkojë ose të marrë dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij.
KPA konstaton se, në vitin 2010 kur subjekti ka filluar të banojë në këtë apartament e kur supozohet se është dakordësuar çmimi, si dhe në kohën e lidhjes së kontratës së shitjes në vitin 2016 kur është likuiduar gjithë pagesa, ai nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit në raport me shoqërinë.
Naga ana tjetër, Kolegji vlerëson se Kostandini duhej ta kishte deklaruar këtë pasuri, prej kohës kur e ka poseduar dhe e gjen të saktë këtë konstatim të KPK. Megjithatë, trupi gjykues vlerëson se pasaktësia e deklarimeve periodike, në rastin konkret, nuk përbën shkak për deklarim të pamjaftueshëm, pasi nuk ka rezultuar asnjë e dhënë se ka pasur qëllim fshehjen e veprimeve lidhur me këtë pasuri.
Kolegji gjen të pabazuar dhe konstatimin tjetër të Komisionit, se subjekti e ka formalizuar blerjen e apartamentit në vitin 2016, pasi nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për ta shlyer në vitin 2010, kur e ka disponuar. KPA konstaton se vërtetohet që pagesa për gjithë vlerën e çmimit të apartamentit është kryer në vitin 2016 dhe për rrjedhojë, mbetet i pambështetur dyshimi i KPK për pagesë të kryer në 2010-ën.
Megjithëse gjyqtari Kostandini ka qenë bindës për një pjesë të pretendimeve të tij, si dhe bilanci negativ është reduktuar nga analiza financiare e kryer në KPA, sërish pamundësia është gjetur shkarkuese.
Trupi gjykues vlerëson se pretendimi i subjektit se ka pasur mundësi të kursejë apo të akumulojë shuma të konsiderueshme gjatë viteve nëpërmjet të ardhurave familjare nuk qëndron, pasi nga analiza financiare ai rezulton me një balancë negative të përsëritur ndër vite dhe një pamundësi e qartë për përballimin e shpenzimeve dhe krijimin e pasurive.
“Subjekti në mënyrë të përsëritur ka kryer deklarime kontradiktore, të paqarta dhe në disa raste të përshtatura sipas rrethanave të hetimit, çka dëmton seriozisht besueshmërinë e deklarimeve të tij”, citohet në vendim.
Në analizën përfundimtare të Kolegjit, për periudhën 2003–2016, mbi burimet financiare të përdorura për krijimin e pasurive dhe përballimin e shpenzimeve, balanca negative në shumën 7 milionë lekë e konstatuar nga Komisioni, ka mbetur në vlerën 4.7 milionë lekë, që çmohet se është e tillë, që nuk mund të çojë në aplikimin e parimit të proporcionalitetit.
Në përfundim, KPA konkludon se gjyqtari Arben Kostandini ka kryer deklarime të pamjaftueshme e, për rrjedhojë, është i pabesueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë.




