Ankimohet vendimi i konfirmimit për prokurorin Artan Madani
Komisioneri Publik Lajme

Ankimohet vendimi i konfirmimit për prokurorin Artan Madani

Komisioneri Publik bëri të ditur se ka pranuar këshillën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe ka apeluar vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Kavajës Artan Madani duke argumentuar se ai nuk e justifikon dot pasurinë ndërsa një pjesë e saj mund të rrjedhë nga aktiviteti i paligjshëm i të vëllait në Itali.

Drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës Artan Madani (djathtas) dhe avokati i tij pas seancës dëgjimore. Foto:BIRN

Komisioneri Florian Ballhysa njoftoi se ka vendosur të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit z. Artan Madani, aktualisht drejtues i prokurorisë Kavajë.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Artan Madani, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë,” bëri të ditur komisioneri në një njoftim për shtyp.

Sipas komisionerit, subjekti “nuk ka deklaruar saktë dhe mjaftueshëm të dhënat e pasurisë; nuk ka shpjeguar në mënyrë të besueshme burimet e ligjshme për krijimin e të ardhurave të ligjshme për pasuritë në pronësi të tij, si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur ose pasqyruar në mënyrë të pasaktë pasuritë në përdorim të tij.”

Madani u konfirmua me shumicë votash më 1 korrik* pas dyshimeve për mungesë burimesh të ligjshme të pasurisë familjare të përbërë nga një apartament 146 metra katroë dhe një garazh, për një investim financiar në masën 5.5 milionë lekë si dhe një makinë Ford Explorer të padeklaruar.

Sipas komisionerit publik, pretendimi i Madanit se apartamenti 146 metra katrorë ka kushtuar 5.5 milionë lekë në vitin 2001, për shkak se apartamenti gjendej në gjendje karabinaje. Sipas komisionerit, ky pretendim nuk qëndron për shkak se pallati në fjalë ka marrë aktin e kolaudimit në tetor 2000, disa muaj para blerjes nga ana e subjektit.

Madani pati deklaruar si burim për të ardhurat në masën 5.5 milionë lekë edhe ndihmë nga një vëlla emigrant në Itali, por hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit zbuloi se vëllai i prokurorit ishte dënuar nga drejtësia italiane për “nxitje prostitucioni”.

“Nga aktet në dosje, vëllai i subjektit të rivlerësimit, shtetasi ***.***, rezulton se në atë periudhë është dënuar me vendim të formës së prerë së autoriteteve gjyqësore italiane, për kryerjen e krimeve të “Armëmbajtjes” dhe “Nxitje prostitucioni në territorin e një shteti tjetër, kryer në bashkëpunim”, në territorin e Republikës së Italisë,” vëren komisioneri Ballhysa, duke argumentuar se kjo sugjeron për burime të paligjshme për krijimin e pasurisë së prokurorit.

Prokurori Madani rezulton se disponon edhe një pasuri tjetër të investuar në një fond investimi kolektiv në masën 5.5 milionë lekë, për të cilin deklaron se e ka krijuar përmes investimeve të mbajtura në shtëpi. Komisioneri publik nuk është i bindur për këtë kursim. Ai argumenton se nga llogaria e të ardhurave dhe shpenzimeve, prokurori Madani ka shpenzime të pajustifikuara në masën 4.3 milionë lekë dhe për këtë arsye, duket të shkarkohet nga detyra.

*Një version i mëparshëm i këtij shkrimi gabimisht shënonte datën e konfirmimit të Madanit në KPK si 11 tetor 2019. Data e saktë e vendimit është 1 korrik 2019. Kërkojmë ndjesë për gabimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *