Shefi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela.
KPK Lajme Vendi

Arenc Çela përballet sërish me KPK pas një denoncimi anonim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit riçeli hetimet për prokurorin Arenc Çela pas denoncimit anonim se nuk kishte hetuar një kallëzim për korrupsion ndaj një gjyqtari dhe një prokurori në një çështjen  e vrasjes së Marvin Mihalit.

Prokurori Arenc Çela duke dalë nga KPK. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten se kishte vendosur riçelje të hetimeve ndaj prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme Arenc Çela, pasi kishte marrë një denoncim anonim në lidhje me hetimin prej tij të një kallëzimi për korrupsion ndaj prokurorit Artan Lulo, gjyqtarëve Sokol Pasho dhe Bedri Qorri dhe një oficeri të policisë gjyqësore.

Sipas relatimit Çela kishte vendosur mosfillim të hetimeve.

Pamela Qirko, kryesuese e trupës që hetoi Çelën,  me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Xhensila Pine, tha se KPK nuk kishte gjetur në denoncim prova apo indicie për korrupsion apo probleme të kësaj natyre, megjithatë pas shqyrtimit të dosjes Çelës i ishte kaluar barrë prove për kohën kur ishte marrë vendimi i mosfillimit dhe për kryerjen e veprimeve të tjera procedurale.

Çela shpjegoi me detaje veprimet që kishte kryer. Ai tha se kishte ezauruar çdo mundësi të hetimit dhe kishte kryer një numër të konsiderueshëm veprimesh hetimore. Sipas tij vetë kallëzimi nuk kishte referuar as prova as burime të mundshme prove.  Çela tha se edhe pas takimeve të herëpashershme me kallëzuesin ai nuk kishte referuar ndonjë të dhënë që mund të hetohej.

“Nuk kishte të dhëna nëse ishte realizuar ndonjë takim mes këtyre persona, apo ku ishte realizuar ky takim, që të kontrollonim kamerat apo të merrnim dëshmitarë”, tha Çela, ndërsa shtoi se denoncimi ishte i bazuar më shumë perceptimin e denoncuesit, një prind që kishte humbur fëmijën e vetëm, se nuk ishte bërë drejtësi. “Si prind ai mund të kishte të drejtë”, tha Çela, por shtoi se hetimet nuk gjetën të  dhëna.

Më herët Çela u përball në një seancë dëgjimore me pyetje në lidhje me vendimmarrjen e tij në lidhje me dy çështje që kishte hetuar.

Njëra çështjet lidhet me një shtetasin nga Fushë Kruja, i akuzuar se kishte sulmuar me levë nënën e fëmijëve të tij, pasi ajo e kishte denoncuar për të disatën herë në polici se e dhunonte.

Çela i ka kërkuar gjykatës dënimin e Doçit për dhunë në familje. Ndryshe nga kërkesa e prokurorit, gjyqtarja e ka riklasifikuar veprën penale në tentative vrasje, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg. Çështja e dytë lidhej me shoqërimin me forcë të një shtetasi nga policia e Beratit.

Për rastin e Doçit, prokurori Çela u mbrojt duke përmendur ‘bindjen e brendshme’ dhe rrethanat e rastit, ndërsa u justifikua me mbingarkesën për disa mangësi në çështjen e dytë.

Në kriterin e pasurisë Çelës iu veçua si problem bilanci negativ i prindërve që i kishin dhënë dy hua në shumën 450 mijë lekë. Çela tha se e vlerësonte maksimalisht procesin, ndërsa pretendoi se sqarimet e tij mbi shpenzimet e familjes së prindërve i sqaronin bilancet negative.

Arens Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, Çela ka drejtuar prokurorinë e Beratit dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve. Në janar 2020, Çela u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si ndihmës-magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *