Prokurori Aurel Zarka in KPK | Foto; LSA
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik apelon në Kolegj konfirmimin e prokurorit të arrestuar

Komisioneri Publik i kërkoi të martën, 22 tetor, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rihetojë çështjen ndaj prokurorit Aurel Zarka, i akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe i arrestuar që prej fundit të korrikut të këtij viti. Bazuar në rekomandimin e ONM-së, Komisioneri Florian Ballhysa thotë në ankim se hetimi i KPK ka mangësi dhe kërkon rivlerësim në të tri kriteret.

Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 qershor, pas një seance dëgjimore të shkurtër në të cilën nuk u vunë në dukje probleme që mund ta cënonin atë. Por një muaj më vonë, më 30 korrik, Zarka u arrestua nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas SPAK, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje të cilat lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Interesi kryesor duket se lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Yaris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Pas zbardhjes së vendimit të konfirmimit nga KPK, ONM reagoi duke kërkuar ankim të çështjes referuar kryesisht gjetjeve të lidhura me akuzat e ngritura nga SPAK. Komisioneri Publik ka ndjekur të njëjtën logjikë.

“Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim ndërmjet tyre edhe subjekti i rivlerësimit, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarët e drejtësisë”, thuhet në pjesën e ankimit që kërkon rivlerësim të Zarkës sa i përket figurës.

Komisioneri Publik po ashtu kërkon rihetim të dy dosjeve të ndjekura nga Zarka që po ashtu janë të përfshira në hetimet e SPAK ndaj tij. “Komisioneri Publik vlerëson se, referuar rrethanave të reja të sa më lart përshkruar, për sa kohë që procesi i rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit nuk ka përfunduar, me qëllim përmbushjen me objektivitet të vlerësimit të aftësive profesionale, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin E, të aneksit të Kushtetutës, të listuara në kreun VI të ligjit nr. 84/2016, Kolegji duhet të çelë hetimin gjyqësor dhe të kërkojë administrimin e fashikujve të dy procedimeve penale të sipërcituara”, thuhet në ankim.

Komisioneri po ashtu kërkon rihetim edhe sa i përket kriterit të pasurisë. Së pari në lidhje me një hua 40 mijë dollarë dhe të ardhurat në blerjen e një apartamenti dhe dy garazheve në Tiranë.

Së dyti Komisioneri kërkon rihetim të veprimeve të subjektit sa i përket të ardhurave prej mbi 9 milion lekë në një fond investimi. Komisioneri thotë se një nga burimet e këtyre të ardhurave janë transaksionet në dukje fiktive në shit-blerjen e një apartamenti në vitin 2007. Në ankim thuhet se apartamenti ishte blerë për 3.4 milion lekë nga një person në vitin 2004 dhe i ishte shitur Zarkës në vitin 2007 për 2 milion lekë. Ky i fundit sipas hetimit administrativ e ka rishitur një vit më vonë apartamentin në shumën 4.3 milion lekë. Ky fitim dyfish nga çmimi i blerjes, ngre sipas Komisionerit Publik dyshime.

“Komisioneri Publik vëren se subjekti i rivlerësimit duket të jetë në kushtet e një veprimi juridik fiktiv/të simuluar dhe të ardhurat e përfituara nga këto transaksione afektojnë burimin e krijimit të pasurisë Fond Investimi në *** ***, me vlerë 9.118.267 lekë”, thuhet në ankim.

Komisioneri Publik shpehet se kërkon rihapje të hetimit administrativ dhe se pas rihetimit Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të vendosë mbi konfirmim ose jo të Zarkës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *