Gjyqtari i gjykatës administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli në seancën dëgjimore. Foto: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Analiza KPA Vendi

“Cënoi besimin e publikut te drejtësi”, KPA vulos largimin e gjyqtarit Ahmet Jangulli

Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjeti probleme shkarkuese në të tri kriteret për ish-gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli, duke e rrëzuar ankimin e tij.

Gjyqtari i gjykatës administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli në seancën dëgjimore. Foto: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të drejta, në më të shumtën e rasteve, konstatimet e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli, duke vulosur largimin e tij nga sistemi i drejtësisë.

Trupa gjykuese e KPA e përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama, Sokol Çomo e Ardian Hajdari anëtarë, ndajnë thuajse të njëjtin qëndrim me Komisionin për pasurinë dhe profesionalizimin, ndërsa i dhanë pjesërisht të drejtë ish-gjyqtarit Jangulli sa i përket pastërtisë së figurës.

Kolegji i ka rrëzuar si të pabazuara pretendimet e gjyqtarit Jangulli për moszbatim të procedurave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative nga ana e Komisionit gjatë kryerjes së hetimit administrativ. KPA nuk ka pranuar edhe kërkesën e subjektit për ta shqyrtuar çështjen në prani të tij, duke argumentuar se Jangulli nuk ka paraqitur akte në funksion të listës së provave të cituara në ankim.

Jangulli u shkarkua nga KPK për shkelje në të tri kriteret në tetor të vitit 2018, vendimi i Komisionit u konfirmua nga KPA në nëntor të vitit 2019. Vendimi i zbardhur i Kolegjit tregon se shumica e çështjeve të ankuara ishin rrëzuar dhe se ish-gjyqtari kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”

Mungesë burimesh të ligjshme

Kolegji fillimisht konsideroi të pabazuar pretendimin e Jangullit, se është hera e tretë që i është ushtruar kontrollit të pasurisë, duke kërkuar që të konsiderohet si diçka e gjykuar. KPA arsyetoi se procesi i rivlerësimit ishte i ndryshëm nga hetimet e bëra më herët nga ILDKPKI.

Ndërkohë KPA gjeti se gjyqtari Jangulli ka mungesë burimesh të ligjshme financiare për blerjen e automjetit tip “Mercedes Benz” në vitin 2005 dhe ndryshe nga KPK thekson se vlera e balancës negative është më e madhe.

Në vendimin e KPA thuhet se, Jangulli kundërshton analizën e Komisionit për vlerën e shpenzimeve të jetesës, që sipas tij duhet të ishin 713.614 lekë dhe jo 803.571 lekë, sa është përllogaritur.

Lidhur me këtë pretendim, Kolegji konstaton se subjekti ka pranuar se shpenzimet e tij janë më të larta se ato mesatare të jetesës për një familje me 5 persona në vitin 2005, që bazuar në të dhënat e INSTAT janë përllogaritur në vlerën 547.785 lekë.

“Duke qenë se vetë subjekti ka pranuar se shpenzimet e jetesës së familjes së tij në vitin 2005 kanë qenë në vlerën 713.614 lekë, pra mbi nivelin mesatar, trupi gjykues arrin në konkluzionin se Komisioni, në analizën financiare për vitin 2005, duhet të kishte konsideruar këtë vlerë shpenzimesh, të deklaruar nga vetë subjekti”, citohet në vendimin e KPA.

Kolegji vlerëson se gjatë hetimit ka rezultuar e provuar se shpenzimet në vlerën 568.203 lekë për blerjen e automjetit “Mercedes Benz”, vit prodhimi 1995, gjyqtari i ka kryer deri më datë 8 nëntor 2005. Sipas KPA, Komisioni duhej ta kishte kryer analizën financiare duke përllogaritur të ardhurat dhe shpenzimet e Jangullit për periudhën 1 janar 2005 deri më datë 8 nëntor 2005. “Trupi gjykues vlerëson se mungesa e burimeve të ligjshme financiare të subjektit për blerjen e automjetit, do të kishte një vlerë më të lartë sesa ajo e konkluduar nga Komisioni në vendim, nëse do të ishte përllogaritur deri më datën 8 nëntor 2005”, citohet në vendim.

Kolegji i jep të drejtë Komisionit që konstaton se dhënia e parave hua personave të tretë në vlerën totale 12 milionë lekë është kryer kryesisht në vitin 2014. Sipas Komisionit shumat 8 milionë dhe 2 milionë lekë janë marrë në vitin 2014, kurse një vlerë tjetër 2 milionë lekë, para disa vitesh.

Trupa gjykuese e KPA nuk është bindur nga shpjegimet e Jangullit i cili ka pretenduar se gjendjen në lekë cash të dhëna hua nuk e ka pasur të shpërndarë në vitin 2014, por ndër vite, duke pasur atë gjendje deri në fundvitin 2016. “Komisioni, për të vlerësuar mundësinë e subjektit për të krijuar me burime të ligjshme shumat e dhëna hua te miqtë e të afërmit e tij, analizën financiare e ka shtrirë në periudhën 2005-2012, në kundërshtim me sa pretendon subjekti…”, thuhet në vendimin e KPA e cila vlerëson më tej se, konstatimi i Komisionit në lidhje me periudhën e huadhënies, megjithëse i saktë, nuk ka dhënë asnjë rezultat në analizën financiare.

Trupi gjykues i KPA e konsideron të provuar se Jangulli ka kryer deklarime kontradiktore gjatë procesit të rivlerësimit në lidhje me fitimin e realizuar nga bashkëshortja e tij nga aktiviteti si notere publike me qëllim që të rriste fiktivisht të ardhurat. “Në verifikim dhe analizë të këtyre deklarimeve kontradiktore, trupi gjykues arrin në konkluzionin se subjekti ka kryer veprime fiktive në vite, për të rritur të ardhurat nga fitimi i aktivitetit të bashkëshortes dhe, për rrjedhojë, edhe për deklarimet e likuiditeteve cash në deklaratat periodike të pasurisë dhe në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, për të justifikuar vlerat e tyre”, citohet në vendim ku theksohet se në këtë rast Jangulli ka kryer veprime që cënojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Gjyqtari Jangulli pretendoi në ankim se Komisioni në analizën financiare për periudhën 2005-2012 nuk i ka përllogaritur drejt shpenzimet e jetesës për familjen e tij duke pasqyruar për vitet 2005, 2006 dhe 2007 shpenzime jetese në vlera më të vogla sesa ato të konsideruara nga KPK, ndërsa për vitet 2008-2012, vlera më të larta.

Pavarësisht se trupi gjykues i KPA vlerëson se Komisioni në analizën financiare për vitet 2005-2012 duhet të kishte konsideruar si vlera për shpenzimet e jetesës së familjes së subjektit, ato të deklaruara prej tij, rezultati për të njëjtën periudhë edhe pse në vlerë më të vogël  është në vlerë negative, në total në vlerën – 6.057.961 lekë.

Ashtu si edhe KPK, Kolegji arrin në përfundimin se Jangulli ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, për shkak të mosdeklarimit të detyrimit të bashkëshortes së tij në lidhje me kredinë e marrë prej saj. Mbi pretendimin e gjyqtarit Jangulli, se bashkëshortja e tij është trajtuar gabim si bashkëkredimarrëse pasi ka qenë dorëzanëse, Kolegji arsyetoi se subjekti duhet ta kishte deklaruar këtë kredi, sepse “de jure” personi i lidhur figuron debitore.

Pa lidhje me krimin e organizuar

Megjithatë KPA vlerësoi ndryshe nga KPK në lidhje me kriterin e kontrollit të figurës dhe me kontaktet e papërshtatshme. Kolegji konsideron se nuk është provuar që subjekti i rivlerësimit të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Sipas KPA Jangulli nuk është në kushtet e papërshtatshmërisë dhe për këtë arsye e gjen të drejtë pretendimin e tij se nuk ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës.

Por, Kolegji konsideron se Jangulli ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe se me veprimet procedurale që ka kryer gjatë shqyrtimit të një çështje gjyqësore ka favorizuar një të pandehur. “Veprimet procedurale të subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e gjyqtarit të vetëm të çështjes, në shkelje të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, duket se kanë favorizuar të pandehurin M.S. në mungesë, për të cilin në përfundim të gjykimit, gjykata me vendimin nr. {***}, datë 08.11.2004, ka shpallur pafajësinë”, thuhet në vendimin e KPA.

Vlerësimi profesional

KPA ashtu si edhe KPK arrin në përfundimin se Jangulli ka kryer shkelje të standardeve të etikës dhe të rregullave të sjelljes së magjistratit nëpërmjet komunikimit të papërshtatshëm me palët në proces. Komisioni ka analizuar një ankesë ndaj Jangullit lidhur me komunikimin e tij gjatë një seance gjyqësore, nga ku është konkluduar se ai identifikohet si një magjistrat me sjellje të papërshtatshme që dëmton figurën e tij.

Pretendimi i Jangullit se komunikimi i tij në këtë rast ka qenë krejt korrekt dhe se nuk mund të gjenden sjellje të papërshtatshme që dëmtojnë figurën e magjistratit, është rrëzuar nga KPA.

“…Subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e kryesuesit të seancës gjyqësore si gjyqtar i vetëm, i drejtohet paditësit me një komunikim të ashpër, tone të larta dhe shprehje jo të denja për sallën e gjyqit dhe për etikën e gjyqtarit. Edhe pas nxjerrjes së paditësit jashtë sallës së gjyqit, komunikimi i subjektit ka vazhduar të jetë joetik edhe me palën e paditur”, argumenton Kolegji.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit në vendim, se subjekti ka kryer shkelje të standardeve të etikës dhe rregullave të sjelljes së magjistratit nëpërmjet komunikimit të papërshtatshëm me palët në proces, duke cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, theksohet në vendimin e KPA.

Në këtë kriter Kolegji arsyetoi se “në bazë të të gjithave rrethanave dhe kushteve të analizuara për kriterin e profesionalizmit, parregullsitë e konstatuara janë të asaj natyre dhe asaj shkalle, që provojnë se subjekti i rivlerësimit ka treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët, nuk ka respektuar normalisht të drejtat e palëve, nuk është efektiv, në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës nuk mund ta zgjidhë këtë çështje për një vit”.

Duke gjetur të pabazuar ankimin Kolegji vendosi në fund se jangulli nuk mund të ishte më pjesë e sistemit të drejtësisë.  “Në përfundim të shqyrtimit të të gjitha shkaqeve të ankimit dhe bazuar në konkluzionet si më sipër, trupi gjykues çmon se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 67, datë 05.10.2018, është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi”, përfundon trupa gjykuese e KPA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *