Numri 2 i Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Jano në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Zv. Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano përballet me vetingun

Komisioni identifikoi disa pasaktësi në deklarime si dhe balancë negative në analizën financiare të vajzës së prokurorit Thoma Jano dhe bashkëshortit të saj. Jano tha se nuk kishte me veprimet financiare të së bijës pas martese dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Numri 2 i Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Jano në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Zv. Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano u përball të enjten me procesin e vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Janon drejtohej nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.

Relatori i çështjes, Olsi Komici tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për prokurorin Jano është përfunduar në të tri kriteret.

Ndryshe nga raporti pozitiv i ILDKPKI, Komisioni identifikoi mosdeklarim të burimeve në rastin e blerjes së një autoveture si dhe dy balanca të vogla negative lidhur me pasurinë familjare të prokurorit si dhe të familjes së vajzës së tij, të ndarë nga trungu familjar në vitin 2008.

Thoma Jano ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai ka punuar fillimisht si hetues dhe në fund të viteve ’90 ka drejtuar Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2002, Jano u emërua zv.ministër i Rendit Publik, detyrë të cilën e ushtroi për dy vjet. Prej vitit 2004, ai ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në dhjetor 2019 u zgjodh në postin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm nga kreu i këtij institucioni, Olsian Çela.

Verifikimi i pasurisë

Komisioni konstatoi mungesën e deklarimit të burimit për blerjen e një makine “Benz” në vlerën e 1800 eurove në vitin 2011. Për këtë makinë ishin shpenzuar edhe 400 mijë lekë detyrime doganore.

Komici u shpreh se ka pasaktësi në deklarim, pasi në vitin 2011, vlera e mjetit ishte pasqyruar në lekë, ndërsa në atë “veting” në euro dhe në monedhën lekë. “Subjekti ka shpjeguar se burime ishin të ardhurat e përfituara nga pagat, por nuk e ka deklaruar,” tha Komici, duke shtuar se nuk ishte gjetur mungesë burimesh financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Pasaktësi është konstatuar në deklarimin e blerjen së një autoveture tjetër tip Volksëagen në vitin 2007 në vlerën 490 mijë lekë. Sipas Komicit, vlera e blerjes e deklaruar është 250 mijë lekë, por nuk figurojnë të dhëna për pagesën e detyrimit doganor. Ai shtoi se Jano ka shpjeguar se nuk është pasqyruar vlera e ç’doganimit.

Komici tha se nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 është konstatuar se për vitin 2013 ka një balancë negative në vlerën  e 211 mijë lekëve.

Zv. Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano tha gjatë seancës dëgjimore se për gjetjet e Komisionit kishte dhënë shpjegime të detajuara me shkrim. “Dua të jap shpjegime për dy çështje kryesore,” tha Jano, duke dhënë versionin e tij për balancat negative të konstatuara në analizat financiare të KPK.

“Analiza financiare për vitin 2013 që sipas Komisionit rezultoi me mungesë burimesh financiare në vlerën 211 mijë lekë ka pasaktësi. Janë llogaritur shpenzime TIMS në vlerën 245 mijë lekë. Ndërkohë, kam deklaruar vetëm një udhëtim me bashkëshorten në Korfuz në vitin 2014 me shpenzime në vlerën 700 euro,” shpjegoi Jano. Ai shtoi se ishin konsideruar shpenzime jashtë shtetit në vitin 2008 edhe ato të një vizite zyrtare në Izrael.

“Faktor tjetër për rezultatin e vitit 2013 mendoj se është edhe llogaria e shpenzimeve sipas INSTAT. Në 2012 është vlerësuar kostoja e jetesës për tre vetë në vlerën 409 mijë lekë, ndërsa për vitin 2013 është shënuar 660 mijë lekë. Po i referohem një tabele të INSTAT për 2013-ën, ku kostoja e jetesës për tre vetë është 423 mijë lekë dhe jo 660 mijë lekë,” shtoi Jano.

Relatori Komici vijoi më tej se nuk janë evidentuar probleme në blerjen e një apartamenti 133 m2 në Tiranë në shtator 2000 në vlerën 5 milionë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie prokurori Jano ka deklaruar kredinë në vlerën 5 milionë lekë marrë me Vendim të Këshillit të Ministrave për strehimin e zyrtarëve nga Banka e Kursimeve me afat shlyerje 25 vjet.

Pa probleme është identifikuar edhe krijimi i një depozite 4 milionë lekë me burim shumën e përfituar nga shitja e një apartamenti në Ersekë të përfituar nga privatizimi, nga interesat ndër vite dhe nga të ardhura nga pagat.

Komici relatoi edhe verifikimin e llogarive rrjedhëse në emër të bashkëshotes, të gjendjes cash dhe të detyrimeve financiare, duke theksuar se nuk janë gjetur probleme dhe se familja Jano ka burime të ligjshme për justifikimin e tyre. Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e një fondi investimi në vlerën 5 milionë lekë nga djali i prokurorit Jano si edhe në llogaritë rrjedhëse në emër të tij.

Pasuria e vajzës

KPK ka hetuar edhe për pasurinë e vajzës së prokuorit Jano, e cila është martuar dhe shkëputur nga trungu familjar që prej vitit 2008. Hetimi është përqëndruar në blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2015 në vlerën 80 mijë euro. Si burim krijimi për këtë pasuri, janë deklaruar të ardhurat nga pagat e vajzës së Janos, bashkëshortit të saj dhe motrës së këtij të fundit, e cila bashkëjeton me ta. Si burim krijimi është deklaruar edhe një hua 3 milionë lekë e marrë nga bashkëshorti i vajzës së Janos në vitin 2016, nga punëdhënësi i tij.

Komici sqaroi se është verifikuar se huadhënësi ka pasur burime të mjaftueshme, por nuk është arritur të provohet me dokumentacion tërheqja e shumës 3 milionë lekë.

Komisioni evidenton pasaktësi në deklarimin e blerjes të një garazhi me sipërfaqe 37.2 m2 në vitin 2016 në vlerën 1.5 milionë lekë.

Për dy autovetura tip Volksëagen të blera nga familja e vajzës së prokurorit Jano, Komisioni nuk ka gjetur probleme. Ndërkohë, për një autoveturë tip Nisan Micra të blerë ne vlerën 3100 euro është konstatuar se nuk e ka deklaruar në vitin 2016 dhe në deklaratën veting. Për mosdeklarimin e autoveturës tip Nisan Micra, Jano shpjegoi gjatë fjalës së tij, se ky mjet i ishte dhuruar motrës së dhëndrit.

Komisioni ka verifikuar edhe një vlerë prej 18 mijë USD të kaluar për llogari të vajzës së Janos nga kompania ku punonte, vlerë të cilën e kishte kthyer më pas. Sipas Komicit, Jano ka shpjeguar se vajza kishte kryer studimet për farmaci në Stamboll të Turqisë deri në vitin 2005 dhe më pas ka shkuar me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, ku njëkohësisht kishte punuar si asistente pedagoge dhe se është paguar në vlerën 30 mijë USD. Komicioni konstaton se dokumentet e vajzës janë të noterizuara, por pa vulë apostile.

Në fund të seancës dëgjimore, Jano dorëzoi pranë Komisionit dokumentacionin origjinal të studimeve dhe punësimit të vajzës në SHBA.

Komisioni e ka shtrirë analizën financiare të familjes së vajzës së prokuorit Jano për periudhën pas martesës, nga viti 2008 e në vazhdim. “Për periudhën 2008-2015 kur janë kryer pagesat e dy kësteve të para për apartamentet, rezulton se familja e vajzës ka pasur një mungesë financiare – 717 mijë lekë”, sqaroi relatori Komici. Ai shtoi se në KPK kishte mbërritur një denoncim ku pretendohej për deklarim të rremë lidhur me huanë e marrë nga dhëndri në vitin 2016. Për këtë denoncim, Komici tha se konstatimet janë shpjeguar në analizën financiare.

Prokurori Jano tha para KPK-së se nuk kishte lidhje me veprimet financiare të vajzës dhe dhëndrit të tij. Ai shtoi se pavarësisht kësaj, ishte përpjekur t’i vërtetonte deklarimet lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet e tyre.

Jano shpjegoi se vajza punon si farmaciste, ndërsa bashkëshorti i saj është mjek.

“Ka qenë e vështirë për mua të kuptoj analizën e tyre financiare se janë të ndarë nga unë. Prej vitesh ata janë përpjekur për të shkuar të jetonin në Gjermani dhe kanë qëndruar në shtëpi me qira. Pas disa vitesh vendosën të blinin shtëpinë. Por, në analizën financiare të Komisionit nuk është llogaritur vlera 1.5 milionë lekë cash që bashkëshorti i vajzës kishte krijuar para martesës,” shpjegoi Jano. Ai shtoi se bashkëshorti i vajzës punonte me kohë të pjesëshme që prej vitit 2010 në një klinikë private dhe se këto të ardhura nuk ishin përllogaritur në analizën financiare.

Profesionalizmi

Komici tha se për profesionalizmin Jano është vlerësuar me aftësi të mira personale dhe organizative dhe me etikë në ushtrimin e detyrës. Ndërsa për pesë dosjet e shortuara edhe këto sekret, pasi Jano drejton zyrën e përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, Komisioni identifikon dy raste kur prokurori Jano ka refuzuar lejimin e përgjimit pa dhënë argumente.

Komici tha se ndaj Janos ishin depozituar dy denoncime, i pari që kishte të bënte me huanë e marrë prej dhëndrit dhe i dyti i përkiste një çështjeje të vitit 2000. “Kjo çështje është jashtë afatit 3 vjeçar të verifikimit e nuk mund të merret parasysh”, pohoi Komici. Nga verifikimi i pastërtisë së figurës nuk janë gjetur probleme.

Jano shpjegoi para Komisionit se pavarësisht se punonte prej më shumë se katër dekadave, pasuria e tij përbëhej nga një apartament, vlerën e të cilit nuk e ka shlyer ende.

“Jam subjekt rivlerësimi për shkak të detyrës. Kam 44 vjet punë, ndërkohë që më nevojiten edhe 5 vite të shlyej kredinë për apartamentin e blerë në vitin 2000. Të ardhurat dhe shpenzimet i kam deklaruar çdo vit. Kam bërë një jetë të thjeshtë dhe prej 16 vitesh drejtoj një strukturë në Prokurorinë e Përgjithshme. Kam qenë ndërmjetës mes prokurorisë së Përgjithshme dhe insitucioneve të inteligjencës. Për këto arsye kam kryer testin e poligrafit tre herë dhe kam dalë i përshtatshëm. Përfundimisht kërkoj konfirmin në detyrë,” tha Jano.

KPK do të shpallë vendimin më datë 17 shkurt, ora 09:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *