Trupa gjykuese në seancën e zhvilluar për këshilltaren ligjore, Elona Kana. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Elona Kana ndërpret me dorëheqje procesin e vetingut

KPK vendosi të hënën të ndërpresë procesin e vetingut dhe të ndalojë për 15 vjet mbajtjen e posteve në drejtësi nga ana e këshilltares ligjore Elona Kana, bashkëshorte e nënkryetarit të KQZ, Denar Biba.

Trupa gjykuese në seancën e zhvilluar për këshilltaren ligjore, Elona Kana. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën një seancë për ish-këshilltaren ligjore, Elona Kana, ndonëse kjo e fundit kishte dorëzuar një dorëheqje nga Shkolla e Magjistraturës si dhe mungoi në sallë.

Kryesuesja e trupës gjykuese, Suela Zhegu deklaroi se kërkesa e 2 tetorit 2019 e Elona Kanës për përjashtimin e relatores Xhensila Pine ishte rrëzuar nga një tjetër trupë gjykuese, ndërsa shtoi se Komisioni ishte njohur edhe me kërkesën e saj për dorëheqje.

“Komisioni e zhvilloi seancën për ta dëgjuar subjektin lidhur me kërkesën për dorëheqje,” tha Zhegu.

Elona Kana u përball fillimisht me vetingun në tetor si këshilltare në Gjykatën e Lartë. Por në seancën e parë dëgjimore, ajo kërkoi dorëheqjen e relatores Xhensila Pine me pretendimin se ajo ishte zgjedhur nga Partia Demokratike dhe mund ta cënonte në proces për shkak të qëndrimit të mbajtur në KQZ nga bashkëshorti i saj, Z.Denar Biba.

Pas seancës së parë dëgjimore, Kana ka paraqitur dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Shkollën e Magjistraturës. Të hënën, KPK vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për të, duke i hequr të drejtën për të mbajtur ndonjë pozicion në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Relatorja Pine pohoi se KPK kishte pyetur Shkollën e Magjistraturës dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ lidhur me dorëheqjen e subjektit. KLGJ ka informuar se për dorëheqjen e këshilltares ligjore ishte shprehur Shkolla e Magjistraturës, ndërsa kjo e fundit ka njoftuar se kandidatët për magjistratë që hiqnin dorë për shkak të vetingut, nuk ishin të detyruar të rikthenin pagesën e marrë për ndjekjen e kësaj shkolle.

“Komisioni vlerësoi se procedura administrative nuk mund të mbyllej pa u dëgjuar subjekti”, shpjegoi Pine. Pas një tërheqjeje të shkurtër, trupa gjykuese vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për Elona Kanën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *