Prokurori Gjon Kodra | Foto : Edmodn Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

Gjon Kodra jep shpjegime për burimet e pasurisë dhe një kontakt të papërshtatshëm

Prokurori i Tiranës, Gjon Kodra u pyet dhe dha shpjegime lidhur me kursimet e bashkëshortes para lidhjes së martesës; për hetimin e një çështje me kallëzues administratorin e shoqërisë ndërtuese ku kishte blerë apartamentin; si dhe për një bisedë telefonike me vëllain e një deputeti, të përfshirë në krimin e organizuar.   

Prokurori Gjon Kodra | Foto : Edmodn Hoxhaj

Prokurori i Tiranës Gjon Kodra u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për gjetjet e hetimit administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit.

Në seancë u relatua më së shumti për mosdeklarimin e kursimeve cash të deklaruara si të kursyera nga bashkëshortja, shtetase italiane, përpara lidhjes së martesës, për një situatë konflikti interesi dhe për një komunikim telefonik me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

Trupa gjykuese e KPK-së që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Kodra kryesohet nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Kodra e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe prej rreth dy dekadash ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në seancën dëgjimore ai u ndihmua në mbrojtjen e tij dhe nga avokati Plator Bilibashi.

Mungesat financiare

Mospasqyrimi në deklaratat periodike për periudhën 2003-2005 të kursimeve të bashkëshortes në vlerën 35 mijë euro, të pretenduara se janë krijuar përpara lidhjes së martesës u disktuan gjatë në seancën dëgjimore të premten.

Relatori Komici sqaroi se prokurori Gjon Kodra e ka deklaruar këtë shumë në vitin 2006 si një prej burimeve të krijimit për një apartament me sipërfaqe 126 m2 në Tiranë, për vlerën rreth 50 mijë euro.

Kodra ka deklaruar se bashkëshortja, shtetase italiane, e ka kursyer këtë shumë nga të ardhurat e siguruara për periudhën 1980-1999 nga puna në Itali dhe përpara se të lidhnin martesë. Megjithëse ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të kursyer këtë vlerë nga të ardhurat e deklaruara, për periudhën e mëpasshme, deri në vitin 2005 ka rezultuar pamundësi në shumën rreth 4000 mijë euro për mbulimin e gjithë shpenzimeve.

Komici sqaroi, se nisur nga fakti se këto kursime nuk janë deklaruar deri në 2005-ën, nuk janë konsideruar në analizën financiare paraprake që për rrjedhojë ka rezultuar me bilanc negativ.

Prokurori Kodra vërejti se legjislacioni dhe formatet e deklarimit të pasurive kishin ndryshuar shtatë herë gjatë periudhës 2003-2017. Sipas Subjektit, në periudhën 2003-2005 ka pasur paqartësi në mënyrë e deklarimit.

Për pasqyrimin e kursimeve të bashkëshortes në vitin 2006, ai pretendoi se atë vit e lejonte formati. “Mundësia e bashkëshortes për të kursyer vlerën e deklaruar konfirmohet dhe nga vetë KPK”, pohoi Kodra dhe kërkoi që ato të përfshihen në analizën financiare.

Nga hetimi administrativ është evidentuar mospërputhje e deklarimeve të subjektit për kohën e shlyerjes së vlerës së apartamentit, pasi ai ka deklaruar se pagesat janë kryer në vitet 2006, 2007 dhe 2008, kurse në kontratën e sipërmarrjes është shënuar se është paguar e gjithë vlera. Sipas Komicit, nga krahasimi i kryer me çmimet e referencës së Entit Kombëtar të Banesave, ka rezultuar se Kodra e ka blerë apartamentin më lirë nga vlera reale e tij.

Kodra e kundërshtoi këtë gjetje. Ai solli në vëmendje një vendim qeverie të vitit 2006 për miratimin e kostove minimale të ndërtimit dhe këmbënguli që përllogarijet të kryheshin sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Gjithashtu, ai pohoi se kishte dorëzuar disa kontata të të njëjtit objekt ku shitjet ishin kryer me të njëjtin çmim.

Komisioni vëren se prokurori Kodra është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në hetimin e një kallëzimi penal të kryer nga administratori i shoqërisë ndërtuese A.P., të kryer ndaj disa punonjësve të OSHE. Megjithatë, Komici sqaroi se subjekti ka vendosur të pushojë hetimin lidhur me kallëzimin e kryer nga ndërtuesi i shoqërisë.

Prokurori Kodra pretendoi se nuk ishte gjendur në kushtet e konliktit të interesit. Ai sqaroi se i kishte komunikuar eprorit faktin se ishte në marrdhënie me këtë person për blerjen e apartamentit, por kërkesa e tij nuk ishte pranuar. Sipas Kodrës, drejtuesi i prokurorisë i kishte kërkuar të vazhdonte hetimet dhe nëse do rezultonte se punonjësit e OSHE kishin konsumuar vepër penale atëherë do të zëvendësohej me një tjetër prokuror.

Si pohoi se nga hetimi kishte rezultuar se nuk kishte konsumim të veprës penale dhe çështja ishte pushuar dhe lënë në fuqi nga gjykata, megjithëse ishte ankimuar prej kallëzuesit. Prokurori Kodra këmbënguli se në zgjidhjen e çështjes nuk ka konflikt interesi, pasi ai e ka pushuar kallëzimin e ngritur nga administratori pallatit ku kishte blerë apartamentin.

Në seancë u evidentua pamundësi për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2004 për çmimin 250 mijë lekë, që ka rezultuar se është shitur në vlerë dy herë më të madhe pas tre vitesh përdorim. Kodra ka deklaruar si burim të krijimi për Benz-in dhe të adhurat e përfituara nga shitja e një automjeti tip Ford, por ka rezultuar se shitja e këtij të fundit është kryer dy muaj më vonë dhe nuk janë përfshirë në analizën financiare.

Ndërkohë, është konstatuar se mjetin Ford subjekti e ka përfituar nëpërmjet dhurimit, megjithëse ai ka deklaruar se e ka blerë, qëndrim të cilin e mbajti dhe gjatë seancës dëgjimore. Kodra pretendoi se noterja u kishte sygjeruar ta shënonin si dhurim pasi mjeti e kishte të vështirë regjistrimin. Ai shtoi se nuk kishte pasur arsye për të mos e deklaruar si dhurim në vitin 2003 nëse do të ishte i tillë.

Sipas Komisionit, Kodra nuk ka arritur të provojë burimet e ligjshme të një huaje në shumën 10 mijë euro të marrë në vitin 2009 nga shtetasit Gj.R.. Komici shpjegoi se, megjithëse Gj.R. rezultonte me likujditete të mjaftueshme, nuk është dokumentuar burimi i ligjshëm për kursimin e vlerës së dhënë hua.

Avokati Bilibashi deklaroi se ishte provuar se huadhënësi Gj.R. kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e shumës 10 mijë euro. Ai solli në vëmendje faktin se sipas ekstraktit historik të shoqërisë së zotëruar nga huadhënësi, ai kishte investuar në vitin 2003 kapitalin 10 milionë e 120 mijë lekë dhe se kishte pasur të ardhura të konsiderueshme dhe në vitet në vijim.

Komisioni evidentoi dhe mosdeklarimin e një banese dy kate në Lecce të Italisë për periudhën 2005-2007, ku bashkëshortja e subjektit rezulton bashkëpronare me ½ të përfituar me trashëgimi nga prindërit e ndjerë.

Subjekti dhe avokati i tij deklaruan se gjithë pasuria e bashkëshortes ishte e regjistruar, kontrolluar dhe raportuar pranë institucioneve përkatëse në shtetin Italian. Ata sollën në vëmendje faktin se Italia është pjesë e Bashkimit Evropian dhe pretenduan se të ardhurat e bashkëshortes ishin të mirëkontrolluara. “Mosdeklarimi ka ardhur si pasojë e moskuptimit dhe për shkak të mostrajtimit të kësaj situate nga ILDKPKI”, pohoi avokati Bilibashi.

Megjithëse në seancë nuk u konstatua një vlerë konkrete e balancës negative totale, Komici sqaroi se subjekti rezulton se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve në disa vite.

Informacionet për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar dy raporte për përshtatshmërinë e prokurorit Gjon Kodra për të vazhduar detyrën. Por, në raportin e dytë ka referuar kontaktin e subjektit të rivlerësimit me një person të përfshirë në trafikimin e narkotikëve.

Gjithashtu, në informacionin e DSIK janë ngritur dyshime se prokurori Kodra mund të jetë përfshirë edhe vetë në trafik. Komici sqaroi se DSIK ka informuar gjithashtu, se për shkak të kohës së hershme ka qenë e pamundur që të siguroheshin të dhëna dhe e ka lënë në dorë të Komisionit të vlerësojë për këto informacione. DSIK ka rekomanduar që të konsiderohet si rrethantë lehtësuese fakti se kontakti ka ndodhur në kohë të hershme.

Shtetasi P.A. është hetuar për trafik narkotikësh nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda por çështja është pushuar. Gjatë hetimeve të kryera ndaj tij, është regjistruar dhe një bisedë telefonike që ka kryer me prokurorin Kodra. Ky i fundit ka deklauar për Komisionin se shtetasin P.A. e njeh si vëllanë e një deputeti të kuvendit në atë kohë dhe ka pretenduar se nuk ka pasur ndonjëherë lidhje apo shoqëri me këtë person.

Në seanca u tha se Operacioni Ndërkombëtar i Monitormit, ONM ka depozituar informacione dhe dokumente që vërtetojnë se P.A. ka qenë i dënuar në Itali për përshirje në krim të organizuar dhe trafikim të lëndëve narkotike. Komici deklaroi se subjektit i është kaluar barrë prove lidhur me kontaktin e papërshtatshëm dhe për mosdeklarimin e kësaj rrethane.

Subjekti dhe avokati i tij theksuan se njohja me P.A., i cili rezulton të ketë ndërruar jetë prej vitit 2011, ka qenë rastësore, pasi ka qenë vëlla i një deputeti të Kuvendit. “Subjekti është telefonuar prej tij, nuk ka qenë subjekti ai i cili ka krijuar kontaktin. Biseda ka qenë e shkurtër dhe nuk ka pasur të tjera në vijim që tregon se nuk kanë pasur komunikim”, theksoi avokati Bilibashi.

“Na ka vrarë pjesa ku thuhet se mund të ketë qenë dhe prokurori i përfshirë. Kjo është e rëndë për çdo shtetas dhe jo më për një prokuror”, pohoi Bilibashi dhe vërejti se nëse do kishte pasur informacion serioz në këtë bisedë do të duhej të ishte njoftuar Prokurori i përgjithshëm. “Kjo e dhënë është konsideruar e parëndësishme dhe ka mbetur në arkivë”, argumentoi Bilibashi.

Ai këmbënguli se Kodra nuk ka pasur dijeni se P.A. ka qenë në procedim dhe se ka qenë në pamundësi totale ta dinte këtë fakt. Megjithëse u pyet lidhur me bisedën, Kodra deklaroi se nuk i kujtohej se çfarë ishte diskutuar pasi kishte kaluar kohë e gjatë. Ai tha se kur merrte telefonata nga persona që nuk i priste, përpiqej që ti largonte “me lezet” ata me të cilët nuk donin të kishin komunikim të mëtejshëm. Ndërsa kryesuesja Sanxhaktari evidentoi se biseda dukej miqësore prandaj ishin duke e pyetur.

I pyetur nga Komici dhe vëzguesi ndërkombëtar Gerit Sprenger lidhur me komunikimin me P.A, Kodra deklaroi se nuk kishte pasur kurr marrdhënie ose shoqëri me këtë person dhe as me vëllain e tij deputet. “Po të kisha premtuar diçka do të kishte marrë sërish ai”, pohoi Kodra sipas të cilit numrat nuk i kishte ndërruar asnjëherë dhe se ishte mjaft e lehtë të gjendeshin pasi oborri i Prokurorisë së Tiranës rri gjithmonë i mbushur me njerëz.

Lidhur me profesionalizmin, u relatua problem vetëm një çështje të hetuar nga prokurori Kodra në vitin 2016, për veprën penale “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, nga ka rezultuar se subjekti nuk ka marrë mendim të ekpspertit për kryerjen e aktit toksikologjik të të proceduarit.

Prokurori Kodra shpjegoi se në rastet kur kishte procedime ndaj personave me sasi më të vogël se 4 gramë cannabis sattiva, Prokuroria e Tiranës e ka si praktikë që nuk e kryen aktin toksikologjik.

Në fund të seancës prokurori Gjon Kodra kërkoi konfirmimin në detyrë. Ai deklaroi se besonte se e meritonte konfirmimin. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 21 dhjetor, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *