Prokurori Endrit Bimi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
Analiza KPK Vendi

KPK u nda në rivlerësimin e prokurorit Endrit Bimi

Shumica nuk i ka kaluar barrën e provës prokurorit të Tiranës Endrit Bimi për pasuritë e krijuara nga vjehrri dentist, nga prindërit dhe vëllai nga puna në Kanada e SHBA, pasi ka konkluduar se kanë pasur të ardhura të mjaftueshme – ndërsa komisioneri Lulzim Hamitaj konstaton mungesë burimesh të ligjshme të personave të lidhur dhe ngre dyshime për fshehje të pronave në cënim të besimit të publikut tek drejtësia.  

Prokurori Endrit Bimi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Prokurori i Tiranës, Endrit Bimi u konfirmua në detyrë me shumicë votash më 3 nëntor pas rivleresimit të tij në të tri kriteret e rivlerësimit. Kryesuesja Alma Faskaj dhe relatorja Genta Tafa Bungo në shumicë vlerësuan se prokurori Bimi nuk zotëron pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërishta, si dhe i ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht ato. Gjithashtu, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe sipas shumicës nuk u gjetën probleme penalizuese në aspektin profesional.

Anëtari në pakicë, Lulzim Hamitaj vlerëson ndryshe duke konkluduar se subjekti nuk provoi dot burimin e ligjshëm të pasurive të krijuara nga prindërit e bashkëjetueses si dhe ngriti dyshime për fshehje të dy pasurive në emër të vjehrrit dhe nënës së tij. Në vlerësimin tërësor të çështjes Hamitaj çmon se Bimi ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia dhe duhet shkarkuar nga detyra.

Bimi e ka filluar karrierën si jurist në administratën publike dhe organizata jo-fitimprurëse. Ai ndoqi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitet 2004-2007 dhe u emërua më pas prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Prej vitit 2012, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës.

Kundërshtitë për burimet

Rezultatet e ndryshme në analizën financiare kanë ardhur pasi shumica vlerëson se Bimi ka qenë bindës në vërtetimin e të ardhurave të familjarëve të tij dhe të bashkejetueses, ndërsa Hamitaj në pakicë konsideron se nuk është provuar burimi i ligjshëm bazuar në dokumentacion provues.

Bashkëjetuesja e prokurorit Bimi ka pasqyruar në deklaratën “veting” likujditete bankare në shuma të konsiderueshme, si dhe gjendje cash në banesë. Si burim për krijimin e këtyre likujditeteve ka deklaruar kursimet e familjes së saj të origjinës në vite.

Sipas deklarimeve të subjektit, babai i bashkëjetueses ka zotëruar një klinikë dentare prej vitit 1994 ku vazhdon të ushtrojë profesionin së bashku me të bijën. Prej vitit 2010, klinika dentare është regjistruar në emër të bashkëjetueses së prokurorit Bimi.

Veç likujditeteve, KPK ka analizuar dhe mundësinë e dhurimit të një shume 5500 euro bashkëjetueses nga prindërit e saj në vitin 2013 që ka shërbyer për blerjen e një automjeti tip Benz.

Komisioni ka analizuar dhe vlerësuar pasurinë e babait të bashkëjetueses vetëm në kufijtë e pasurisë së dhuruar, duke analizuar të ardhurat e tij që kanë shërbyer si burim për krijimin e depozitave dhe për blerjen e Benz-it. Në vendimin e arsyetuar thuhet se hetimi është fokusuar në pasuritë që janë krijuar pas fillimit të detyrës nga prokurori Bimi.

Shumica i ka kryer përllogaritjet bazuar në marzhet e fitimit të përcaktuara prej Urdhërit të Stomatologut duke analizuar mundësinë e kursimeve kumulative ndër vite prej të ardhurave nga klinika dentare dhe prej qiradhënies së pasurive të paluajtshme, nga ka rezultuar bilanc pozitiv.

Nisur nga fakti se depozitat janë disponuar dhe në momentin e deklaratës “veting”, Hamitaj vlerëson se subjekti ka detyrimin e justifikimit ligkor të tyre. Ndryshe nga shumica ai vlerëson se nuk u vërtetua me dokumentacion ligjor që familja e bashkëjetueses së subjektit të kishte burime të ligjshme për të kursyer shumat e deklaruara deri në vitin 2012 që kanë shqrbyer si burim krijimi për likujditetet dhe konstaton balancë negative në shumën 17.5 milionë lekë.

Pasi këto pamjaftueshmëri rezultojnë para nisjes së bashkëjetesës mes subjektit dhe L.K., duke ju referuar dhe jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Hamitaj vlerëson se nuk mund të jetë shkak më vete shkarkimi. Por, sipas tij këto gjetje mjaftojnë për të arritur në konkluzionin se subjekti nuk ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë.

Po ashtu Hamitaj konkludon pamundësi financiare dhe për blerjen e Benz-it.

“Dyshimet e pakicës për fshehje pasurie”

Konkluzione të ndryshme janë arritur dhe për një apartament të blerë në Tiranë nga babai i bashkëjetueses së subjektit në qershor të vitit 2017 për çmimin 130 mijë euro. Megjithëse kjo pasuri është krijuar pas deklaratës veting, Komisioni ka vlerësuar ta hetojë pasi subjekti i ka dhënë hua vjehrrit gjithë kursimet e tij, si dhe ato të bashkëjetueses.

Sipas Faskajt dhe Bungos, subjekti dhe bashkëjetuesja kanë pasur mundësi për dhënien e huave. Shumica konsideron se dhënia e huave babait të bashkëjetueses nuk e bëjnë Bimin person të lidhur apo tjetër të lidhur në lidhje me apartamentin, pasi nuk është provuar që të ketë një interes pasuror ndërmjet tyre.

Duke ju referuar edhe jurispudencës së KPA, shumica argumenton se subjektet e rivlerësimit mbajnë përgjegjësi për saktësinë, vërtetësinë dhe mjaftueshmërinë e deklarimeve dhe gjendjes së pasurisë deri në dorëzimin e deklaratës “veting”.

Megjithëse Hamitaj bie dakord për ligjshmërinë e shumës 39 mijë euro që subjekti i ka dhënë hua vjehrrit, ai vlerëson se shuma e transferuar nga bashkëjetuesja e subjektit në vlerën 45 mijë euro nuk mund të konsiderohet si e krijuar me burime të ligjshme pasi rrjedh nga të ardhurat e periudhës 1994-2013, që sipas tij rezultojnë të paprovuara.

Hamitaj ngre dyshime se ky apartament mund të jetë një pasuri e fshehur e prokurorit Bimi. Ai i bazon dyshimet në faktet se subjekti e ka dhënë huanë pa interes dhe pa afat; se ai ka të drejta reale vetëm për 1/9 e një apartamenti të legalizuar nga prindërit; se familja e bashkëjetueses zotëron dhe pasuri të tjera të paluajtshme dhe mund të shiste një prej tyre për të blerë apartamentin e ri; si dhe tek pamjaftueshmëria financiare e konkuduar prej tij.

Dyshime të ngjashme Hamitaj ngre dhe për një apartament banimi të blerë në Tiranë në emër të nënës së prokurorit Bimi në vitin 2019 kundrejt çmimit 95 mijë euro.

Subjekti ka deklaruar se ky apartament është blerë prej nënës nga një shumë e trashëguar prej bashkëshortit të saj dhe të ardhurat e vëllait i cili ka jetuar dhe punuar prej vitesh në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se deklarimet e Bimit janë përputhur me lëvizjet bankare të kryera për blerjen e kësaj pasurie.

Gjithashtu, nga dokumentacioni i dorëzuar nga subjekti prej Agjencisë së të Ardhurave në Kanada dhe sigurimeve shoqërore në SHBA, është konkluduar se vëllai i tij ka pasur të ardhura në shumën 10 milionë lekë për periudhën 2001-2007 dhe 429 mijë USD për vitet 2007-2020 që janë konsideruar prej shumicës të mjaftueshme për justifikimin e shumave të dërguara të deklaruara nga subjekti. Për rrjedhojë, shumica ka vlerësuar të mos i kalojë subjektit barrë prove për këtë apartament.

Hamitaj konsideron se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë me dokumentacion transferimin nga vëllai të gjithë vlerave të deklaruara si burim për blerjen e këtij apartamenti dhe çmon të mos i përfshijë në analizën financiare depozitat e prindërve që pretendohet se janë krijuar nga të ardhurat e vëllait.  Sipas Hamitajt, duket alogjike që dikush të dërgojë të ardhura për periudhën 2004-2012 për blerjen e një apartamenti në vitin 2019.

Ndërkohë, Hamitaj vëren se subjekti i ka dhënë nënës së tij pjesën takuese të përfituar nga trashëgimia ligjore e babait të ndjerë, për një vlerë likujditetesh në shumën 4.1 milionë lekë. Shuma 1.4 milionë lekë që përfaqëson pjesën takuese të subjektit, konsiderohet prej Hamitajt si investim i prokurorit Bimi në këtë pasuri. “[…]Kjo vlerë monetare de facto është një kontribut (i heshtur) i subjektit, për sa kohë prej tij as nuk është nënshkruar ndonjë akt mospranimi i trashëgimisë dhe as nuk është deklaruar shuma në fjalë si dhurim apo huadhënie në favor të nënës”, vlerëson Hamitaj.

Ai sjell në vëmendje se subjekti ka tërhequr pjesën takuese dhe ia kaluar sërish nënës. Sipas Hamitajt qëndrimi mohues i subjektit i cili ka pretenduar se të gjitha likujditet ishin të prindërve, ngre dyshime se këtë e ka bërë me qëllim evitimin e kontrollit të ligjshmërisë së tyre. Pakica kërkon që qëndrimi mohues të vlerësohet në tërësinë e procesit në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Nisur nga këto konkluzione, Hamitaj ka analizuar likuditetet në vlerën 4.1 milionë lekë të lëna trashëgimi nga babai i ndjerë i subjektit, i cili i kishte përfituar me anë të veprimeve përmbarimore, në këmbim të një huadhënie të vjetër.

Nga hetimi ka rezultuar se në vitet 1999 dhe 2000, shtetasi italian R. S., në cilësinë e administratorit të shoqërisë “C. A. S.” sh.p.k., i ka dhënë babait të subjektit një prokurë të përgjithshme dhe të posaçme që të zbatonte detyrat dhe të ushtronte të drejtat që burojnë nga statuti i shoqërisë në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ndërkohë, sipas një shkrese të thjeshtë me shkrim dore të vitit 2000, R. S. kishte njohur marrjen e një huaje nga babai i prokurorit Bimi në periudhën gusht 1993 – nëntor 1994, në shumën 45 mijë USD.

Bazuar në këto prokura, në vitin 2013 babai i subjektit ka lidhur një kontratë shërbimi me shoqërinë përmbarimore “A.” sh.p.k., me qëllim ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë që i njihte huamarrësit R. S. të drejta kreditore në vlerën 4.1 milionë lekë nga persona të tretë. Gjithashtu babai i subjektit ka paraqitur padi civile ndaj R. S. lidhur me detyrimin monetar 45 mijë USD dhe në vitin 2015 i është njohur kredia e pretenduar.

Sipas Hamitajt, huamarrësi ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të veprimeve përmbarimore për kredinë e tij dhe ky fakt sipas pakicës ngre dyshime mbi ligjshmërinë e veprimeve të mëtejshme të fazës së ekzekutimit përmbarimor.

Bazuar në faktin se në vitin 1992 në Shqipëri ka pasur inflancion të lartë, Hamitaj ngre dyshime për mundësinë e krijimit të vlerës 45 mijë euro nga babai i prokurorit Bimi dhe kërkon që kjo shumë të mos konsiderohet në analizën për blerjen e apartamentit duke konkluduar balancë negative.

Sipas Hamitajt, këto balanca negative të konstatuara prej tij në pakicë për prindërit e subjektit pas fillimit të detyrës së tij, janë të mjaftueshme për shkarkimin. Gjithashtu, ai kërkon që këto rrethana të vlerësohen dhe në kuadër të cënimit të besimit të publikut.

Faskaj dhe Bungo në shumicë vlerësojnë se kreditimi i shumës 4.1 milionë lekë në llogarinë bankare të babait të subjektit është i bazuar në marrëdhënien kontraktuale të krijuar mes tij dhe huamarrësiht R.S..

Po ashtu, shumica ka rrëzuar si të pabazuar dhe konkluzionin e pakicës se subjekti ka qenë në konflikt interesi në shqyrtimin e një procedimi penal për shpërdorim detyre ndaj përmbaruesit gjyqësor B.N., duke argumentuar se ai e ka hetuat këtë çështje në periudhë të mëvonshme nga ajo e ekzekutimit të vendimit prej nga i ati përfitoi shumën 4.1 milionë lekë.

Hamitaj çmon se në vlerësimin tërësor duhet të konstatohet se prokurori Endrit Bimi ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia, ndërsa shumica e ka vlerësuar pozitivisht në të tre kriteret dhe e ka konfirmuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *