Gjyqtari i Beratit, Durim Hasa pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Durim Hasa përballet me akuza për pasurinë dhe cenim të etikës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mospërputhje dhe deklarime të pasakta në pasurinë e gjyqtarit të Gjykatës së Beratit, Durim Hasa si dhe mungesë burimesh për krijimin e tyre. Hasa u mbrojt duke e quajtur veten një gjyqtar shumë të mirë dhe pretendoi se nuk e ka nxjerrë drejtësinë në shitje.

Gjyqtari i Beratit, Durim Hasa pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Gjykatës së Beratit, Durim Hasa u përball të hënën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesë burimesh financiare për krijimin e pasurive ndër vite. Komisioni e ka përfunduar hetimin vetëm për kriterin e pasurisë.

Gjyqtari Durim Hasa u mbrojt përpara KPK-së me argumentin se mendonte si ishte një gjyqtar shumë i mirë dhe pretendoi se nuk e kishte nxjerrë ndonjëherë drejtësinë në shitje.

Trupi gjykues që po kryen pocesin e rivlerësimit për gjyqtarin Hasa kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Durim Hasa e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Skraparit. Prej vitit 2008, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.

Sipas KPK-së, gjyqtari Hasa nuk e ka pasqyruar saktë burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 96.6 m2 në Linzë të Tiranës, i blerë në vitin 2007 kundrejt shumës 19 109 euro. Ai ka deklaruar gjithashtu se ka shpenzuar 700 mijë lekë për mobilimin.

Si burim të kësaj pasurie, Hasa ka deklaruar kursimet familjare, por relatorja Çiftja tha se në vitin 2006, subjekti kishte shënuar si burim edhe një hua prej 400 mijë lekësh marrë nga vëllai dhe 1 milion lekë të dhuruara nga babai.

Sipas KPK, ai nuk ka vërtetuar me dokumentacion ligjor të ardhurat e vëllait dhe babait nga bujqësia.

Për kursimet e deklaruara nga Hasa për periudhën 1993-2003 në shumën totale 500 mijë lekë, KPK konstaton balancë negative në vlerën 825 mijë lekë. Balancë negative në shumën 39 mijë lekë është konstatuar edhe për kursimet në vitin 2005.

Në përfundim, Komisioni nuk ka përfshirë në analizë kursimet e deklaruara për vitet kur është konkluduar balancë negative si dhe huaja e marrë nga vëllai dhe dhurata nga i ati, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare për pagesën e vlerës 34 mijë euro në vitin 2006 për porositjen e apartamentit dhe blerjen e orendive.

Gjyqtari Hasa deklaroi në seancë se kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin se vëllai kishte qenë i siguruar si bujk dhe se kjo vërtetonte se kishte ushtruar këtë aktivitet prej nga kishte përfituar të ardhura të konsiderueshme. Edhe për të atin ai pretendoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për dhurimin e vlerës 1 milion lekë dhe solli në vëmendje vlerat në depozitat bankare të babait.

“Bujqësia edhe në Myzeqe nuk është formalizuar, e jo më në një fshat të Skraparit,” u mbrojt subjekti në seancë.

Pamundësi financiare është gjetur edhe për blerjen e një njësie shërbimi me sipërfaqe 32.9 m2, në të njëjtin pallat ku gjendet apartamenti, si burim krijjimi së të cilës ka deklaruar të ardhurat familjare dhe një kredi. Çiftja evidentoi se Hasa ka deklaruar se e ka blerë këtë pasuri në shumën shumën 30 mijë euro, ndërkohë që në kontratë është pasqyruar çmimi 2.1 milionë lekë duke e konsideruar si mospërputhje.

Relatorja Etleda Çiftja nënvizoi se për shpenzimin 2.1 milionë lekë të pasqyruar në kontratë janë përllogaritur si burim në analizën financiare kursimet, ndërsa për pjesën e mbetur të vlerës së njësisë së shërbimit është konsideruar kredia. Nga analiza financiare janë konkluduar pamundësi financiare për pagesat e kryera në vitin 2009, përkatësisht në shumat 441 mijë lekë dhe 211 lekë.

Hasa deklaroi në seancë se çmimi i shënuar në kontratë nuk ishte real, pasi ishte dakordësuar me shitësin me qëllim përfitimin e kredisë që do të shërbente për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie.

“Hartuam një kontratë, që për nga shuma ishte fiktive, por që ishte e ligjshme për atë që do realizonim. Banka nuk e pranoi, pasi kolaterali duhej të ishte 130% dhe u detyrova e vendosa shtëpinë,” tha gjyqtari.

Mospërputhje në deklarim KPK ka gjetur edhe për një garazh me sipërfaqe 24.8 m2 të ndodhur po në Linzë të Tiranës, të blerë për çmimin 5555 euro. Çiftja tha se Hasa nuk ka deklaruar se e ka blerë garazhin në bashkëpronësi me shtetasin R.C., me pjesë takuese 50% secili.

Komisioni konstaton pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 55 m2 në qytetin e Beratit në vitin 2015 për çmimin 2.4 milionë lekë. Si burim krijimi për këtë pasuri, Hasa ka deklaruar një kredi dhe të ardhurat familjare.

Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.1 milion lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Gjithashtu, Hasa është gjetur në pamundësi në shumën 993 mijë edhe për blerjen e një autoveture tip Renault në vitin 2011 për çmimin 2700 euro.

Komisioni konstaton mosdeklarimin e dhënies së kësaj huaje në vitin 2004 si dhe kthimin e saj. Ndërkohë, është konstatuar pamundësi financiare për dhënien e kësaj vlere, pasi në vitet 2004 dhe 2005 likujditetet janë deklaruar në formën e cash-it.

I pyetur nga relatorja Çiftja nëse kishte shqyrtuar ndonjë çështje me personin që i kishte dhënë hua me interes, Hasa deklaroi se kishte shqyrtuar një masë sigurimi. Çiftja evidentoi se masa e lehtë e vendosur prej tij ishte ndryshuar nga Apeli dhe se vendimi i ndryshuar ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Hasa tha se kishte dhënë vendim të drejtë dhe se nuk kishte kërkuar dorëheqjen nga gjykimi, pasi marrëdhënia kishte ndodhur shumë vite më parë dhe nuk e mbante mend.

Apartamentet në Çorovodë

Relatorja Çiftja tha se janë konstatuar rrethana kontradiktore të subjektit për dy apartamente në Çorovodë.  Ajo shtoi se subjekti ka deklaruar se në periudhën ‘96-‘98 ka jetuar në një apartament me sipërfaqe 78 m2 në Çorovodë, që është blerë ‘de jure’ në vitin 1999.

Ky apartament është shitur në vlerën e 2.2 milionë lekë.

Ndërkohë, në vitin 1996, subjekti ka blerë një apartament 1+1, por nuk e ka pasqyruar këtë pasuri në deklaratën fillestare të vitit 2003, si dhe ka shënuar adresë tjetër banimi.

Sipas relatores, subjekti ka shpjeguar për Komisionin se apartemnti 1+1 është blerë në vitin 1998 kundrejt shumës 800 mijë lekë, por pa dokumente. Ajo shtoi se rezulton që ky apartament të jetë shkëmbyer me një tjetër dhe apartamenti i përfituar nga këmbimi është shitur 1.8 milionë lekë në vitin 2011.

Komisioni konstaton se subjekti nuk e ka deklaruar këmbimin e apartamenteve. “Nga analizimi i apartamenteve të këmbyera, subjekti ka ushtruar tagrat e pronarit kur nuk mund të sillej si pronar, pasi ishte posedues pa letra,” evidentoi Çiftja.

“Ka kryer veprime de facto që sjellin cënim të etikës së magjistratit. Gjyqtari duhet të shmangë çdo sjellje që cënon figurën e magjistratit,” theksoi ajo dhe shtoi se Komisioni ka konsideruar në analizën financiare vetëm dokumentacionin dhe transaksionet ligjore.

Hasa deklaroi se gabimi që mund të kishte kryer për këto pasuri kishte qenë mosdeklarimi.

“Këtë shtëpi e bleva për të mbajtur peng shitësin e shtëpisë. E bleva unë pa dokumenta. E gjithë ngatërresa vjen nga blerja e kësaj shtëpie në ‘96 pa dokumenta, pa filluar deklarimi. Kur erdhi momenti deklarimit, nuk dija ca të bëja. Kurrë nuk kam pasur në Çorovodë dy palë shtëpi njëkohësisht,” tha Hasa, duke këmbëngulur se nuk kishte cenuar etikën e gjyqtarit.

Në fund të seancës, gjyqtari Hasa kërkoi riçeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, por KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më 23 prill.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *