Gjyqtari i Apelit, Ridvan Hado konfirmohet në detyrë

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi gjithashtu të referojë për inspektim gjetjet e ONM-së mbi vendimarrjen e KLD-së, ku Hado ishte një ndër anëtarët, për gjyqtarët Gjin Gjoni dhe Petrit Aliaj.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ridvan Hado pas vendimit të KPK. Foto: Malton Dibra/LSA.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli mëngjesin e së mërkurës konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Ridvan Hado. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, kryesuesi i trupës, Olsi Komici tha gjithashtu se ishte vendosur transferimi i dy çështjeve për inspektim pranë Inspektoritit të Lartë të Drejtësisë, ILD, lidhur me gjetjet e vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Theo Jacobs.

Gjyqtari Ridvan Hado u rivlerësua në të tri kriteret, për të cilat nuk u identifikuan probleme nga Komisioni. Por gjatë seancës dëgjimore, ai u përball me pyetje nga vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me rolin e tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vendimet për dhënien e lejes prindërore për gjyqtarin Gjin Gjoni dhe rrëzimin e një mase disiplinore për gjyqtarin tjetër, Petrit Aliaj.

Jacobs e quajti të paligjshëm vendimin e ish-KLD për dhënien e lejes prindërore Gjin Gjonit, ndërsa shtoi se për rastin e Aliajt nuk kishte pengesë që ndaj tij të ishte caktuar masë disiplinore.

Gjyqtari Hado tha në seancën dëgjimore se KPK dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk kanë në juridiksionin e tyre rivlerësimin e anëtarëve të KLD-së. Ai pohoi në seancë se Gjin Gjoni i plotësonte kushtet për të përfituar lejen prindërore, ndërsa shtoi se nuk i kujtohej nëse kishte votuar ose jo për vendimin e marrë lidhur me rrëzimin e kërkesës së ministrit për masë disiplinore ndaj Aliajt.