Gjyqtari Erjon Bani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari i Tiranës, Erjon Bani drejt konfirmimit në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme për gjyqtarin Erjon Bani në asnjë pej kritereve të rivlerësimit. Ai u pyet gjatë seancës dëgjimore lidhur me një llogari dyemërore të bashkëshortes dhe për një denoncim nga publiku.

Gjyqtari Erjon Bani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Erjon Bani u përball të enjten më 20 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u njoh me gjetjet e hetimit administrativ në të tri kriteret e rivlerësimit. Trupa gjykuese kryesohet nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Erjon Bani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Aktualisht, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës dhe ka kandiduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’u emëruar pranë Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Bani është gjithashtu kryetar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.

Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit, ndërkohë që gjyqtari Bani u pyet lidhur me një llogari dyemërore ku figuronte si titullare edhe bashkëshortja e tij, si dhe për një denoncim që ishte paraqitur në Komision të mërkurën.

Relatori Ilia renditi pasuritë e disponuara dhe në përdorim të gjyqtarit Bani; mes të cilave edhe një aparament në përdorim me sipërfaqe 113 m2 në Tiranë në pronësinë e të atit, e përfituar në vitin 2015 përmes shkëmbimit.

Subjekti ka sqaruar se nuk ka asnjë të drejtë reale mbi këtë pasuri.

Komisioni ka verifikuar burimin e krijimit të kësaj prone, nga ka rezultuar se babai i subjektit ka blerë një truall në vitin 1996 në Sarandë. Në vitin 2009 ai ka lidhur kontratë me një shoqëri ndërtuese në këmbim të 26% të objektit të ndërtimit, duke përfituar apartamente, njësi shërbimi dhe garazh.

Një prej apartamenteve të përfiturara në Sarandë, babai i gjyqtarit Bani e ka shkëmbyer me një apartament në Tiranë, i cili përdoret nga i biri.

Relatori Ilia tha se nuk janë gjetur probleme në burimin e krijimit të këtyre pasurive dhe në shkëmbimin e tyre. Ndërkohë ai shtoi se e vetmja parregullsi ka qenë se babai i ka kryer shkëmbimet pa qenë të regjistruara këto pasuri. “Por janë kryer nga i ati dhe nuk mund të rëndojnë pozitën e subjektit të rivlerësimit,” pohoi Ilia.

Komisioni konstaton se gjyqtari Bani ka pasur burime të ligjshme financiare për blerjen e dy makinave, një tip Fiat Punto në vitin 2014 kundrejt shumës 70 mijë lekë dhe një automjeti tip Toyota në 2016-ën për çmimin 4500 euro.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se gjyqtari Bani ka pasur mundësi për krijimin e një shume 110 mijë lekë në llogarinë rrjedhëse. Gjithashtu, edhe bashkëshortja ka pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e një depozite bankare në janar 2016 në vlerën 100 mijë lekë.

Sipas Ilias, është konstatuar se bashkëshortët Bani kanë pasur mundësi edhe për krijimin e një gjendje cash në shumn 100 mijë lekë, për të cilët ka rezultuar se janë deklaruar rregullisht ndryshimet ndër vite.

Nga hetimi është evidentuar se në vitin 2014 ishte çelur një depozitë dyemërore në emër të bashkëshortes së subjektit dhe dajës së saj, ndërsa Ilia tha se bashkëshortja e Banit nuk rezulton të ketë nënshkruar kontratën e çeljes së depozitës.

Ndërkohë, janë evidentuar llogari dyemërore në emër të bashkëshortes dhe dajës së saj të hapura në vitet 2005 dhe 2007.

Gjyqtari Bani foli shkurtimisht gjatë seancës dëgjimore. Ai sqaroi se kishte dhënë shpjegime të detajuara me shkrim dhe u ndal fillimisht në depozitën dyemërore që figuronte edhe në emër të bashkëshortes.

Ai e cilësoi të pasaktë përgjigjen e dërguar nga banka se depozita dyemërore e vitit 2014 figuronte dhe në emër të bashkëshortes së tij. “Është i vërtetë konstatimi se bashkëshortja nuk ka nënshkruar. Kjo depozitë është hapur nga daja i saj. Ai ka hapur tri depozita të ndryshme që, pasi janë maturuar, i ka mbyllur po daja i bashkëshortes”, theksoi Bani.

Subjekti vijoi se bashkëshortja nuk kishte asnjë lloj lidhje me depozitën e viit 2014 dhe se nuk kishte kryer asnjë veprim.

Gjyqtari Bani sqaroi se llogaria e hapur në vitin 2005 ishte dyemërore dhe figuronte edhe bashkëshortja e tij, pasi ishte autorizuar nga daja që jetonte në Itali, pasi ajo ishte e vetmja që mund të kryente veprime në atë kohë kur ishte studente. Sipas tij, në këtë llogari janë kryer veprime deri në 2011-ën. “Ne kemi lidhur martesë në vitin 2012. Nuk mund ta deklaroja,” pohoi gjyqtari Bani.

“Unë kam deklaruar edhe qindarkat dhe nuk do të lija pa deklaruar një depozitë, nëse do e dija”, deklaroi gjyqtari Bani dhe këmbënguli se përgjigja e bankës lidhur me depozitën e vitit 2014 ishte e pavërtetë.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar se gjyqtari Bani dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të mjaftueshme financiare për shpenzimet dhe investimet e kryera.  Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Nga 23 denoncimet nga publiku ka rezultuar se një pjesë e tyre kanë qenë të përsëritura dhe se janë kryer nga 13 denoncues. Relatori Ilia tha se subjekti kishte dhënë shpjegime për secilin prej tyre.

Lidhur me një denoncim të mbërritur të mërkurën, gjyqtari Bani shpjegoi se denoncuesi ka qenë i akuzuar për mashtrim dhe se prokuroria kishte regjistruar dhe vijuar dy procedime penale për të njëjtin fakt dhe për të njëjtën vepër penale.

Ai sqaroi se një prej procedimeve ishte regjistruar në vitin 2016, ndërsa tjetri ishte regjistruar për të njëjtin fakt në 2017-ën, pasi i dëmtuari kishte kryer një kallëzim të dytë.

Për çështjen e vitit 2016, i proceduari ishte shpallur i pafajshëm. “Në vitin 2017 vjen një tjetër prokuror për të njëjtën akuzë dhe për të njëjtat fakte”, pohoi Bani.

Ai sqaroi se gjyqtari paraprak e kishte përcjellë dosjen për gjykim. Subjekti tha se, pasi ishte njohur me kërkesën e të proceduarit për pushim të çështjes se ishte gjykuar njëherë për këtë fakt dhe se ishte shpallur i pafajshëm, kishte kryer verifikimet e nevojshme.

“Në një rast të tillë, gjykata mund ta pushojë çështjen nëse vendimi ka marrë formë të prerë. I kërkova informacion Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila informoi se çështja ishte shortuar dhe pritej të shqytohej,” tha gjyqtari Bani.

Duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale, Bani deklaroi se kishte qenë në kushtet e pamundësisë objektive për të pushuar çështjen. Ai shtoi se nga gjykimi, i proceduari kishte rezultuar fajtor dhe ishte dënuar. Sipas subjektit, fuqi merr vendimi me dënimin më të ulët.

Kryesuesja Pamela Qirko e pyeti subjektin nëse mund të anashkalohej shqyrtimi i kësaj çështje, për arsye të ekonomisë gjyqësore.

Ai tha se kishte konsultuar gjithë jurispudencën dhe se ishte e pamundur, pasi nuk kishte vendim të formës së prerë. Bani shtoi se varet se çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit.

“Nëse Apeli do të ishte shprehur për pafajësi, atëherë do të ishte pushuar,” deklaroi Bani duke sjellë në vëmendje se, prokuroria, nëse do të kishte qenë e koordinuar, mund ta kishte rregulluar këtë situatë pa mbëritur çështja në gjykatë.

Në përfundim të seancës ai falënderoi trupin gjykues për objektivitetin e hetimit admninistrativ dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 maj, ora 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *