Gjyqtarja Elvana Çiçolli pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme

Gjyqtarja Elvana Çiçolli përballet me vetingun

Seanca dëgjimore e të martës ndaj gjyqtares së Gjykatës Administrative të Tiranës, Elvana Çiçolli  u dominua kryesisht nga diskutimi sa i përket një numri ankesash mbi procedurat dhe gjetjet e vetë komisionit që i kërkoi shpjegime asaj në lidhje me dosjet.

Relatorja Etleda Çiftja, pjesë e trupës me kryesuese Alma Faskaj dhe anëtare Suela Zhegun, tha se nga hetimi dukej se në disa raste kishte shkelje të të drejtave të ndërgjygjësisë dhe mos dëgjim të palëve të treta. Çiftja tha se dukej se palëve u ishte cënuar e drejta.

Vetë Çiçolli që falënderoi trupën për hetimin kompleks, këmbënguli se kishte ushtruar detyrën në zbatim të legjislacionit dhe me përkushtim. Ajo i tha Komisionit se numri i ankesave, për shkak edhe të numrit të lartë të dosjeve ishte i pritshëm.

Elvana Çiçolli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Çështje të profesionalizmit

Çiftja lexoi deri në kriterin e profesionalizmit një raport thuajse pa probleme për Çiçollin, ndërsa për këtë kriter vuri në dukje se nga 5 dosjet e shortuara, në 2 prej tyre KPK kishte gjetur probleme që përfshinin mungesë të analizimit të çështjes apo rrëzim të padisë pa kryer vlerësim.

Në një rast, KPK tha se ishte gjetur se Çiçolli vendosi pushimin e çështjes për shkak të tejkalimit të afatit të padisë, por se në fakt ajo i kishte llogaritur gabim afatet duke mos u nisur nga dita e njoftimit të palës, por nga dita e nxjerrjes së një akti. Sipas KPK-së, kjo i kishte cënuar të drejtat e palës për të bërë ankim gjyqësor.

Lidhur me një numër ankesash, përfshi një ankesë nga Ujësjellës-Kanalizime, KPK vuri në dukje se gjyqtarja ishte gjetur se në dukje kishte cënuar të drejtat e ndërgjygjësisë apo formimin e rregullt të ndërgjygjësisë dhe se në disa rast palët e treta nuk ishin dëgjuar. Çiftja tha në një rast se dukej se i ishte “mohuar e drejta palës së tretë”.

Në një rast, KPK vuri në dukje se një çështje ishte kthyer për plotësim pasi nuk ishte paguar tarifa e padisë, por Komisioni tha se gjyqtarja nuk kishte verifikuar nëse pala paditëse i kishte apo jo mundësitë për të bërë këtë pagesë.

Po ashtu KPK tha se kishte gjetje që tregonin se nuk ishte vlerësuar si duhet legjitimiteti i palëve dhe në një rast ishin zbatuar legjislacioni i përgjithshëm në vend të legjislacionit specifik.

Vetë Çiçolli tha se ishte habitur dhe ndjerë keq me rezultatet në këtë pjesë të raportit, por këmbënguli se ajo kishte zbatuar gjithmonë ligjin dhe ishte përpjekur të bënte drejtësi “në dukje dhe në thelb”. Ajo tha se kishte dhënë sqarime të detajuara në përgjigje, por në fjalën publike bëri vlerësime të përgjithshme e theksoi se ishte përpjekur gjithmonë t’i “trajtojë palët me dinjitet”.

Gjyqtarja tha se e lidhte numrin e lartë të ankimeve me ngarkesën e madhe në punë dhe me faktin se një pjesë e mirë e çështjeve rrëzoheshin. Ajo shtoi se nuk kishte treguar në asnjë rast “as pakujdesi dhe as neglizhencë”.

Pasuria dhe figura

Çiçolli nga ana tjetër nuk pati probleme të figurës. KPK vuri në dukje se as nga hetimi i saj dhe as nga raportet e DSIK nuk kishin rezultuar probleme.

E ngjashme dukej situata edhe sa i përket pasurisë. Edhe pse në një hetim kishte përfshirë gjyshen, të afërmit dhe bashkëjetuesin e gjyqtares, KPK nuk vuri në dukje probleme domethënëse veç mungesës së të ardhurave për blerjen e një automjeti në një shumë prej 504 mijë lekë.

Komisioni kishte hetuar gjatë një depozitë në emër të gjyshes së subjektit, në të cilën gjyqtarja dhe tezja e saj ishin administruese, por nuk kishte gjetur probleme. Depozita që i përkiste kohës para se gjyqtarja të merrte detyrën ishte siç rezultoi e financuar nga kursimet e gjyshes prej një pensioni nga shteti grek si pjesë e minoritetit.

Vetë Çiçolli u ndal në këtë situatë dhe sqaroi mënyrën se si kishin lëvizur këto para. Ajo referoi rrethana familjare që kishin detyruar disa nga transaksionet dhe u ndalua nga kryesuesja Faskaj të shkonte në detaje, që u cilësuan prej saj personale.

Trupa dhe vetë Çiçolli vunë në dukje se paratë në fjalë nuk ishin përdorur prej gjyqtares dhe ajo nuk kishte deklaruar pasuri të vëna me ndihmën e këtyre parave.

KPK bëri me dije se kishte verifikuar disa adresa të Çiçollit dhe pasuritë gjatë kohës së bashkëjetesës, pa gjetur ndonjë problem dhe pa kaluar asnjë barrë prove.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *