Prokurorja Mariola Mërtiri (majtas) dhe përfaqësuesja ligjore, Romina Zano pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen ndaj prokurores Mariola Mërtiri

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën konkluzionet përfundimtare në çështjen ndaj prokurores së Tiranës Mariola Mërtiri, gjatë të cilave Komisionerja Publike Irena Nino dhe subjekti u qëndruan parashtrimeve.

Komisionerja kërkoi shkarkimin e Mërtirit duke paraqitur një sërë argumentesh në të tre kriteret e rivlerësimit, përfshi lidhjen e prokurores dhe bashkëshortit të saj me personat e shpallur në kërkim dhe të dënuar në Gjykatën e Posaçme për atë që njihet si afera e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.

Komisionerja ndër të tjera arsyeton se Mërtiri gjendet në konflikt interesi, ka probleme të pasurisë dhe ka kontakte të papërshtatshme.

Nga ana e saj Mërtiri i kundërshtoi argumentet e Komisioneres, pretendoi se provat e sjella ishin tendencioze dhe arsyetoi se ndjekja penale dhe më pas dënimi i dy personave kishte ndodhur pas plotësimit prej saj të formularit të dekriminalizimit.

Mërtiri këmbënguli se disa prej gjetjeve dilnin jashtë kompetencave të Komisionerit dhe se pretendimet e ngritura ndaj saj ishin në shkelje të Kushtetutës. Ajo pretendoi se vjehrri dhe kunati po trajtoheshin në procesi si të ishin persona të lidhur me të.  Këmbënguli se kredia e butë për shtëpi ishte e ligjshme dhe se nuk ishte në konflikt interesi.

Mariola Mërtiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 21 dhjetor 2022. Relatori i çështjes, Roland Ilia dhe anëtarja Pamela Qirko arritën në konkluzionin se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Në pakicë, kryesuesja e trupës Etleda Çiftja arsyetoi se, ndërsa veç e veç problemet e gjetura nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin, të marra së bashku ato çonin në shkarkimin e Mërtirit, me argumentin se “subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e moscënimit të besimit të publikut”.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kërkuan rihetim të subjektit dhe gjetjet e tyre ishin elementët kyçë në seancën publike që u zhvillua KPK. Në rekomandim, vëzhguesit evidentuan se shumica në KPK dështoi të kryente hetim të plotë dhe po ashtu edhe të arsyetojë apo argumentojë vendimin e saj për të konfirmuar Mërtirin. Bazuar në këtë rekomandim, Komisionerja Publike, Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj duke kërkuar shkarkimin e Mërtirit.

Pasi dëgjoi palët, trupa e kryesuar nga Ina Rama, me anëtar Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet më 29 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *