Trupa gjyqësore e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA

Shkeljet e ligjit dhe vendimet e njëanshme penalizuan prokurorin Spartak Çoçoli

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Gjirokastrës, Spartak Çoçoli, duke arsyetuar se mangësitë e përsëritura profesionale dhe qëndrimet e njëanshme në vendimarrjet e çështjeve të hetuara e bëjnë të papërshtatshëm dhe në vlerësimin tërësor të tyre, këto gjetje çmohen se cënojnë rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Spartak Çoçoli u shkarkua më 16 korrik 2020 nga KPK, pasi u kishte mbijetuar për vite me radhë informacioneve për veprime të kundraligjshme, një procedimi disiplinor dhe një kallëzimi penal që ngrinte dyshime për përfshirjen e tij në korrupsion.

Shkarkimi ishte i pritshëm, pasi paralelisht me procesin e vetingut, Çoçoli po gjykohej për “korrupsion pasiv” në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që e dënoi më 9 shtator 2020 me dy vjet burgim, por që u konvertua me 4 vjet shërbim prove.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregoi se agjencitë ligjzbatuese kishin pasur informacione prej vitit 2007 për përfshirjen e Çoçolit në veprimtari të kundraligjshme – por ato nuk ishin adresuar përpara se të niste procedimi penal ndaj tij në vitin 2019.

Gjithashtu, një procedim disiplinor i Prokurorisë së Përgjithshme ishte mbyllur me “Vërejtje” në vitin 2012, ndërsa një kallëzim penal për marrje ryshfeti ishte pushuar në vitin 2015 prej ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.

KPK e përfundoi hetimin për Çoçolin në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin, ku dhe u gjetën problemet shkarkuese. Megjithëse nuk u konstatuan kontakte të subjektit me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo deklarim i pamjaftueshëm për figurën, Komisioni vlerësoi se gjetjet e konstatuara në kriterin e pastërtisë së figurës lidhur me veprimet e subjektit në hetimin e çështjeve, të ndërthurura me konstatimet në kriterin profesional, evidentonin anësi në vendimarrje dhe për rrjedhojë rëndojnë rëndojnë pozitën e tij si prokuror. Trupa e KPK konkludoi se këto veprime të Çoçolit të vlerësuara në tërësinë e tyre cënojnë rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Po ashtu, u konstatuan mangësi të përsëritura në aspektin profesional, si gjykim i dobët, cilësi të papranueshme në punë, si dhe mosrespektim të të drejtave të palëve – probleme që u vlerësuan se nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. KPK arriti në përfundimin se subjekti nuk kishte arritur nivelin minimal në vlerësimin e aftësive profesionale dhe se ishte i papërshtatshëm në këtë kriter. Ashtu si për figurën, gjetjet etiko-profesionale u konsideruan në vlerësimin tërësor në cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Vendimi i Komisionit u ankimua nga Çoçoli, i cili veç shkaqeve të ngritura ndaj konkluzioneve për kriterin e figurës dhe profesionalizmit, paraqiti pretendime edhe lidhur me procesin e rregullt ligjor. Duke ju referuar dokumentacionit të administruar në dosjen e Komisionit, Kolegji vlerëson se nuk evidentohet ndonjë shkelje e procesit të rregullt ligjor në shkallën e parë të vetingut dhe për rrjedhojë ky shkak i ankimit nuk është gjetur i bazuar.

Po ashtu, nuk u gjet e bazuar kërkesë për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike dhe vendimarrja për këtë subjekt rivlerësimi u mor në dhomë këshillimi.

Konkluzionet për figurën

Subjekti i rivlerësimit pretendoi në ankim se në procesin e tij të rivlerësimit në Komision, nuk është sqaruar se si në dy raportet e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK, të viteve 2017 dhe 2018, ai rezulton i përshtatshëm për të vijuar detyrën, ndërsa sipas raportit të rishikuar në 2020-ën është konstatuar papërshtatshmëria.

Ai pretendon se konkluzioni i Komisionit në lidhje me komponentin e figurës është i gabuar, pasi në asnjë rast, nuk janë vërtetuar dyshimet për përfshirjen në veprimtari të kundërligjshme korruptive, apo që subjekti të ketë pasur kontakte të papërshtatshme, si dhe gjetjet nuk u përkasin standarteve të përcaktuara në legjislacionin e vetingut.

Kolegji analizon një çështje për të cilën Çoçoli është procedurar për “korrupsion pasiv”. Nga hetimet e kryera nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Çoçoli ka kërkuar një përfitim të padrejtë në këmbim të një veprimi që do të kryente në kuadër të detyrës si prokuror. Në qershor të vitit 2019, subjektit i është komunikuar akuza. Kolegji vëren se vepra penale për të cilën akuzohej Çoçoli, e bënë atë individ të përfshirë në krimin e organizuar.

“Qëllimi dhe fryma e ligjit nr. 84/2016, në lidhje me kontrollin e figurës, kërkon që procesi i rivlerësimit të identifikojë gjyqtarët e prokurorët, të cilët kanë integritet të cenuar, duke i përjashtuar ata nga sistemi i drejtësisë. Ligji, duke urdhëruar verifikimin, nëse subjektet kanë kontakte të papërshtatshme, nuk mund të përjashtojë verifikimin e figurës së vetë subjektit të rivlerësimit, nëse ka dyshime të bazuara se ai është përfshirë në krimin e organizuar, sipas pikës 8 të nenit 3 të ligjit nr. 84/2016, konkretisht korrupsion pasiv”, vlerëson KPA.

Kolegji vëren se nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është caktuar ndaj subjektit të rivlerësimit masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe masa e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Disa muaj më vonë prokurorja e çështjes ka paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale, ku një prej të pandehurve ka qenë edhe Çoçoli. Kërkesa për gjykim është pranuar nga gjykata respektive, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme e ka informuar Kolegjin se kjo çështje po gjykohet me procedurë gjykimi të shkurtuar.

Pas marrjes së subjektit të pandehur, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur pezullimin e statusit të prokurorit Spartak Çoçoli.

Për shkak se çështja nuk kishte përfunduar ende, Komisioni nuk ka arritur në një konkluzion lidhur me këtë procedim penal, por e ka kualifikuar këtë situatë si cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Megjithëse subjekti nuk ka paraqitur në Kolegj dokumentacion për ecurinë e çështjes në fjalë, bazuar në informacionet nga burime të hapura, është mësuar se Çoçoli është shpallur fajtor për korrupsion. Nisur nga fakti se çështja vijon ende të jetë në fazë gjykimi, edhe Kolegji ashtu si Komisioni vlerëson se rrethanat tregojnë që subjekti ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Nga të dhënat e përcjella prej Prokurorisë së Posaçme, ka rezultuar se ndaj subjektit ka pasur një tjetër kallëzim penal, por ish-Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

Komisioni, lidhur më këtë çështje ka vlerësuar se Çoçolit nuk i atribuohet ndonjë kontakt me subjekte që janë përfshirë apo dyshohen si pjesëtarë të strukturave të organizuara kriminale, por konstatimet e gjetura gjatë hetimit, i vlerësoi në tërësi në cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Trupi gjykues i KPA vëren se në rastin e mosfillimit të procedimit penal, ligji ka parasysh mungesën e elementeve që përbëjnë figurën e veprës penale. Sipas Kolegjit, meqenëse veprimet e subjektit nuk përkojnë me elemente të veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, vendimi i mosfillimit të procedimit, barazohet me vendimin e pafajësisë. “[…]Si i tillë, nuk mund të kualifikohet as sipas nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, duke e bërë vendimmarrjen e Komisionit të cenueshme dhe të padrejtë lidhur me këtë shkak ankimi”, konkludon KPA lidhur me konstatimin në këtë rast të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Shkaqet për profesionalizmin

Çoçoli ka pretenduar se gjetjet e Komisionit për analizimin e aftësive profesionale, janë të pabazuara dhe subjektive. Sipas tij, KPK nuk ka trajtuar thelbin e aktit procedural të vendimarrjes, pasi nuk është evidentuar nëse vendimet e tij kanë qenë të drejta ose jo.

Për mangësitë në përpilimin e akteve procedurale për periudhën kohore 2014 e në vazhdim, subjekti ka pretenduar se kanë ardhur si pasojë e mospërqëndrimit në punë për shkak të problemeve familjare, si pasojë e divorcit të ndodhur në vitin 2014.

Ish-prokurori Çoçoli ka argumentuar se ka një karrierë 27-vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe mangësitë e vogla të konstatuara në aftësitë profesionale në vendimin e Komisionit, kanë qenë gjuha joprofesionale në përpilimin e akteve procedurale, që sipas tij nuk mund të përbëjë element të papërshtatshmërisë së aftësive profesionale dhe aq më pak që të ketë cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

KPA i ka gjetur të pabazuara pretendimet e Çoçolit dhe jep të drejtë Komisionit për gjetjet në kriterin profesional. “Kolegjit i rezultoi se subjekti i rivlerësimit shfaq modele të njëjta pune, të përsëritura, me problematika të ngjashme thuajse në të gjitha dokumentet objekt vlerësimi, duke u gjendur në situatat ku nuk identifikohet drejt norma penale, vendimmarrjet janë të paarsyetuara dhe të paargumentuara, si dhe nuk identifikohen elementet e veprës penale, si analiza bazë për të arritur në konkluzionin e ekzistencës ose jo të veprës penale”, konstaton trupi gjykues i Kolegjit.

Në vijim, trupi gjykues vlerëson se në disa nga çështjet penale të shqyrtuara, subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e prokurorit të çështjes, nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa në çështje të tjera, nuk ka administruar prova të besueshme, të cilat do të çonin në nxjerrjen e një përfundimi të saktë në lidhje me ekzistencën e elementeve të veprës penale.

Po ashtu, ka rezultuar se Çoçoli nuk ka respektuar të drejtat e palëve për njoftimin e vendimmarrjeve.

Në përfundim të vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, Kolegji vlerëson se rastet kur shkeljet e subjekteve të rivlerësimit evidentohen që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme dhe në praktika të ndryshme, përbëjnë përjashtim nga rastet e konfirmimit në detyrë dhe duhet të vlerësohen negativisht.

Ashtu si KPK, edhe KPA vlerëson se konkluzionet e arritura gjatë kontrollit të kriterit së figurës për, të ndërthurura me rezultatet e vlerësimit profesional, konsiderohen se e vendosin subjektin e Spartak Çoçoli në situata të përsëritura në shkelje të ligjit, të cilat kanë elemente të qëndrimeve të njëanshme në vendimmarrje dhe rëndojnë pozitën e tij si prokuror. Këto veprime, të vlerësuara në tërësinë e tyre, çmohen prej Kolegjit se cënojnë rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *