Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

KPA pranon kërkesat e Komisionerit Publik në çështjen ndaj gjyqtarit Medja

Kolegji vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit për të kërkuar si prova dosjen personale, mendimin e kryetarit të gjykatës dhe mendimin me shkrim të Shkollës së Magjistraturës, në shqyrtimin e çështjes ndaj gjyqtarit Gentian Medja.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Komisioneri Publik dhe gjyqtari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentian Medja mbajtën qëndrime të ndryshme mbi projekt-metodologjinë e propozuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për vlerësimin e aftësive profesionale.

Gjatë seancës së të mërkurrës, në vijim të gjykimit të apelimit të Komisionerit Florjan Ballhysa kundër konfirmimit të Medjas bazuar mbi kriterin e aftësive profesionale, gjyqtari kundërshtoi në tërësi metodologjinë e propozuar duke thënë se ajo dilte jashtë kërkesës në ankim dhe jashtë kompetencave të KPA.

Ndërkohë Ballhysa vlerësoi projektin e ngritur mbi propozimin e tij si shumë të mirë dhe i kërkoi trupës gjykuese, të kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Luan Daci dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Sokol Çomo, që të kërkonte si prova të reja dosjen personale të Medjas, mendimin e kryetarit të gjykatës dhe mendimin me shkrim të Shkollës së Magjistraturës mbi gjyqtarin.

Trupa gjykuese, e cila në seancën e kaluar tha se do të shprehej mbi metodologjinë e propozuar vetëm në fund të procesit, nuk mbajti qëndrim për kërkesën e Medjas për rrëzimin në terësi të projektit, por vendosi të pranonte kërkesat e Komisionerit Publik për prova.

Qëndrimi i Komisionerit

Në fjalën e tij Komisioneri Ballhysa u shpreh se në projekt-metodologji ishin të gjithë indikatorët e nevojshëm për vlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai theksoi se kjo metodologji mund të përdorej në rastin konkret dhe në përgjithësi.

“Komisioneri Publik mendon se është e plotë nga pikëpamja e strukturës”, tha Ballhysa në seancë. Ai vlerësoi përfshirjen në metodologji të burimit të vlerësimit si diçka që e bënte mjaft konkret indikatorët mbi të cilët do të bëhej vlerësimi.

Ballhysa ndër të tjera, duke iu referuar ligjit 96/2016 “Mbi statusin e gjyqtarëve”, kërkoi që për çështjen konkrete të kërkoheshin dhe administroheshin si prova tre burime informacioni sipas tij të nevojshme. Dosja personale e magjistratit që sipas Komisionerit bënte të matshëm disa indikatorë përfshi pjesëmarrjen në trajnime apo publikimet e magjistratit.

Mendimi i kryetarit të gjykatës, në rastin konkret të Gjykatës Administrative Tiranë, për të vlerësuar etikën e magjistratit, sjelljen me kolegët, rastet kur ishte kërkuar përjashtimi dhe konflikti i mundshëm i interesit.

Dhe po ashtu edhe një mendim me shkrim nga Shkolla e Magjistraturës për të vlerësuar angazhimin akademik si udhëheqës për magjistratët e rinj dhe arsimimin e vazhdueshëm të vetë magjistratit. Komisioneri tha se kjo e bënte të plotë hetimin.

Qëndrimi i Medjas

Duke u bazuar kryesisht në mendimin e Komisionit të Venecias mbi reformën në drejtësi gjyqtari i Gjykatës Administrative Gentian Medja, i kërkoi KPA të mos bazohej mbi projekt-metodologjinë që ishte propozuar nga Komisioneri dhe më pas nga vetë Kolegji.

Medja arsyetoi se Komisioni i Venecias në opinionin e tij për reformën kishte kërkuar që puna e KPA dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk mund të zëvendësonte organet e reja të drejtësisë, konkretisht Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët bëjnë vlerësimin profesional të gjyqtarëve bazuar në ligjin 96/2016.

Medja tha se projekti i ngritur kryesisht mbi ligjin për “Statusin e gjyqtarëve” dilte jashtë kompetencave të Kolegjit, i cili për të kryer vlerësimin duhej të bazohej vetëm në ligjin 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve”.

Ai tha se kërkesat e Komisionerit i tejkalonin kompetencat e parashikuara për organet e vetingut dhe se kjo do të zgjaste procesin. Medja kërkoi që projekt-metodologjia të rrëzohej edhe sepse sipas tij në të kishte kërkesa që dilnin jashtë “kërkimeve në ankim prej Komisionerit”.

Medja shtoi se përfshirja në gjykim e çështjeve që dilnin jashtë ankimit cënonte procesin. Ndërsa pretendoi se kjo po ashtu cënonte parimin e propocionalitetit pasi çështjet në ankim nuk ishin aq të rëndësishme që të justifikonin zgjatjen e procesit.

Medja po ashtu i kërkoi KPA që të mos marrë parasysh kërkesën e Komisionerit Publik, të mbyllë procesin bazuar në pretendimet e paraqitura në Apelim, në mënyrë që ai të mund të vijonte punën si gjyqtarë.

KPA pasi u tërhoq për vendim të ndërmjetëm u shpreh vetëm mbi kërkesat e Komisionerit Publik. Kryesuesja Natasha Mulaj njoftoi se trupa kishte vendosur të kërkonte si prova në proces dosjen personale të gjyqtarit nga KLGJ, mendimin e kryetarit të Gjykatës Administrative po nga KLGJ dhe një qëndrim më shkrim nga Shkolla e Magjistraturës.

Një seancë më herët KPA e ka lënë të hapur mundësinë që në vendimin përfundimtar të rrëzojë ose miratojë metodologjinë, e cila mund të përdoret më pas edhe në raste të ngjashme sipas kërkesës së Komisionerit Publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *