Vetingu i ish-prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, i shkarkuar ndërsa ndodhej në qeli me akuzat e korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë, shfaqi probleme në aspektin procedural në shkallën e parë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve. Megjithëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e konfirmoi shkarkimin e tij për probleme në kriterin pasuror dhe për cënim të besimit të publikut tek drejtësia, i dha mundësinë këtij subjekti rivlerësimi që të mbrohej, me arsyetimin se Komisioni ia kishte mohuar këtë të drejtë.
Në vendimin e arsyetuar të KPA, parashtrohet pretendimi i subjektit se Komisioni i kishte cenuar të drejtën për t’u mbrojtur në mënyrë efektive, si për shkak të mosnjohjes me të gjitha dokumentet që ishin mbledhur gjatë hetimit administrativ, ashtu dhe për shkak të kohës së pamjaftueshme e kushteve të papërshtatshme në të cilat ndodhej. Sipas Hasës, KPK shfaqi haptazi një nxitim të paarsyeshëm për caktimin e seancës dëgjimore më 1 shtator të vitit 2021, rreth dy muaj pasi ai ishte arrestuar. Në ngritjen e këtij pretendimi, Hasa i referohet faktit se në momentin e dërgimit të rezultateve të hetimit nga ana e Komisionit, ai ndodhej nën masën e sigurimit personal “arrest me burg” në paraburgimin “Jordan Misja” e, për këtë arsye, nuk ka pasur mundësinë fizike, kohore, psikologjike dhe kushtet e duhura për të realizuar mbrojtjen e tij bazuar në procesin e rregullt ligjor.
Kolegji vëren se Komisioni, ndonëse ka qenë në dijeni të faktit se subjekti i ndodhej në qeli, e ka ftuar atë për t’u njohur me dosjen e hetimit administrativ dhe për të marrë kopje të saj. Po ashtu, i është caktuar një afat prej 19 ditësh për të paraqitur prova e shpjegime mbi rezultatet e hetimit. KPA evidenton faktin se KPK i ka dërguar Hasës dosjen e procedurës së rivlerësimit në formatin CD pranë IEVP-së “Jordan Misja”, 13 ditë pas njoftimit të tij të parë mbi rezultatet e hetimit, pa i dhënë një afat shtesë për paraqitjen e provave apo shpjegimeve në lidhje me barrën e provës. Ndër të tjera, Komisioni i ka kujtuar subjektit se afati për paraqitjen e tyre do të ishte pas 6 ditësh, si ishte njoftuar më parë.
Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se në një proces të tillë, në të cilin subjekti i rivlerësimit ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit dhe kërkohet impenjim maksimal për t’iu përgjigjur nevojave të procesit në fazën përfundimtare të tij, dërgimi i njoftimit mbi përfundimin e hetimit administrativ dhe rezultatet e hetimit në rethanat në të cilat ndodhej Hasa, nuk do t’i mundësonin atij mbrojtjen e nevojshme.
Duke e gjetur të pajustifikuar procedurën e ndjekur nga Komisioni për dërgimin e rezultateve të hetimit administrativ në kushtet e mungesës së lirisë fizike të subjektit, KPA e ka gjetur të drejtë dhe të bazuar pretendimin e Hasës për cenim të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.
Kjo sjellje e Komisionit është çmuar se ka cenuar të drejtën e subjektit për proces të rregullt ligjor dhe për rrjedhojë çështja u kalua për gjykim në seancë publike, duke i dhënë Hasës mundësinë që të dëgjohej dhe mbrohgej.
Bazuar në këtë vendimarrje të ndërmjetme, Kolegji i vlerësoi të korrigjuara gabimet procedurale të kryera nga KPK, si dhe i çmoi të zgjidhura të gjitha pretendimet e subjektit lidhur me shkeljet nga ana e Komisionit të parimeve të përgjithshme, në kuadër të garantimit të një procesi të rregullt ligjor.
Megjithë mundësinë që iu dha për të dorëzuar akte të reja e për t’u mbrojtur, prokurori Hasa dështoi të përmbyste barrat e provës, duke u gjetur i papërshtatshëm për të vijuar detyrën dhe u la në fuqi shkarkimi.
Ashtu si në KPK, edhe në Kolegj u konfirmua pamundësia financiare e Hasës për mbulimin e pasurive dhe shpenzimeve, duke u çmuar se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Kolegji ka dalë me qëndrim përfundimtar edhe lidhur me sjelljet e subjektit të konstatuara në verifikimin e pasurisë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll hetimi administrativ ndaj këtij subjekti.
Pranimi i dhurimit të një kullore në vitin 2014 nga persona të lidhur me të, në kushtet e ndalimit ligjor për parandalimin e konfliktit të interesave; përdorimi pa kundërshpërblim dhe pa ndonjë akt formal i dy pasurive të paluajtshme në qytetin e Sarandës në periudhat korrik 2003 – janar 2005 dhe janar 2005 – qershor 2010; përdorimi pa akt formal i një automjeti në vitin 2017, në kohën e plotësimit të deklaratës së pasurisë veting; pranimi i dhurimit për mbulimin e shpenzimeve të një udhëtimi në Rusi në vitin 2006; si dhe transaksione lidhur me shitblerje të automjeteve që konsiderohen jashtë logjikës financiare, vlerësohen si veprime që ngjallin dyshime mbi vërtetësinë e tyre e që bien ndesh me sjelljen jashtëgjyqësore që një prokuror duhet të ketë
Bazuar në këto argumente, trupi gjykues e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit që subjekti i rivlerësimit nëpërmjet kryerjes së këtyre veprimeve, ka cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.




