Kolegji rrëzon vendimin e shkallës së parë të vetingut dhe shkarkon Alma Bratin
Lajme

Kolegji rrëzon vendimin e shkallës së parë të vetingut dhe shkarkon Alma Bratin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit arriti në përfundimin se gjyqtarja Alma Brati ka bërë “deklarim të pamjaftueshëm”, duke u bazuar te pamundësia për të justifikuar dhuratën prej 1.8 milionë lekësh nga nëna dhe pensionin ushqimor mbi vendimin e gjykatës.

Trupa gjykuese e Kolegjit gjatë vendimit të shkarkimit për gjyqtaren Alma Brati. Foto: Vladimir Karaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit përmbysi të martën vendimin e shkallës së parë të vetingut për gjyqtaren Alma Brati, duke vendosur shkarkimin nga detyra për “deklarim të pamjaftueshëm” në kriterin e pasurisë. Vendimi u shpall nga kryesuesja e trupës, Natasha Mulaj në mungesë të Bratit, ndërkohë që kjo e fundit përfaqësohej në sallë vetëm nga avokati i saj.

Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës u konfirmua në detyrë në korrik 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u kontestua në Kolegj nga Komisioneri Publik. Procesi në Kolegj nisi në dhjetor 2018 dhe vendimi u shpall pas tetë seancash.

Trupa gjyqësore që shqyrtoi çështjen e Bratit drejtohej nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Luan Daci, Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Sipas vendimit të lexuar nga Mulaj, shkarkimi i Alma Bratit u bazua në pamundësinë për të justifikuar dhuratën prej 1.8 milionë lekësh të marrë nga nëna si dhe për pensionin ushqimor mbi vendimin e gjykatës në vlerën e 700 mijë lekëve. Mulaj shtoi gjithashtu se Brati u gjet me “deklarim të rremë” lidhur me kursimet gjatë viteve të saj të deklarimit.

KPA arriti në përfundimin se nëna e gjyqtares kishte pasur mundësi të kursente vetëm 500 mijë lekë dhe jo 1.8 milionë, siç pretendoi Brati.   Vendimi i shkarkimit u bazua në pikën 3 të nenit 61 të ligjit “për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili parashikon deklarimin e pamjaftueshëm.

Një seancë më parë, në konkluzionet përfundimtare, Komisioneri Publik, Dariel Sina i qëndroi ankimit të bërë, duke pretenduar se gjatë procesit ishte vërtetuar se Brati nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të krijuar gjendjet cash të deklaruara ndër vite. Sina shtoi gjithashtu se ajo nuk kishte mundur të provonte burimin e ligjshëm për të ardhurat e nënës së saj.

Por avokati i Bratit, Loren Liço pretendoi një sërë shkeljesh proceduriale nga procesi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke kundërshtuar relatoren për veprime në kundërshtim me ligjin dhe njëanshmëri.

Liço vuri në dukje se KPA kishte vendosur në herët të mos hetojë të ardhurat e përfituara nga pensioni ushqimor dhe se analiza finaciare kishte dalë “tej ankimit të Komisionerit Publik” dhe vendimeve të ndërmjetme të KPA-së.

Ai kundërshtoi në seancë përfundimet e analizës finaciare të bërë nga KPA dhe pretendimet e Komisionerit, ndërsa dha argumenta pse gjyqtarja kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe këmbënguli se në të gjitha rastet kur nuk ishin paraqitur dokumente, kjo ishte bërë pasi ajo ishte gjendur para “pamundësisë absolute”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *