Prokurori Artur Ismajlukaj pas seancës së dytë dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

KPK riheton udhëtimet e prokurorit Ismajlukaj me personat me precedentë

Prokurori i Elbasanit, Artur Ismajlukaj u përball të mërkurën më 5 korrik për herë të dytë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas riçeljes së hetimit administrativ për të verifikuar raste të udhëtimeve dhe njohjeve me persona me precedentë penalë. Edhe në seancën e parë dëgjimore më 25 maj, ai u pyet dhe dha shpjegime për disa udhëtime me automjete të personave të dënuar penalisht, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Për pasurinë dhe profesionalizmin nuk janë gjetur probleme domethënëse.

Megjithëse Ismajlukaj shprehu dakordësi në seancën e parë me gjetjet e hetimit administrativ, ai këmbënguli se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Ai mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.

Artur Ismajlukaj e nisi karrierën si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tropojës në vitin 2005. Ai u emërua prokuror në vitin 2014 dhe e ushtroi funksionin fillimisht pranë Prokurorisë së Tropojës dhe më pas në Prokurorinë e Elbasanit. Procesi i vetingut për prokurorin Artur Ismajlukaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ka qenë i pranishëm Gerrit Sprenger.

Në seancën e dytë që zgjati më pak se gjysmë ore, relatorja Suela Zhegu sqaroi se Prokuroria e Përgjithshme kishte informuar se gjatë periudhës kur subjekti kishte ushtruar funksionin në Tropojë, kishte depozituar dy kërkesa për transferim në një prokurori tjetër më pranë Tiranës, për të qenë më afër familjes së tij.

Po ashtu, janë marrë të dhëna nga kompanitë celulare për tre numra, një prej të cilëve I subjektit. Por, kompanitë celulare kanë sqaruar se kanë të ruajtura vetëm të dhënat e dy viteve të fundit.

Sipas Zhegut, janë kryer verifikime nëse subjekti ka kryer udhëtime me tre persona, por nuk ka rezultuar që ata të kenë udhëtuar ndonjëherë bashkë jashtë shtetit. Dy prej personave kanë rezultuar me precedentë penalë, por jo për krim të organizuar.

Megjithatë, edhe pas këtyre gjetjeve, Komisioni vlerëson se qëndron konstatimi se shoqërimi apo udhëtimi me persona me precedentë penalë ndikon negativisht dhe cënon etikën e një magjistrati.

Në seancë u evidentua dhe një denoncim, në të cilin pretendohet se subjekti dhe katër prokurorë të tjerë kanë mbyllur çështjen duke paraqitur të njëjtin arsyetim. Sipas denoncuesit, Ismajlukaj ka qenë prokurori i fundit që ka hetuar kallëzimin e tij, por nuk ka kryer hetime.

Prokurori Ismajlukaj paraqiti në mënyrë të pëmbledhur qëndrimin e tij lidhur me konstatimin e KPK-së për udhëtimet me personat me precedentë penalë. Ai bëri analizë ligjore, duke theksuar se legjislacioni e përcakton cënimin e besimit të publikut në rastet kur subjekti ka kryer korrupsion; kur është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit; nëse është i paaftë ose ka vendosur si parësorë interesat e tij privatë.

Sipas tij, në hetimin e Komisionit nuk konstatohen raste të tilla dhe për rrjedhojë nuk mund të konkludohet për cënim të besimit të publikut.

Vëzhguesi ndërkombëtar Gerrit Sprenger solli në vëmendje se subjekti kishte shërbyer në Tropojë për 16 vjet. Ai e pyeti Ismajlukajn se përse kishte kryer vetëm dy kërkesa për transferim nga Tropoja në një periudhë kaq të gjatë. Subjekti shpjegoi se kishte pasur edhe komunikime të drejtëp[ërdrejta me zyrtarët e burimeve njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe me kreun e organit qendror të akuzës, të cilëve u kishte kërkuar transferimin.

Ai tha se pas kostituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kishte dorëzuar edhe aty dy kërkesa, prej nga ishte bërë e mundur që në 2021-in të transferohej në Elbasan. Në përfundim, prokurori Artur Ismajlukaj kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 7 korrik, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *