Komisioneri Publik Florian Ballhysa gjatë një seance në KPA. Foto:Vladimir Karaj
KP Lajme Vendi

Komisioneri Publik apelon pas rekomandimit, prokuroren Lindita Male dhe gjyqtaren Elbana Lluri

Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rihetonte çështjet ndaj prokurores Lindita Male (Ziguri) dhe gjyqtaren Elbana Lluri, pas rekomandimit të ONM-së se hetimi i KPK kishte qenë i paplotë.

Komisioneri Publik Florian Ballhysa gjatë një seance në KPA. Foto:Vladimir Karaj

Komisioneri Publik Florian Ballhysa njoftoi apelimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të vendimeve të konfirmimit për prokuroren Lindita Male (Ziguri) dhe gjyqtaren Elbana Lluri. Komisioneri njoftoi apelimin pas rekomandimit nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe i cilëson të dy vendimet dhe hetimin e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të paplotë.

“Përfundimet e arritura nga Komisioni për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), duket se nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues për subjektin e rivlerësimit dhe personat e lidhur me të”, thuhet në vendimin për apelimin e prokurores. Komisioneri nuk del me përfundim në ankim ndërsa e lë të hapur për KPA që të vendosë pas hetimit konfirmimin ose shkarkimin nga detyra.

Ankimi është i ngjashëm edhe për gjyqtaren Lluri. Komisioneri thotë se arsyetoi se “vendimi përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit”. Gjithashtu edhe për rastin e Llurit Komisioneri e lë në dorë të KPA vendimmarrjen dhe nuk ka një qëndrim, përveç kërkimit për një hetim më të plotë.

Ballhysa kërkon që hetimi i ri në KPA të shtrihet në të tre kriteret.

Lindita Ziguri u konfirmua me shumicë votash më 12 janar 2021, nga trupa e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktari. Pas zbardhjes së vendimit Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik që të animojë vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores. Sipas rekomandimit të ONM-së, disa çështje të lidhura me pasurinë mbeten ende të paqarta, pavarësisht shpjegimeve të subjektit dhe arsyetimit në vendimin e KPK-së.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri u konfirmua në detyrë më 2 shkurt. Por në 1 prill Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi apelimin e saj duke arsyetuar se hetimi nuk kishte qenë i plotë ose ishte në kundërshtim me praktikën e vendosur tashmë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *