Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit Adnan Kosova

Komisioneri Publik i kërkoi të mërkurën Kolegjit të Posaçcëm të Apelimit të shkarkoj prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova. Sipas ankimit Kosova ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Adnan Kosova, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Foto: BIRN

Institucioni i Komisionerit Publik (IKP) njoftoi ankimin e vendimit për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova. Komisioneri Dariel Sina, pak ditë pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kërkoi nga IKP të ankimonte vendimin për Kosovën, njoftoi se i kërkonte Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkarkimin e këtij të fundit.

Sina thotë se bazuar në hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Kosova kishte bërë “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë” dhe kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Adnan Kosova, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”, thuhet në njoftimin e Apelimit.

Apelimi për Kosovën mbështetet kryesisht në mungesën e dokumenteve për një shumë prej 1.9 milion lekësh që ai kishte paguar si këst të parë për një apartament të blerë në vitin 1998. Kosova pretendon se për këtë shumë kishin shërbyer 1.5 milion lekë të marra si kapar për shitjen e një shtëpie në Korçë.

KPK ka marrë në konsideratë pretendimin e Kosovës, i cili kishte deklaruar këtë edhe në vitin 2003. “Në përfundim të procesit të rivlerësimit të pasurisë, për subjektin e rivlerësimit, z. Adnand Kosova, trupi gjykues vlerëson se ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë së tij, si dhe nuk rezulton të ketë pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme. Subjekti ka dorëzuar në kohë deklaratën e pasurisë. Ai nuk është përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Por në krahun tjetër Komisioneri Sina në apelim vë në dukje se fakti që i vetmi dokument për shitjen e shtëpisë ishte një deklaratë noteriale, në të cilën  ajo ishte shitur për 1 milion lekë. Ai e quan në nivel deklarativ pretendimin e marrjes së një kapari prej 1.5 milion lekësh.

Komisioneri Publik thotë se Kosova nuk kishte provuar në mënyrë të besueshme burimin finaciar për të paguar këstin e parë. Sina duke iu referuar edhe qëndrimit të vëzhguesit ndërkombëtar në këtë rast thotë se provat e paraqitura nga Kosova nuk ishin të mjaftueshme. “Komisioneri Publik beson se nuk provohet me prova të besueshme ekzistenca e burimit prej 1.500.000 lekë, për blerjen e 98 m2 të apartamentit”, thuhet në apelim.

Njëkohësisht ai vë në dukje se edhe nëse merrej e mirëqenë shuma, Kosova ishte sërish në shkelje të ligjit pasi kishte shmangur detyrimin tatimorë. “Komisioneri Publik në këtë version të rastit vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka shmangur pagimin e detyrimit tatimor, duke deklaruar vetëm vlerën prej 1.000.000 lekë në kontratë, në një fazë të mëvonshme, për të cilën ka paguar detyrimin tatimor prej 5.000 lekësh, pra ka përjashtuar shumën prej 1.500.000 lekësh, të paguara paraprakisht si kapar”, thuhet në apelim.

Sipas Sinës edhe analiza financiare e Kosovës nuk ishte vlerësuar si duhet pasi ai nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe se arsyetimi i KPK-së në këtë rast se shuma ishte e vogël ishte i gabuar.

IKP kërkon në fund “ndryshimin e vendimit nr. 90, datë 29.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Adnand Kosova dhe shkarkimin e subjektit nga detyra”.

Disa ditë më parë në kërkesën e tyre për ankimim përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) argumentuan në të njëjtat linja se parapagimi nga blerësi për apartamentin në Korçë prej 1.5 milionë lekësh vështirë se mund të merrej si shpjegim i pranueshëm.

“Është tërësisht e palogjikshme të besosh se një parapagesë me vlerë 1.5 milionë lekë është bërë e bazuar në një kontratë inekzistente ose përndryshe të pavlershme – për më tepër kur aludohet se është bërë nga z. ***, i cili më 1998 ka qenë i ri,” shkruhet në letër.

Po ashtu ONM vuri në dukje gjithashtu se mospërfshirja në kontratën finale të çmimit të plotë prej 2.5 milionë lekësh që Kosova thotë se ka marrë nga blerësi për apartamentin në Korçë mund të përbëjë një shmangie të detyrimeve fiskale dhe si e tillë, përbën cënim të imazhit të prokurorit. “Kjo sjellje është e rëndësishme në vlerësimin e etikës së subjektit,” shkruhet në letër. ONM e cilësoi të “pamundur të konfirmosh një subjekt rivlerësimi në detyrë kur ai ofron shpjegime jologjike apo të pabesueshme në lidhje me burimin e një pjese të një aseti të deklaruar”. ONM thotë se është e mendimit që kemi  të bëjmë me falsifikim të origjinës dhe fshehje të saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *