Prokurori Petrit Vukaj në KPK.
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit Petrit Vukaj për probleme në të tri kriteret

Komisioneri Publik Florian Ballhysa njoftoi të premten se kishte ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj prokurorit Petrit Vukaj dhe kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin e tij, pasi prokurori nuk arrin nivel të besueshëm dhe gjendet me mangësi në të tri kriteret e rivlerësimit.

“Ndryshimin e vendimit nr. 774, datë 14.6.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Petrit Vukaj”, thuhet në ankimin që Komisioneri i dërgon KPA.

Prokurori i Fierit, Petrit Vukaj u konfirmua në detyrë më 14 qershor nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, KPK me shumicë votash. Shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesi Lulzim Hamitaj dhe anëtarja Brunilda Bekteshi, nuk gjetën probleme shkarkuese në konstatimet e evidentuara në të tre kriteret e rivlerësimit. Relatorja Etleda Çiftja në pakicë çmoi se në vlerësimin tërësor të tyre duhej të ishte konkluduar shkarkimi i Vukajt nga detyra.

Komisioneri Publik i ka kundërshtuar përfundimet e arritura nga KPK dhe i kërkon Kolegjit të rishqyrtojë rastin duke arsyetuar se Vukaj gjendej me probleme, pasi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

“Në përfundim, Komisioneri Publik vlerëson se të gjitha konkluzionet e mësipërme, në një vlerësim tërësor sipas nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, çojnë në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Vukaj, gjendet në kushtet e nenit 61, pika 3 dhe 5 të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në ankim.

Ankimi kërkon rihetim të kriterit të pasurisë pas sipas Ballhysës pamjaftueshmëria financiare është me e madhe se sa mund të justifikohet me proporcionalitet.  “Komisioneri Publik, lidhur me vlerësimin e kriterit të pasurisë, vlerëson se shkaqet e trajtuara më sipër në këtë ankim, si dhe pamjaftueshmëritë e konstatuara nga Komisioni, për vitet 2006 dhe 2016, çojnë në një rezultat financiar negativ, që tejkalon dhe nuk justifikon zbatimin e parimit të proporcionalitetit”, shprehet Ballhysa.

Sipas tij subjekti nuk ka provuar të kundërtën e barrës së provës lidhur me shpenzimet apo investimet e kryera dhe se shitja e një makine në vlerë disa herë më të lartë se sa çmimi i blerjes “nuk është një logjikë normale financiare, për më tepër kur mjetet motorike, për nga natyra e tyre, janë mjete që amortizohen me kalimin e viteve”.

Sa i përket profesionalizmit Komisioneri Publik vlerëson se Vukaj “ka shfaqur mangësi në aspektin e njohurive ligjore” dhe se ai nuk ka kryer hetimet e duhura në disa çështje. Sipas Ballhysës pretendimet e Vukajt për çështjet me probleme nuk qëndronin dhe se ky i fundit “ka disponuar pezullimin e hetimeve pa ezauruar të gjitha veprimet e mundshme procedurale”.

Po ashtu Komisioneri Publik kundërshton se njohja e Vukajt me një person të dënuar në Itali në vitin 2002 për krim të organizuar e shfrytëzim prostitucioni është rastësore dhe se fakti që arrestimi i këtij personi në vitin 2021 është njoftuar në media dhe po ashtu është bërë nga prokuroria e Fierit ku Vukaj punonte e përgënjeshtrojnë këtë pretendim. “Nuk është i besueshëm dhe nuk mbështetet në gjendjen faktike të akteve në dosje dhe, në thelb, është një përpjekje e subjektit të rivlerësimit për të fshehur marrëdhënien me këtë shtetas”, shprehet Ballhysa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *