Prokurorja Suela Salavaçi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme

Komisionerja Publike ankimon në Kolegj prokuroren Suela Salavaçi

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të mërkurën më 22 nëntor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Suela Salavaçi duke vlerësuar se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë. Ankimi bazohet në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që çmoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK ishte i diskutueshëm përsa i përket pasurisë së prokurores pasi nuk është bazuar në një analizë të kënaqshme të provave.

Salavaçi u konfirmua nga Komisioni më 28 shtator, pasi u përball gjatë një seance dëgjimore që zgjati rreth tre orë e gjysmë me barrat e provës për pasurinë, që kishin të bënin kryesisht me bilancet negative të prindërve për disa pasuri që i kishin dhuruar, si dhe me pamundësitë e konstatuara në vite për investimet dhe shpenzimet e kryera prej saj dhe të bashkëshortit.

Trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Etleda Çiftjan u nda në vendimmarrje. Faskaj dhe Zhegu në shumicë vendosën në favor të konfirmimit të Salavaçit duke arritur në përfundimin se subjekti kishte mundur të shpjegonte bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë. Ndërsa anëtarja Etleda Çiftja në pakicë, arsyetoi se Salavaçi duhej të ishte shkarkuar, pasi nuk arriti të provonte ligjshmërinë e pasurisë dhe rezulton me bilanc negativ.

Vëzhguesit ndërkombëtarë i kërkuar Komisionerit Publik në rekomandim që të kryhej një hetim më i detajuar i të ardhurave të përfituara prej subjektit nga prindërit e saj. ONM theksoi se ndërsa prokurorja Salavaçi kishte marrë dhurata të shpeshta dhe domethënëse nga prindërit, i vëllai i saj nuk kishte përfituar në të njëjtën mënyrë. Po ashtu, u kërkua që të vlerësohej nëse prindërit e subjektit kishin burim të ligjshëm të ardhurash për dhurimet e kryera. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, nëse analiza financiare do të kryhej sipas propozimit të subjektit, atëherë ajo do të reuzltonte me bilanc negativ, minimalisht në shumën 2.5 milionë lekë.

Edhe Komisionerja Irena Nino vlerëson se Salavaçi nuk provoi të kundërtën e barrës së provës mbi burimet e ligjshme të saj dhe personave të lidhur me të për mbulimin e shpenzimeve dhe kursimeve ndër vite për periudhën 2003 – 2016. “Kjo pamjaftueshmëri, e parë dhe në harmoni dhe me pamjaftueshmërinë financiare të konstatuar për personat e lidhur/të tjerë të lidhur me të, prindërit, e vendos subjektin e rivlerësimit përpara parashikimeve të pikës 3, të neni 61, të ligjit nr. 84/2016, pasi nuk arrin një nivel të besueshëm në kontrollin e kriterit të pasurisë, në kuptim të nenit D, pikat 1, 3 dhe 5, të aneksit të Kushtetutës”, citohet në ankim.

Në shkaqet e ngritura në kriterin e aftësive profesionale, duke iu referuar rekomandimit të ONM-së, Nino shprehet se gjetjet duhen vlerësuar në funksion të parashikimeve të nenit 61, pika 5 të ligjit për vetingun e magjistratëve, që ka të bëjë me cënimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe gjendjen në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Në përfundim, Komisionerja Publike Irena Nino kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të prokurores Suela Salavaçi.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *