Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Konflikti i interesit çoi në shkarkimin e gjyqtarit Roland Jaupaj

Blerja prej prindërve me një çmim më të lirë se i tregut i një apartamenti nga një prej kompanive që kryetari i Gjykatës së Fierit Roland Jaupaj kishte gjykuar, u cilësua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si “konflikt interesi” dhe arsye për shkarkimin e gjyqtarit.

Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish-kreun e Gjykatës së Fierit Roland Jaupaj, tregon se ai kishte bindur KPK për një numër llogarish bankare në emër të tij dhe të bashkëshortes, por nuk kishte deklaruar apartamentin 170 metra në përdorim.

Jaupaj siç bën me dije KPK kishte deklaruar apartamentin si adresë të tij, por në formular nuk kishte shënuar nëse e kishte pasuri, e kishte marrë me qira apo e kishte në përdorim. I pyetur nga Komisioni Jaupaj shkroi se ajo ishte shtëpia e prindërve në të cilën ai jetonte.

Hetimet e mëtejshme mbi këtë pasuri të padeklaruar në deklaratën veting,  duket se çuan në shkarkimin e gjyqtarit. KPK zbuloi se apartamenti ishte blerë me një çmim preferencial dhe ishte rivlerësuar disa ditë më vonë me trefishin e atij çmimi. Ata po ashtu mësuan se Jaupaj kishte dhënë një vendim gjyqësorë palë në të cilin kishte qenë edhe kompania që kishte ndërtuar pallatin ku ndodhej apartamenti.

KPK po ashtu gjeti se Jaupaj nuk justifikonte dot 2.4 milion lekë të pretenduara si të ardhura të bashkëshortes para martesës, për të cilat nuk kishte dokumente provuese.

Trupa që kreu procesin e vetingut për Jaupaj me kryesuese Genta Tafa Bungo, relatore Pamela Qirko dhe anëtare Etleda Çiftja, vendosi më 28 maj shkarkimin e Jaupajt, për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Nga vendimi i zbardhur rezulton se Jaupajt nuk iu gjetën probleme në kriterin e figurës dhe as në atë të profesionalizmit.

Roland Jaupaj ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e kreu stazhin profesional në Gjykatën e Kurbinit. Në vitin 2006 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Fierit, ndërsa në vitin 2014, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e emëroi kryetar të kësaj gjykate.

Konflikti i interesit

Pasi pa se Jaupaj nuk kishte deklaruar asnjë pasuri të paluajtshme KPK, i kërkoi këtij të fundit të shprehej mbi apartamentin të cilin deklaronte si adresë. “Ai së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në periudhën 2011 – 2017, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në një dhomë në apartamentin në bashkëpronësi të prindërve të tij”, citohet përgjigja e Jaupaj në vendimin e zbardhur.

KPK arsyetoi se mosdeklarimi i kësaj pasurie ishte në shkelje të ligjit. “Konstatohet se subjekti nuk i ka deklaruar këto pasuri në përdorim nga ana e tij në deklaratën “Vetting” dhe, si rrjedhojë, nuk ka dorëzuar dokumentacionin justifikues ligjor lidhur me ligjshmërinë e burimit të të ardhurave që kanë shërbyer për krijimin e tyre”, thuhet në vendim.

Më tej gjatë hetimit Komisioni ngriti dyshime se veç mosdeklarimit, pas apartamentit kishte të tjera të dhëna që e bënin situatën e gjyqtarit të shkarkuar tashmë, të komplikuar. Kështu KPK gjeti se Jaupaj kishte dhënë një vendim me palë kompaninë që kishte ndërtuar apartamentin vetëm disa muaj para se prindërit e tij dhe ai të vendoseshin në këtë apartament.

Sipas vendimit të zbardhur Jaupaj e kishte përdorur shtëpinë për dy vjet, pa pasur ndonjë kontratë të babait të tij me kompaninë ndërtuese dhe pa ndonjë shpërblim financiar. Po ashtu KPK gjeti se kur u bë një kontratë shitblerje në vitin 2012, babai i Jaupaj pagoi vlerën prej 3,600,000 lekësh për apartamentin dhe 400,000 lekësh, për bodrumin (garazh).

E njëjta pasuri 15 ditë më vonë u rivlerësua. Apartamenti u vlerësua në 9.9 milion lekë, ndërsa garazhi në 900 mijë lekë. Çimet me të cilat u krye blerja ishin sipas KPK-së preferenciale.

Jaupaj kundërshtoi gjetjet. Ai pretendoi se çmimi ishte më i ulët se babai i tij kishte kryer 1.7 milion lekë punime dhe se apartamenti kishte 50 metra verandë që ishin sipas tij me çmim më të lirë.

Në këtë situatë KPK i kërkoi një mendim Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). I pyetur nga KPK, ILDKPKI i shkroi këtij të fundit se nuk kishte gjetur konflikt interesi të gjyqtarit.

“Nga analizimi ligjor i rastit, ka arritur në konkluzionin se nuk mund të vlerësohet dot nëse zyrtari/gjyqtar, z. Roland Jaupaj, ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjes me palë shoqërinë “***” sh.p.k., si dhe në vendimmarrjen gjyqësore, pra, nëse gjendemi para një “konflikti faktik interesi”, si dhe një nga llojet e “konfliktit rast për rast të interesit”, citohet arsyetimi i ILDKPKI në vendim.

Por KPK e rrëzoi këtë arsyetim në vendimin e saj. “Babai i subjektit ka pasur trajtim preferencial në marrëdhënien me shoqërinë”, thuhet në vendim. Ndërsa renditen një sërë arsyesh përfshi çmimin e shitjes, faktin që e kishte përdorur apartamentin për dy vjet pa kontratë paraprake dhe faktin që kishte “garanciotë plota për përfitimin e kësaj pasurie 2 vjet para kontratës”.

Sipas KPK Jaupaj ka dhënë shpjegime për këtë rast dhe ato ishin vlerësuar. KPK nuk jep në vendim se çfarë qëndrimi ka pasur gjyqtari mbi akuzën se ndodhej në konflikt interesi. Në arsyetimin përfundimtarë për këtë rast KPK thotë se vlerësoi se Jaupaj ishte në konflikt interesi. “Subjekti ka përfituar trajtim preferencial në kundërshtim me nenet 23 dhe 24, të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar”, thuhet në vendim.

Po për këtë pasuri prindërit e Jaupaj që u konsideruar persona të lidhur u gjetën me pamundësi financiare në një shumë prej rreth 1.5 milion lekësh. Për analizën financiare KPK ka refuzuar të pranojë si burim të ardhurash punën që Jaupaj pretendonte se kishte bërë i ati si tregtar ambulant.

KPK tha se ai nuk solli dokumente për këtë punë dhe se ajo ishte në nivel deklarativ. “Nga sa më sipër, konstatohet se personat e tjerë të lidhur nuk kanë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar plotësisht pasuritë e krijuara deri në fund të vitit 2012. Theksojmë se në këtë analizë nuk janë përfshirë shpenzime jetese për periudhën 1996 – 1999, për të cilat janë përllogaritur të ardhura”, thuhet në vendimin e KPK.

Problemi me të ardhurat e bashkëshortes

Një numër llogarish bankare të Jaupajt dha bashkëshortes u gjetën pa probleme nga KPK. Disa pasaktësi në deklarimin e depozitave dhe përfitimeve prej tyre, nuk u konsideruan të rëndësishme apo shkarkuese nga KPK.

Por Komisioni ngriti dyshime dhe i kaloi barrën e provës Jaupajt për burimin e ligjshëm të të ardhurave të deklaruara nga bashkëshortja. Sipas vendimit rezulton se ajo pretendonte ndër të tjera një shumë prej 1 milion lekësh të marrë si dhurim nga tezja për të kryer studimet dhe 13 mijë euro të përfituara pas ndërmjetësimit për të blerë një apartament në emër të tezes dhe bashkëshortit të saj.

Këto të ardhura më pas ishin përdorur për të krijuar llogari bankare dhe kursime. Jaupaj kishte pretenduar se bashkëshortja kishte blerë një shtëpi për tezen e saj. Gjyqtari shpjegoi se tezja dhe bashkëshorti i saj i kishin dhënë të shoqes 65 mijë euro për të blerë një shtëpi në Tiranë.

Këto para ishin dhënë pa kontratë noteriale dhe sipas Jaupajt nëse bashkëshortja blinte një shtëpi më të lirë, diferenca e mbetur nga shuma i falej asaj. Në vendimin e zbardhur rezulton se KPK gjeti një sërë kontratash noteriale mbi këtë apartament, i cili ishte vetëdeklaruar nga bashkëshortja e Jaupaj në vitin 2010 si i blerë për llogari të të tretëve dhe që ndodhej në pronësi të saj deri në kryerjen e transferimit.

Komisioni gjeti gjatë hetimit se një person me inicialet G.GJ kishte blerë një apartament 68 metra katrorë në Tiranë më datë 23 mars 2007 për 52 mijë euro dhe se 3 ditë më vonë ia kishte shitur R.M (më vonë bashkëshortja er gjyqtarit) po për të njëjtën shumë parash.

Por pas një kërkese në ZVRPP, KPK gjeti se tezja e bashkëshortes kishte blerë të njëjtin apartament, por nga kompania ndërtuese për shumën 42 mijë euro. KPK gjeti se ishin bërë dy kontrata shitje në të njëjtën ditë me G.GJ dhe me A.K. Kompania ndërtuese pranoi se kishte bërë dy kontrata por shpjegoi se G.GJ, i cili supozohet se ia shiti këtë apartament bashkëshortes së gjyqtarit, ishte tërhequr nga kontrata dhe nuk e kishte blerë asnjëherë apartamentin.

Jaupaj prapësoi në këtë rast duke provuar se a.K, tezja er bashkëshortes, nuk kishte qenë në Shqipëri në kohën kur supozohet se kishte nënshkruar për të blerë apartamentin. Por për KPK rrëmuja e krijuar nga kontratat e mbivendosura dhe fakti që apartamenti ishte shitur me një çmim të ndryshëm nga ai i deklaruar apo që nuk kishte asnjë dokument për trasferimin e shumës prej 65 mijë eurosh nga tezja te bashkëshortja e tij, arsyetoi se ky burim pasurie nuk provohej.

KPK arriti në përfundimin se “nuk qëndrojnë pretendimet e personit të lidhur se ka përfituar shumën 13,000 euro nga marrëveshja verbale për ndërmjetësim”. Kjo vendimmarrje bëri që në analizën financiare të ardhurat e bashkëshortes së Jaupajt të dilnin me probleme. KPK thotë se pas analizës për periudhën 2005-2009 u gjet se bashkëshortja nuk justifikonte 2.4 milion lekë gjendje në llogaritë bankare.

Në fund KPK shprehet se prapësimet e Jaupajt nuk e bindën Komisionin, ndërsa vë në dukje se ai dhe personat e lidhur, kishin mungesë burimesh dhe kishin kryer deklarim të pamjaftueshëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *