Gjyqtari Kastriot Gramshi pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

KPA dëgjon parashtrimet në çështjen e Kastriot Gramshit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, u njoh të martën më 7 shkurt 2023 me parashtrimet në çështjen lidhur me ankimin ndaj konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi. Gramshi u konfirmua në detyrë më 25 mars 2022, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM e vlerësoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të mangët dhe në zbatim të gabuar të ligjit. Bazuar në rekomanimin e ONM-së, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kreu ankim duke kërkuar shkarkimin e Gramshit. Të njëjtin qëndrim, Ballhysa mbajti edhe gjatë parashtrimeve kur pretendoi se gjyqtari Gramshi nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

Gjyqtari Kastriot Gramshi u paraqit në seancë me përfaqësuesit e tij ligjor, avokatin Julian Mërtiri dhe avokaten amerikane, Kathleen Ann Imholz. Pasi Kolegji u tërhoq për të shqyrtuar kërkesën e Gramshit për përfaqësimin edhe nga avokatja Imholz, konstatoi se ajo kishte paraqitur dokumentacion që vërtetonte se kishte licensë aktive për ushtrimin e profesionit të avokatit në Nju Jork, si dhe se ishte e pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri. Por bazuar në dokumentet e paraqitura, u vlerësua se ajo nuk plotësonte kushtet për të ushtruar profesionin e avokatit në Shqipëri dhe për rrjedhojë u rrëzua kjo kërkesë.

I pyetur nga BIRN pas përfundimit të seancës lidhur me të ardhurat me të cilat ishin mbuluar shpenzimet për avokaten me shtetësi amerikane, gjyqtari Gramshi shpjegoi se nuk kishte asnjë lloj shpenzimi, pasi Imholz ishte ofruar ta mbronte pa kundërshpërblim për shkak të miqësisë mes tyre. Sipas Gramshit, nuk kishte as shpenzime për udhëtimin apo për akomodimin në Shqipëri, pasi Imholz jeton në Shqipëri prej vitesh.

Gramshi i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe parashtroi në fillim të seancës një kërkesë për t’u vlerësuar se cili ishte legjislacioni i zbatueshëm në rastin e tij për verifikimin e pasurive. Ai vërejti se të ardhurat dhe pasuria për të cilën ngrihen pretendime në ankim janë krijuar në SHBA gjatë periudhës 2003-2014, në kohën kur ai nuk ushtronte detyrën e gjyqtarit.

Nisur nga fakti se këto pasuri janë krijuar në një shtet tjetër, ai i kërkoi Kolegjit që të çmonte nëse ligji i zbatueshëm për kryerjen e rivlerësimit të tyre ishte ligji i vitit 2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”.

I pyetur nga KPA për qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, Komisioneri Publik theksoi se legjislacioni i zbatueshëm është ai i vetingut të magjistratëve. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Kolegji.

Në fund të seancës, gjyqtari Gramshi vërejti se nëse do të ishte përcaktuar si i zbatueshëm ligji i sugjeruar prej tij, nuk do të gjendeshin në këtë situatë. Subjekti ritheksoi se bëhej fjalë për pasuri të krijuara në periudhën kur nuk ushtronte detyrën e gjyqtarit dhe në një shtet tjetër. Sipas tij, kjo situatë ishte një mosnjohje e legjislacionit nga ana e zbatuesve të ligjit.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është larguar nga detyra me kërkesën e tij. Përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA. Gramshi punon prej tetë vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Parashtrimet

Në deklaratën përpara fillimit të detyrës në vitin 2014, Gramshi ka deklaruar blerjen e një apartamenti në Nju Jork të SHBA-së, për vlerën 290 mijë USD, pasuri për të cilën ka shpjeguar fillimisht se ka parapaguar shumën 29 mijë USD dhe se ka marrë kredi vlerën 261 mijë USD. Në deklaratën “veting” ai e ka deklaruar kredinë si burim, por pa e përcaktuar vlerën.

Gjatë dy pyetësorëve ka deklaruar se ka marrë kredi në shumën 261 mijë USD, ndërsa në pyetësorin e tretë ka deklaruar se kësti i parë në shumën 29 mijë USD është paguar prej tij dhe të vëllait, ndërsa kredia bankare ka qenë në shumën 217 mijë USD. Për të finalizuar kontratën e shitjes është nevojitur që diferenca e mbetur të mbulohej sërish nga blerësit dhe për rrjedhojë është paguar kësti i dytë në vlerën 46, 680 USD.

Ballhysa vëren se rrethanat e pasqyruara në deklaratën para fillimit të detyrës, ato në deklaratën “veting” dhe përgjigjet gjatë hetimit administrativ në Komision deri në pyetësorin e tretë, janë jo të plota mbi burimin e krijimit të pasurisë.

Edhe gjatë parashtrimeve, Ballhysa theksoi se subjekti ka kryer deklarime të pasakta e të paplota për shumën e kredisë, si dhe deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pagesën e këstit të dytë.

Komisioneri vlerëson se Gramshi nuk ka arritur të jetë bindës lidhur me pamundësinë objektive të pretenduar për mosparaqitjen e dokumenteve për periudhën 2003-2004, me argumentin se ka kaluar afati 10-vjeçar për ruajtjen e dokumentacionit nga institucionet në SHBA. Sipas Ballhysës, subjekti mund t’i kishte siguruar këto dokumente në vitin 2014, kur ka kryer deklarimin fillestar, përpara fillimit të detyrës.

Komisioneri vlerëson se subjekti nuk ka qenë i ligjshëm për punë deri në muajin korrik 2004 dhe për rrjedhojë, nuk mund të ketë pasur të ardhura të ligjshme deri në vitin 2005.

Nisur nga deklarimi i subjektit se pasuritë e krijuara në SHBA kishin si burim të ardhurat përpara fillimit të detyrës, Ballhysa kërkoi që analiza financiare të kryhet për vitet 2003-2014. Bazuar në këtë analizë, komisioneri vlerëson se Gramshi gjendet në pamundësi financiare për pagesën e dy kësteve të para të apartamentit si dhe për krijimin e dy depozitave në atë periudhë.

Në vijim, Komisioneri vlerëson se pamjaftueshmëria e konstatuar në vitet kur subjekti nuk ushtronte detyrën, do të ndikonte dhe rezultatin financiare të akumuluar të vitit 2015 kur është shlyer pjesërisht një kredi për shkollimin e bashkëshortes, duke e kthyer bilancin negativ.

Në përfundim, Ballhysa çmoi se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe kërkoi shkarkimin e tij.

Avokati Julian Mërtiri theksoi në fillim të parashtrimeve se këto pasuri janë krijuar kur subjekti nuk ushtronte detyrën e gjyqtarit. Ai këmbënguli se apartamenti dhe depozitat janë krijuar me burime të ligjshme, duke argumentuar se të ardhurat e kishin kaluar testin e ligjshmërisë dhe të pastrimit të parave nga verifikimet e kryera nga ana e institucioneve amerikane.

“Autoritetet ligjzbatuese në SHBA nuk kanë ngritur dyshime për pasuritë dhe të ardhurat e subjektit të krijuara atje,” vërejti Mërtiri dhe kërkoi që pasuritë e krijuara në SHBA të cilësohen si gjë e gjykuar.

Sipas tij, ONM megjithëse konstaton mungesë burimesh, nuk ka kërkuar informacion prej institucioneve amerikane që të të kryente verifikim për ato që pretendon. Sipas tij, për gjendjen faktike duhet aplikuar ligji “Për të drejtën ndërkombëtare private”, ndërsa për aspektin procedural ai i vetingut. “Është e paqartë përse ONM aplikon në mënyrë të gabuar ligjin dhe del në rezultate të gabuara,” pohoi Mërtiri.

Avokati Mërtiri pretendoi se kishte gabime në përllogaritjen e shpenzimeve deri në vitin 2015 dhe se duheshin zbritur me 35%. Sipas tij, korrektimi i analizës për vitet 2012-2015 do të sillte bilanc pozitiv.

Mërtiri e cilësoi ankimin si të bazuar në hipoteza. Lidhur me pasaktësinë e deklarimit të vlerës së kredisë, ai shpjegoi se subjekti i është referuar përcaktimeve në kontratën e shitjes, ku kësti i parë përcaktohej të ishte 29 mijë USD dhe i dyti në vlerën 261 mijë USD do të shlyhej me anë të kredisë.

Ai shpjegoi se kredia është marrë në periudhën e recesionit ekonomik në vitin 2012, e për rrjedhojë banka ka dhënë vetëm 217 mijë USD. Në këto kushte ka lindur nevoja e pagesës tjetër që është konsideruar si këst i dytë.

Sipas subjektit, kjo ka qenë mënyra e kuptimit të deklarimit, pasi po të verifikoheshin deklaratat, ato kishin qenë të njëjta. Avokati Mërtiri shtoi se çdo gjë verifikohej lehtë edhe në dokumentet që gjyqtari Gramshi kishte dorëzuar në ILDKPKI lidhur me blerjen e apartamentit, si dhe çdo gjë ishte kryer nëpërmjet pagesave bankare.

“Konstatimi për pasaktësitë në deklarime nuk ka sjellë pasoja dhe nuk pengon hetimin e thelluar. Pasaktësistë nuk shoqërohen me pamjaftueshmëri financiare,” argumentoi Mërtiri dhe theksoi se subjekti justifikon me burime të ligjshme edhe krijimin e likujditeteve.

Për konstatimin e komisionerit se subjekti nuk mund të krijonte të ardhura të ligjshme në vitet 2003-2004 pasi ishte pa leje pune, Mërtiri vërejti se ishte e provuar se në gusht të 2004-ës, Gramshi ishte pajisur me leje pune. Sipas tij, Gramshi ka qenë i licensuar si shitës imobilar në vitin 2004 dhe që të sigurohej kjo mundësi duheshin disa muaj praktikë, që vërtetonte se ai kishte punuar.

Në vijim, Mërtiri solli argument të ngjashëm edhe lidhur me punësimin e babait të subjektit. Ai argumentoi se babai i Gramshit kishte dalë në pension të parakohshëm në vitin 2014 dhe sipas legjislacionit amerikan duheshin të paktën 10 vite pune për të përfituar një gjë të tillë. Sipas Mërtirit, ky fakt vërtetonte se edhe babai i subjektit kishte punuar e krijuar të ardhura që prej vitit 2004.

Lidhur me pretendimin për pamundësinë objektive për të siguruar dokumentacion për vitin 2004, Mërtiri u shpreh se në vitin 2014, kur subjekti ka kryer deklarimin e parë e ka hartuar sipas kërkesave të ILDKPKI-së. Sipas tij, detyrimi për të siguruar dokumente shtesë ka lindur në momentin e plotësimit të deklaratës “veting” në vitin 2017 dhe në këtë moment kishin kaluar 13 vjet prej 2004-ës e për rrjedhojë nuk ishin më të disponueshme dokumentet që ruheshin nga institucionet amerikane për 10 vjet. “Subjekti gjendet në kushtet e pamundësisë objektive,” pohoi Mërtiri.

Ai kundërshtoi kërkesën për shtrirjen e analizës financiare në vitet 2003-2004. Mërtiri pohoi se edhe nëse do të konstatohej bilanc negativ në ato vite, më e shumta do të prekeshin shpenzimet e atyre viteve dhe jo burimet financiare që kanë shërbyer për apartamentin dhe depozitat.

Mërtiri kërkoi reduktimin e shpenzimeve. Sipas tij, shtimi i një anëtari në familje në vitin 2007 nuk shtonte shpenzimet në mënyrë përpjestimore. Ai kërkoi që analiza të kryhet sipas regjimit të përbashkët familjar, duke pretenduar se subjekti rezultonte gjithmonë me bilanc pozitiv.

“Nuk jemi në kushtet e mungesës së burimeve, fshehjes së pasurisë apo gjendjes në kushtet e kofliktit të interesit. Në rastin konkret nuk ka asnjë indicie minimale për paligjshmëri,” vërejti Mërtiri.

Në përfundim, gjyqtari Gramshi renditi dokumentet që i cilësoi si prova të reja, për një pjesë të të cilave shpjegoi se ishin ligje dhe udhëzime të shkarkuara nga faqet zyrtare online të institucioneve amerikane. KPK administroi një pjesë të dokumenteve, ndërsa për ligjet dhe udhëzimet e siguruara online, u shpreh se megjithëse nuk u pranuan si prova, do të konsultohen dhe vlerësohen, duke qenë se gjenden në burime të hapura.

Bazuar në kërkesën e gjyqtarit Gramshi për më shumë kohë për përgatitjen e konluzioneve përfundimtare, KPA vendosi të shtyjë seancën për më datë 15 shkurt, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *