Avokati Julian Mërtiri dhe prokurori Erion Pano pas seancës në KPA| Foto:BIRN
KPA Lajme Veting

KPA dëgjon parashtrimet në çështjen ndaj prokurorit Erion Pano

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten parashtrimet e palëve në procesin e rivlerësimit të prokurorit Erion Pano. Komisionerja Publike Irena Nino, që ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e Panos në detyrë, i kërkoi KPA që ta ndryshojë këtë vendim duke arsyetuar se Pano “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”.

Nga ana e tij Pano dhe avokati Julian Mërtiri pretenduan se ankimi i Komisionerit ishte i pabazuar dhe se vendimi i KPK duhej të qëndronte në fuqi.

Pano u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 24 nëntor 2022, pasi u vlerësuan bindëse shpjegimet e tij për balancat negative për krijimin e një pjese të burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 83 m2 + 9.8 m2 sipërfaqe e përbashkët, në Tiranë. Po ashtu, u çmuan bindëse prapësimet e subjektit për konstatimet për disa çështje profesionale, ndërsa një rast kur rezultoi se nuk kishte zbatuar urdhërimet e gjykatës, u konsiderua i pamjaftueshëm për të sjellë pasojë.

Por, Komisionerja Publike, Irena Nino e ka gjetur të pabazuar vendimin e KPK-së dhe e ankoi vendimin në Kolegj ku kërkon shkarkimin e prokurorit Pano nga detyra për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë dhe mangësitë profesionale.

Gjatë fjalës së saj para trupës së KPA, të kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë: Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo, Nino i qëndroi ankimit duke arsyetuar se Pano kishte pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe rezultonte me balanca negative të parargumentuara.

Nino arsyetoi se deklarimi i kursimeve cash nga subjekti ishte kontradiktor dhe i pasaktë. “Për më tepër, vlerësohet se deklarimet e subjektit të rivlerësimit mbi kursimet në cash në deklaratat periodike vjetore, deklarimet e tij gjatë procesit të hetimit administrativ, dhe deklarimet e dhëna në procesverbalet e mbajtura pranë ILDKPKI-së4 , mbi të cilat duket se Komisioni ka bazuar dhe vendimmarrjen e tij, janë kontradiktore dhe të pasakta”, tha Nino në parashtrime para KPA.

Komisionerja Publike këmbënguli se KPA kishte precedentë të qartë sa i përket mënyrës së deklarimit të kursimeve cash duke vënë në dukje se ato duhej të llogariteshin “sikundër deklarohen në deklaratat periodike vjetore, të cilat, në kuadër të këtij procesi, marrin vlerën e provës”.

Avokati i Panos, Julian Mërtiri, i cili bëri mbrojtjen sa i përket çështjeve të ngritura në kriterin e pasurisë, kundërshtoi Komisioneren Publike dhe i tha Kolegjit që ankimi nuk ishte i bazuar. Mërtiri tha se “Me togfjalëshin “kursime familjare” subjekti ka paraqitur shumatoren e kursimeve në total”, duke pretenduar se analiza financiare që tregonte bilanc negativ i rriste artificialisht kursimet e subjektit.

Po ashtu edhe pretendimi të Ninos se subjekti nuk kishte deklaruar mbajtjen cash në shtëpi të një shumë që më herët ishte depozituar si bono thesari dhe më pas ishte përdorur për të paguar blerjen e një apartamenti, u kundërshtua nga Mërtiri.

Sipas tij “në perceptimin e subjektit kjo ka qenë vetëm një lëvizje e pasurisë ekzistuese të deklaruar dhe më parë prej tij, nga gjendja  faktike në sistemin bankar për në banesë. Në konceptin e subjektit, thjesht ka ndryshuar vendi i ruajtjes të shumave respektive”.  Ai pretendoi se pasaktësitë në deklarime ishin korrigjuar dhe argumentuar.

Por Komisionerja Publike Nino tha se pretendimi i subjektit mbi perceptimin e gabuar në mënyrën e plotësimit të deklaratave ndër vite nuk qëndron.  “Mënyra e plotësimit të këtyre deklarimeve, duket se subjekti e ka pasur të qartë mënyrën e deklarimit të kursimeve, duke specifikuar për çdo rast kur kursimet vjetore janë depozituar në sistemin bankar, në Bankën e Shqipërisë”, tha Nino në parashtrime.

Palët po ashtu kundërshtuan njëra tjetrën në lidhje me tre denoncime mbi procedimet penale të ndjekura nga Pano.

Komisionerja Publike tha në lidhje me një kallëzim për një hetim të vitit 2010 se prokurori nuk kishte kryer detyrën. “Nga aktet e administruara rezulton se hetimet e ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit kanë qenë të mangëta dhe jo të gjithanshme, konfirmuar ky fakt dy herë, nga kontrolli gjyqësor i hetimeve paraprake”, tha Nino

Pano, i cili bëri vetë mbrojtjen në këtë  kriter, këmbënguli se kishte kryer detyrën me etikë dhe se kishte zbatuar ligjin.   “Sa i përket njohurive profesionale kam arritur të prodhoj arsyetim koherent dhe evidentim të dispozitës procedurale korrekte. Nuk kam kryer veprime jo etike brenda apo jashtë zyrës së prokurorit, që të kenë cenuar testin objektiv”, tha Pano, duke shtuar se nuk e kishte cënuar besimin të drejtësia.

Palët po ashtu iu përgjigjën disa pyetjeve nga ana e relatores. Pas dëgjimit të parashtrimeve KPA vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësore dhe caktoi datën 4 prill për dëgjimin e bisedimeve përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *