Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : B. Likmeta
Analiza KPA Veting

KPA i rrëzoi të gjitha pretendimet e Anila Galanxhit ndaj vendimit të Komisionit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar të gjitha pretendimet e ish-prokurores Anila Galanxhi (Pappa) të ngritura në ankimin e saj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që për shkak të dorëheqjes së saj ndëpreru procesin e rivlerësimit, si dhe i ndaloi riemërimin në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në vendimin e arsyetuar të KPA-së renditen gjithë procedurat e hetimit administrativ të kryera prej Komisionit, deri në vendimarrjen e ndërprjes së vetingut për Galanxhin dhe vendosjen e sanksionit ndaj saj.

Procesi i rivlerësimit për ish-prokuroren Galanxhi u fillua në janar të vitit 2019 dhe u ndëpre dy vjet e gjysmë me vonë, në korrik të vitit 2021, kur ajo dha dorëheqjen pasi u njoh me barrat e provës për pasurinë dhe pastërtinë e figurës dhe pas disa shtyrjeve të seancës dëgjimore me pretendimin për të siguruar prova dhe se ishte e sëmurë nga COVID-19.

Pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka njoftuar Komisionit vendimin për përfundimin e statusit të magjistratit për prokuroren Galanxhi për shkak të dorëheqjes së saj dhe është konfirmuar marrja e formës së prerë së këtij vendimi, subjekti është thirrur në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar, por ajo e ka refuzuar këtë të drejtë.

Në këto kushte, trupi gjykues i KPK, i kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Etleda Çiftjan vendosi më 13 korrik 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit për Galanxhin dhe i ka hoqi asaj të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme.

Galanxhi ushtroi ankim ndaj vendimarrjes së Komisionit, duke pretenduar se sanksioni që e ndalon të riemërohet sërish në një funksion në sistemin e drejtësisë vjen në kundërshtim me parimet e procesit të rregullt ligjor, parashikuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo e bazoi këtë shkak ankimi në pretendimin se trupi gjykues i Komisionit nuk kalon testin e pavarësisë dhe paanësisë, për arsye se dy anëtare të tij nuk plotësojnë kriteret e zgjedhshmërisë.

Parashikimin e nenit G të Aneksit të Kushtetutës që sanksionon ndalimin e rikthimit në institucionet e drejtësisë për 15 vjet, subjekti e ka konsideruar jo proporcional dhe ka pretenduar se nuk mund të zbatohet apriori duke paragjykuar faktin e dorëheqjes.

Ajo vëren se “kjo masë ndëshkimore ka karakter më ndëshkues se çdo dënim tjetër plotësues i parashikuar nga Kodi Penal”.

Në vijim Galanxhi ka pretenduar se nuk është dorëhequr për t’ju shmangur procesit të rivlerësimit, por si pasojë e një situate të mbartur nga shkelje të rënda ligjore në përzgjedhjen e anëtarëve të trupit gjykues të KPK, që sipas saj i kanë krijuar një situatë shqetësuese dhe stresuese duke i cënuar të drejtën themelore të cilësisë së jetës familjare.

Kolegji konstaton se shkaku për cënim të parimeve për një proces të rregullt ligjor, subjekti i rivlerësimit nuk e lidh me shkelje të kryera nga Komisioni gjatë hetimit administrativ, por ua atribuon dyshimeve mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e Komisionit me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret e zgjedhshmërisë.

Lidhur me këto pretendime, KPA sjell në vëmendje jurispudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që në vendimin që i përket çështjes së ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, ku nuk janë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut lidhur me mënyrën e krijimit të funksionimit të institucioneve të vetingut

“Fakti që anëtarët e institucioneve të rivlerësimit mund të hiqen nga detyra vetëm në rast të kryerjes së një shkeljeje disiplinore, në përputhje me procedurën e parashikuar nga ligji, nuk vë në dyshim garancitë e nevojshme për mosheqjen e tyre nga detyra, të cilat janë të pranishme në çështjen në fjalë”, vëren Kolegji dhe e quan të pabazuar pretendimin se mandati i kufizuar dhe mungesa e pandryshueshmërisë së komisionerëve në rast të shkeljeve nga ana e tyre cënon pavarësinë e organeve të rivlerësimit.

Po ashtu, sillet në vëmendje fakti se Galanxhi e ka ngritur pretendimin për mosplotësimin e kritereve të zgjedhshmërisë së dy anëtarëve të trupës, rreth dy vjet e gjysmë pasi kishte filluar hetimi administrative ndaj saj. Në vendim thuhet se kontrolli i plotësimit të kritereve të zgjedhshmërisë së anëtarëve të institucioneve të vetingut nuk është kompetencë e Kolegjit, pasi ligji ngarkon institucione të tjera.

Kolegji çmon të pabazuar edhe pretendimin se një prej anëtareve të trupës së KPK gjendej në kushtet e papajtueshmërisë në gjykim, pasi po shqyrtonte dhe çështjen e kunatit të saj subjekt rivlerëismi.

Sipas KPA, argumenti i përdorur nga subjekti nuk kualifikohet në kushtet e situatës së konfliktit të interesit dhe për rrjedhojë është gjetur i drejtë vendimi KPK për rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e anëtares së trupës.

Kolegji vëren se Galanxhi nuk ka mbajtur qëndrim konsekuent lidhur me arsyet e dorëheqjes nga detyra, pasi në kërkesën drejtuar KLP-së është shprehur se i është krijuar mundësi e re profesionale për një marrëdhënie të re pune në sektorin privat. Ndërkohë në ankim pretendon se dorëheqja nuk ka të bëjë me mungesën e vullnetit për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit, por si pasojë e një situate të mbartur nga shkelje të rënda ligjore në përzgjedhjen të anëtarëve të trupit gjykues. Gjithashtu, ajo ka pretenduar se si pasojë i është krijuar një situatë shqetësuese e stresuese që i ka cënuar dhe të drejtën themelore të cilësisë së jetës familjare.

Trupi gjykues i KPA konsideron të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes faktin e shprehjes së vullnetit të subjektit të rivlerësimit për të mos vijuar me procesin e rivlerësimit, duke mos qenë subjekt për shkak të dorëheqjes nga statusi i magjistratit. Në vendim theksohet se ndërprerja e vetingut për shkak të dorëheqjes së subjekteve të rivlerësimit, sjell për pasojë dhe zbatimin e nenit G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, sipas të cilit subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Për rrjedhojë është rrëzuar pretendimi Galanxhit për shfuqizimin e sanksionit, si dhe është konsideruar i pabazuar pretendimi se nuk është e drejtë që sanksioni në këtë rast të jetë më ndëshkues me normat maksimale të dënimeve plotësuese të parashikuara në Kodin Penal.

Sipas KPA, subjekti nuk ka paraqitur argumente e prova dhe për pretendimin tjetër se i është cënuar e drejta për respektimin e jetës private apo familjare.

Në përfundim KPA e ka gjetur të drejtë vendimin e Komisionit dhe e ka lënë atë të në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *