Takimi në Durrës për hartën e re gjyqësore. Foto:Vali Qyrfyçi.
Lajme

Avokatët e Durrësit paralajmërojnë se harta e re gjyqësore do të nxisë vetëgjyqësi

Harta e re gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor hasi në të njëjtat kundërshtime edhe gjatë prezantimit të saj para magjistratëve e avokatëve në Durrës.

Kryetari i sapo zgjedhur i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani duke kundërshtuar argumentet e KLGJ-së për përparësitë që sjell harta e re, theksoi se ajo i largonte qytetarët nga drejtësia. “Faktet reale me ato që ju diskutoni e propozoni janë të kundërta. Ka fluks gjykimesh, po vonesa që vijnë si pasojë e mungesës së gjyqtarëve. Qytetarëve i largohet shumë përfaqësimi në gjykata”, tha Petani.

Për avokatin Përparim Caca, pretendimi se ky organizim i ri i gjyqësorit shmang korrupsionin nuk qëndron, ndërsa distanca mes qytetarit dhe gjykatës sipas tij mund të nxisë vetëgjyqësinë.

“Kur themi aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ai duhet të jetë me kosto sa më të ulët, në kohë rekord dhe të jetë i thjeshtë. Ajo që propozohet është që vetëm ai që ka para mund të kërkojë avokat për t’iu drejtuar gjykatës”, tha Caca. Ai tha se harta e re duke larguar gjykatën nga qytetari do të dekurajonte kërkimin e drejtësisë në rrugë gjyqësore dhe t’i shtyjë qytetarët të zgjidhin “çështjen me konflikt e vetëgjyqësi”.

Dhoma e Avokatisë Durrës kërkoi që të rishihet harta dhe të mos shkrihet gjykata administrative dhe ajo e apelit në Durrës, për shkak të fuqisë ekonomiko-sociale dhe problematikave që ka ky rajon.

Lidhur me debatin mbi aksesin e qytetarit në gjykata, larg vendbanimit, në emër të KLGJ-së, zv.kryetari i saj Maksim Qoku i cili bëri dhe prezantimin e hartës së re para avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të Durrësit, Kavajës e Krujës argumentoi se ajo nuk do ta cënonte aksesin.

“Një qytetari nuk i duhet një gjykatë që e ka afër, po nuk ofron gjykim cilësor. Qytetarit i duhet një gjykatë e drejtë dhe e paanshme”, tha Qoku. Ai po ashtu pretendoi se pasja e një gjykate Apeli për të rritur eficencën dhe profesionalizmin. “Kjo hartë e re do të çojë në një qëndrim të unifikuar pasi çështje të së njëjtës natyrë janë gjykuar ndryshe në apele të ndryshme”, tha ai.

Në takim u pranua nga drejtuesit e KLGJ-së se sistemi gjyqësor është në gjendje mjaft të rënduar, me problematika të shumta.

Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykata administrative në Tiranë dhe Fier, si dhe 1 gjykatë apeli në Tiranë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *