Skeda e pasurisë së deklaruar –Kastriot Gramshi– Gjykata e Tiranës
KPK Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar –Kastriot Gramshi– Gjykata e Tiranës

Gjyqtari Kastriot Gramshi i Gjykatës së Tiranës do të përballet të martën më 15 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Firdes Shuli.

Kastriot Gramshi ka punuar si pedagog i së drejtës penale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar i republikës së Shqipërisë në vitin 2014. Gramshi punon prej 7 vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të gjyqtarit Kastriot Gramshi nga viti 2014 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga gjyqtari Kastriot Gramshi.

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2014, gjyqtari Kastriot Gramshi deklaron pasuri me vlerë 49.6 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e tij familjare kap vlerën e 51.9 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2016, Z. Gramshi zotëron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 39.9 milionë lekë, likujditete bankare prej 10.5 milionë lekësh si dhe një automjet me vlerë 1.4 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën 2014-2016 janë 6.1 milionë lekë, nga të cilat 24% kanë si burim të ardhurat nga qiraja, 17% të ardhurat nga funksioni, 11% të ardhurat e bashkëshortes dhe 9% nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.

Subjekti Kastriot Gramshi rezulton me burime financiare të pamjaftueshme për të mbuluar shtesa aseti ose shlyerje detyrimesh konkretisht: në vitin 2014 në vlerën 136,597 lekë, pasi nuk deklaron pagë të vetën; ndërsa në vitin 2016 në vlerën 1,025,758 lekë.

Në vitin 2016, Gramshi deklaron blerjen e një apartamenti banimi me çmim 48,000 euro, me burim kryesor financimi kursimet e akumuluara para emërimit si gjyqtar. Megjithëse subjekti deklaron kursime të konsiderueshme nga puna e tij në SHBA, ai nuk deklaron pakësim të kursimeve që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit.

Në vitin 2015, subjekti deklaron shlyerje të regullt vjetore në vlerë 5,806,411 lekë për detyrimet ekzistuese, të tilla si një kredi bankare për blerje shtëpie banimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për vazhdimin e studimeve universitare të bashkëshortes së tij.

Gjithashtu në vitin 2015 deklarohet hua e marrë kunatës në shumën 20,000 USD, pa interes dhe pa afat të caktuar, për pagesë e detyrimeve (tuituion + interesa) për studimet universitare të bashkëshortes së subjektit.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *