Prokurorja e Lushnjes Natasha Prifti (Shallapi) para seancës në KPK. Foto:LSA
KPK Vendi

KPK e konfirmoi prokuroren Natasha Prifti në aplikim të parimit të proporcionalitetit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i vlerësoi jo penalizuese deklarimet e pasakta dhe mungesat financiare të prokurores së Lushnjës, Natasha Shallapi, duke arguentuar se balanca negative përfshin një periudhë të gjatë të bashkëshortit par lidhjes së martesës dhe përpara se subjekti të fillonte detyrën.

Prokurorja Natasha Prifti pas vendimit nga KPK. Foto: BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 28 maj të konfirmojë në detyrë prokuroren e Lushnjës, Natasha Prifti Shallapi duke i konsideruar mungesat financiare dhe deklarimet e pasakta për pasurinë jo penalizuese. Gjithashtu, KPK i vlerësoi të pabazuara informacionet e një raporti të dytë të DSIK-së për figurën dhe u bind se prokurorja Prifti është e “aftë” edhe për kriterin profesional.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për prokuroren Prifti kryesohej nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn.

Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë.

Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për disa pasaktësi në deklarimin për kriterin e pasurisë si dhe për balanca negative që në shumën totale kapin vlerën 1 milion e 648 mijë lekë. Sipas trupit gjykues, pjesa më e madhe e mungesave financiare është konstatuar për pasuritë dhe shpenzimet e kryera nga bashkëshorti para se ata të bashkëjetonin dhe të lidhnin martesë, si edhe para se ajo të fillonte detyrën.

Pasaktësitë në deklarimet e subjektit të rivlerësimit dhe të bashkëshortit të saj janë konsideruar pa pasoja në krijimin e pasurive dhe për rrjedhojë janë vlerësuar jo penalizuese.

Prokurorja Prifti ka lidhur martesë në vitin 2013, ndërkohë që në pyetësorin standard ka deklaruar se ka filluar të bashkëjetojë me bashkëshortin A.P. në janar të vitit 2012. Duke iu referuar datës së bashkëjetesës dhe martesës ligjore, KPK ka hetuar pasuritë, shpenzimet dhe detyrimet e bashkëshortit.

Trupi gjykues nuk ka konsideruar në analizën financiare vlerat e përfituara prej bashkëshortit nga shitja e disa autoveturave, për të cilat nuk është paguar tatimi mbi fitomin. Pas kalimit të barrës së provës Prifti ka kërkuar konsiderimin e këtyre të arduurave, pretenduar se fitimi që mund të realizohet nga shitja e automjeteve nuk është e ardhur e tatueshme. Por, duke u bazuar në legjislacionin për “Tatimin mbi të ardhurat”, si dhe në jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA – Komisioni vlerëson se të ardhurat e përfituara nga pasuritë e luajtshme nuk përjashtohen nga tatimi.

Veç transksioneve të automjeteve, bashkëshorti i subjektit ka deklaruar në vitin 2013 kur është lidhur martesa, edhe një gjendje cash në vlerën 4 milionë lekë. Megjithëse nga analiza financiare për periudhën 2001-2013 ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 648 mijë lekë, Komisioni vlerëson të marrë në konsideratë faktin se mungesa e burimeve financiare të ligjshme përfshin një periudhë relativisht të gjatë të jetës së bashkëshortit përpara lidhjes së martesës ligjore, rreth 12 vjet, nga të cilat 8 vjet përpara se subjekti të ishte prokurore.  “[…]Për rrjedhojë, krijimi i të ardhurave nuk mund të ketë qenë nga përdorimi i përfitimeve të paligjshme për shkak të ushtrimit të funksionit të magjistratit të bashkëshortes”, citohet në vendim.

Sipas trupit gjykues, në kohën e krijimit të pjesës më të madhe të të ardhurave, bashkëshorti i subjektit nuk e gëzonte statusin e personit të lidhur me subjektin të rivlerësimit dhe nuk mbarte detyrimin për deklarim, si dhe nuk kishte ndonjë detyrim ligjor të tregohej i kujdesshëm deri në nivelin e ruajtjes së dokumentacionit që provon ligjshmërinë e të ardhurave të tij në atë kohë.

“Një detaj tjetër që vlen të mbahet në konsideratë është edhe fakti se nga hetimi i kryer subjekti dhe personi i lidhur nuk rezultojnë ta kenë përdorur shumën cash prej 4.000.000 lekësh për të investuar në të tjera pasuri, gjë e cila do të çonte në mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e tyre[…]”, vijon argumentimin Komisioni dhe shton se tre prej automjeteve që ka blerë bashkëshorti, kanë rezultuuar të jenë në përmbushje të ushtrimit të aktivitetit tregtar nga ana e tij.

Në përfundim Komisioni vlerëson se për mungesën e të ardhurave financiare për të mbuluar shpenzimet dhe investimet në periudhën 2001 – 2013, faktet dhe provat rrethanore, bazuar në parimin e proporcionalitetit, krijojnë bindjen se kjo mungesë nuk mund të kualifikohet shkarkuese. Sipas trupit gjykues, subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.

Drejtorja e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar në KPK dy raporte të ndryshme për pastërtinë e figurës së prokurores Prifti. Në raportin e dytë, DSIK janë ngritur dyshime për përfshirje të subjektit në veprimtari të kundërligjshme shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës dhe i është kërkuar Komisionit që të konkludojë.

KPK ka verifikuar një çështje të pretenduar prej nga ka rezultuar se veprimet hetimore nuk janë kryer nga subjekti, por nga prokurori A.H..

Komisioni ka verifikuar edhe nëse prokurorja Prifti ka hetuar procedime penale ku të pandehurit janë mbrojtur nga vëllai i bashkëshortit i cili ushtron profesionin e avokatit. Nga verifikimet ka rezultuar se subjekti ka hequr dorë nga çështjet në të cilat palët përfaqësoheshin nga vëllai i bashkëshortit.

“[…]nga hetimi i Komisionit në lidhje me raportin e organeve verifikuese u konstatua se të dhënat e paraqitura nuk përputhen me situatën faktike të çështjeve të shqyrtuara dhe nuk rezultuan veprime apo mosveprime të subjektit të rivlerësimit, të cilat konfirmojnë informacionin e përcjellë nga organet verifikuese”, konstaton KPK dhe shprehet se subjekti ka arritur një nivel të besueshëm edhe në kontrollin e figures.

Komisioni nuk ka gjetur probleme penalizuese edhe në çështjet e hetuara prej subjektit që i janë nënshtruar verifikimit, si edhe në 8 denoncimet e depozituara nga publiku. “[…]denoncimet e trajtuara nuk përmbajnë fakte apo rrethana që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriterin e rivlerësimit profesional për subjektin e rivlerësimit”, vlerëson trupi gjykues dhe shton se prokurorja Prifti është “e aftë” pasi ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve dhe është eficient në masë të pranueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *