Pamundësia e vjehrrit për ti dhënë një hua që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë të një apartamenti; kredia e butë e përfituar për këtë banesë dhe shitja e kësaj pasurie në kundërshtim me ligjin; mosdeklarimi zotërimit nga bashkëshortit të aksioneve në një shoqëri si dhe kontaktet me vëllanë e tij, Mirel Mërtiri dhe bashkëjetuesen Stela Gugallja – të akuzuar për aferat korruptive të incineratorëve; si dhe hetimi dy çështjeve në konflikt interesi, u konsideruan nga Kolegji në vlerësimin e përgjithshëm në drejtim të cënimit të besimit të publikut, duke sjellë shkarkimin e prokurores Mariola Mërtiri.
Prokurorja e Tiranës, Mariola Mërtiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 21 dhjetor 2022. Shumica e KPK konkludoi se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit, ndërsa pakica çmoi megjithëse gjetjet veçmas nuk mund të sillnin penalizim, të konsideruara së bashku çonin në shkarkimin e Mërtirit për cenim të besimit të publikut.
Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk e gjetën të bazuar vendimarrjen e Komisonit dhe kërkuan rihetim të subjektit. Në rekomandim u evidentua se shumica në KPK dështoi të kryente hetim të plotë, që të arsyetonte apo argumentonte vendimin e saj për të konfirmuar Mërtirin. Bazuar në këtë rekomandim, ish-Komisionerja Publike, Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj duke kërkuar shkarkimin e Mërtirit.
Mariola Mërtiri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe punoi si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2016 deri në vitin 2024, Mërtiri e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Tiranës.
Vlerësimi pasurisë
Si burime krijimi për një apartament në Fier të blerë në vitin 2011 për vlerën 4.5 milionë lekë, Mërtiri ka deklaruar 1 milion lekë dhuratë nga vëllai i bashkëshortit, Mirel Mërtiri dhe 1 milion e 260 mijë lekë hua nga vjehrri, që kanë shërbyer për pagesën e këstit të parë. Kësti i dytë është shlyer po në 2011-ën nëpërmjet një kredie bankare. Komisioni nuk ka gjetur probleme për burimet e shumave të dhuruara. Po ashtu, është çmuar se edhe kredia lehtësuese e përfituar nga Bashkia Fier ka kaluar të gjitha fazat dhe është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak Fier.
Bazuar dhe në rekomandimin e ONM-së, ish-Komisionerja Publike, Irena Nino u shpreh kundër vlerësimit të KPK, qoftë për qasjen e ndjekur në analizën financiare kryer në Komision, ashtu edhe për sa i përket analizës për mënyrën e përfitimit të kredisë në kushte lehtësuese. Nino vlerësoi se analiza financiare e dhuruesve nuk duhej të ishte kufizuar vetëm në vlerën e shumës objekt dhurimi, por se duhej të përfshiheshin edhe të ardhurat dhe shpenzimet e tjera të dokumentuara të tyre. Ajo argumentoi se aktet në fashikujt e administruar në Komision tregojnë se analiza nuk do të ishte objektive dhe tërësore nëse përjashtohen këto të dhëna apriori, për shkak të një interpretimi të ngushtë.
Mërtiri i kundërshtoi të gjitha aspektet e shkaqeve të ankimit për këtë pasuri duke argumentuar se shtrirja e analizës financiare të personave të tjerë përtej kufijve të dhurimeve të tyre do ta ngarkonte atë me një barrë disproporcionale për të justifikuar të gjithë pasuritë e personave të tjerë të lidhur. Sipas subjektit, ish-Komisionerja Publike nuk argumentoi përse rasti i saj ishte specifik për të lejuar kryerjen e një analize që vjen në kundërshtim edhe me praktikën e Kolegjit, duke këmbëngulur se analiza e kryer nga Komisioni ishte e drejtë dhe duhej pranuar si e tillë.
Shkakun e ankimit për pagesën e këstit të dytë nëpërmjet kredisë me kushte lehtësuese, Nino e parashtroi si në drejtim të pasurisë, ashtu dhe në drejtim të integritetit dhe në vlerësimin tërësor të çështjes. Ajo pretendoi se subjekti nuk përmbushte disa prej kritereve për të përfituar këtë lloj kredie që, sipas saj, përbën përfitim për shkak të funksionit si prokuror. Po ashtu, Komisionerja Publike argumentoi se subjekti e ka shitur apartamentin në shkelje të dispozitave që normojnë kushtet dhe kufizimet që gjejnë zbatim në rastet e këtyre kredive, ndërsa blerjen e ka kryer kundrejt një çmimi preferencial. Në tërësi, Nino vlerësoi se subjekti ka cenuar besimin e publikut nëpërmjet veprimeve që lidhen me përfitimin e kësaj kredie dhe shitjen e apartamentit të fituar nëpërmjet saj.
Mërtiri i kundërshtoi argumentet e ish-Komisioneres Publike duke këmbëngulur se ajo dhe bashkëshorti plotësonin të gjitha kriteret. Ajo kundërshtoi qoftë çmimin në dukje preferencial të blerjes me argumentin se apartamenti është blerë në tregun e lirë dhe faktin që shitja është kryer për të mundësuar krijimin e një banese tjetër. Subjekti argumentoi se mosgjetja e dokumentacionit të depozituar prej saj për përfitimin e kredisë është përgjegjësi e Bashkisë dhe se nuk mund ti ngarkohet asaj.
KPA e ka vlerësuar pjesërisht të drejtë kërkimin e ish-Komisioneres Publike. Kolegji vëren se në vijim të vlerësimit dhe analizës së kryer, subjekti i rivlerësimit rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme të mjaftueshme për mbulimin e këstit të parë të apartamentit, pasi vjehrri është gjetur në pamundësi për dhurimin e shumës 1 milion e 260 mijë lekë. Po ashtu, konstatohet se Mërtiri nuk provoi të ketë plotësuar kriteret ligjore për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese, sikurse edhe të ketë vepruar në përputhje me detyrimet ligjore që ndalojnë tjetërsimin e banesave të përfituara nga programet sociale.
Kolegji e cilëson të pakuptimtë konkluzionin e KPK të bazuar në pretendimet e subjektit për të ardhura të ndryshme nga aktet. Në vendim konstatohet se aplikimi për kredi mbi bazën e të ardhurave të referuara në aktet zyrtare është fakt i pakontestueshëm. Ndërsa konstatohet se aktet e tjera të depozituara nga Mërtiri 11 vjet më vonë, gjatë dhe në funksion të ndryshimit të rezultatit të hetimeve, nuk janë ato mbi të cilat është mbështetur përfitimi i suksesshëm i kredisë.
Nga verifikimi i formulës së përllogaritjes së kufirit maksimal të të ardhurave ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur pasur të ardhura mujore dyfishin e tavanit të pagave të vendosur si kriter për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese. Po ashtu, sillet në vëmendje se në kohën kur Mërtiri ka aplikuar për kredinë e butë, nuk ka deklaruar zotërimin e aksioneve të bashkëshortit në një shoqëri.
Sipas shpjegimeve të saj, shoqëria tregtare në fjalë nuk kishte fitim dhe se ishte e krijuar nga bashkëshorti përpara se të lidhej martesa.
Kolegjit sjell në vëmendje se qëllimi i ligjit “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, është ndihma për strehim nga shteti e familjeve në nevojë, të cilat përndryshe nuk do të mund të përballonin me të ardhurat e tyre vlerat e tregut.
“Në këtë logjikë, një individ që përfiton të ardhura familjare në dyfishin e vlerës maksimale kualifikuese dhe, për më tepër, posedon interesa financiare të materializuara në investim prej 4.000.000 lekësh në një shoqëri tregtare, siç është rasti i bashkëshortit të subjektit, nuk mund të argumentohet si person në nevojë”, arsyeton Kolegji duke theksuar se situata financiare e çiftit Mërtiri ishte dukshëm më e favorshme dhe për pasojë, në mospërputhje me qëllimin e akordimit të këtij fondi, që ishte ndihma e familjeve në nevojë apo vulnerabël.
Bashkëshortët Mërtiri e kanë shitur apartamentin në vitin 2017 me një fitim prej 1.1 milion lekësh. Në atë vit ka deklaruar se është ende në proces shlyerja së kredisë me kushte lehtësuese. KPK nuk ka gjetur probleme, duke konstatuar se veprimet për shitjen e apartamentit janë lejuar nga organet e tjera dhe se zbatimi legjislacionit për keditë e buta, nuk duhet të ketë pasur zbatim në rrethanat e rastit.
Mbështetur dhe në rekomandimin e ONM-së, Nino ka çmuar se shitja e apartamentit është kryer në kundërshtim me ligjin.
Edhe Kolegji vlerëson se shitja e këtij apartamenti, ndërsa vijonte shlyerja e kredisë me kushte lehtësuese, është e ndaluar në mënyrë të shprehur në ligj dhe në vendimet e qeverisë. “[…]subjekti ka shitur banesën e përfituar në saj të kësaj kredie në vitin 2017, gjashtë vite pasi e kishte blerë, ndërkohë që vijon të shlyejë kredinë dhe me përfitim financiar. Në këto kushte, rezulton që shitja e banesës së përfituar nga subjekti dhe personi i lidhur, për shkak të programeve sociale, është në kundërshtim me kuadrin ligjor të përfitimit të kësaj pasurie”, vlerëson Kolegji dhe i ka konsideruar këto gjetje në kontekstin e përgjegjësisë së subjektit si magjistrate për të respektuar ligjin edhe në jetën personale.
Ndërkohë, pretendimi i Ninos për blerjen e apartamentit me çmim preferencial është çmuar se nuk mund të ketë peshë në vlerësimin e përgjithshëm të subjektit.
Ashtu si dhe ish-Komisionerja Publike, Kolegji vlerëson se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë lidhur me mosdeklarimin e aksioneve të zotëruara nga bashkëshorti në një shoqëri, në vlerën prej 4 milionë lekësh.
Në vendim thuhet se situata ligjore dhe faktike e konstatuar në kriterin e pasurisë, është bërë pjesë e vlerësimit tërësor, lidhur me cënimin e besimit të publikut.
Figura dhe profesionalizmi
Kolegji i ka dhënë të drejtë Ninos dhe për shkaqet e ngritura në kriterin e figurës e profesionalizmit. Sipas gjetjeve të ONM-së, subjekti nuk ka deklaruar një kontakt të papërshtatshëm, si dhe kontakte të papërshtatshme faktike. Referuar edhe gjetjes së ONM, ka rezultuar që subjekti kishte kërkuar në prill 2015 të përjashtohej nga një procedim penal i nisur në dhjetor 2012 në ngarkim të shtetasit V. Z. alias A. G. dhe familjarëve të tij, të cilët po hetoheshin për transaksione të dyshimta dhe veprimtari kriminale jashtë vendit, duke krijuar të ardhura të cilat investoheshin më pas nëpër biznese në Shqipëri. Po ashtu, ka rezultuar se V. Z. ka qenë i dënuar në Itali për “prostitucion dhe pjesëmarrje në organizatat kriminale me qëllim trafikimin e drogës”. Subjekti ka shpjguar në pyetësorë se në vitin 2012, ky shtetas i ka shitur bashkëshortit të saj apartamentin në Fier.
Në kërkesën për heqje dorë nga hetimi, Mërtiri ka paraqitur atëherë nevojën e evitimit të konfliktit në dukje të interesit, për shkak të lidhjes së kontratës përfundimtare të shitjes me këtë person. Kërkesa për heqje dorë është pranuar nga drejtuesi i prokurorisë dhe subjekti është zëvendësuar në atë procedim.
Mërtiri ka argumentuar se e ka plotësuar saktësisht deklaratën për kontrollin e figurës në kushtet kur z. V. Z. nuk ka qenë kontakt i saj apo bashkëshortit. Sipas saj, edhe nëse do të kishte ekzistuar, kontakti i personit të lidhur do ishte rastësor, për shkak të marrëdhënies kontraktuale.
KPA i vlerëson jo bindëse shpjegimet e Mërtirit, duke argumentuar se ajo tre vjet më vonë nga lidhja e kontratës, e ka konsideruar me peshë transaksionin për blerjen e apartamentit duke dhënë dorëheqjen.
“Në kushtet që ajo e ka konsideruar marrëdhënien e krijuar të atillë që të passillte papajtueshmëri në ndjekjen personalisht të procedimit penal prej saj për këtë individ, kjo marrëdhënie nuk mund të argumentohet logjikisht se është e atillë që nuk përbën as edhe kontakt të bashkëshortit për të passjellë deklarimin në procesin e rivlerësimit”, arsyeton Kolegji dhe e ka gjetur të bazuar konstatimin e Ninos se subjekti nuk ka deklaruar saktësisht në deklaratën e figurës. Shpjegimet e Mërtirit se ka qenë bashkëshorti që ka nënshkruar kontratën dhe jo ajo, si dhe faktin se nënshkrimi është kryer në kohë të ndryshme që nëkupton se nuk janë takuar, janë gjetur pa lidhje prej KPA.
Duke sjellë në vëmendje faktin se subjekti ka hequr vetë dorë nga hetimi atij personi, KPA vlerëson se rrethana nëse është kryer ose jo takimi në zyrën e noterit gjendet pa lidhje në vlerësimin e çështjes.
Tjetër problem i ngritur për figurën nga Nino ka qenë dhe marrëdhënia mes prokurores Mërtiri, bashkëshortit të saj dhe vëllait të këtij të fundit e kunatës, Mirel Mërtirit e Stela Gugalljas, që janë të dënuar si të përfshirë në aferat e incineratorëve.
Kolegji çmon se vijimi i kryerjes së detyrës së prokurores nga subjekti do të ishte në mospërputhje me qëllimin e procesit të rivlerësimit për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Në këtë konkluzion, KPA shprehet se ka mbajtur në konsideratë ndërthurjen e ndërsjelltë, të vazhdueshme, të shtrirë në kohë e të ngushtë, si dhe përzierjen në vazhdimësi të interesave financiare të bashkëshortit të subjektit me të vëllanë e tij, Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e këtij të fundit, të cilët cilësohen si persona të përfshirë në krimin e organizuar.
“…subjekti dhe personi i lidhur/bashkëshorti nuk kanë kultivuar një marrëdhënie që karakterizohet nga distancimi, qoftë edhe për t’u kujdesur për shkak të funksionit zyrtar të saj”, citohet në vendim, por në vijim argumentohet se nisur nga fakti që procedimet për aferat e incineratorëve janë regjistruar pas plotësimit të deklaratës për kontrollin e figurës, konsiderohet si rrethanë lehtësuese për ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme.
Në përfundim, Kolegji e vlerëson të pabazuar pretendimin e subjektit se i është cënuar jeta private, për shkak të kryerjes së procesit të rivlerësimit apo vendimmarrjes që bazohet edhe në raportet familjare, duke konstatuar se hetimi administrativ nuk ka qenë disproporcional.
Në aspektin profesional, Kolegji konstaton se subjekti duket se nuk ka kryer hetim shterues në një çështje ndaj punëdhënësve të bashkëshortit. Mangësitë e hetimit dhe mos heqja dorë nga kjo çështje, sipas KPA tregojnë për një sjellje që duket të ketë pasur në kontekst favorizimin e punëdhënësve të bashkëshortit. Trupi gjykues vlerëson se Mërtiri duhej të kishte paraqitur kërkesën për heqje dorë nga hetimi, për të shmangur perceptimin e gjendjes në kushtet e konfliktit në dukje të interesit.
Në vijim Kolegji vëren se subjekti ka trajtuar disa materiale kallëzuese që lidhen me Bashkinë Fier. Disa punonjës të bashkisë janë hetuar prej prokurores Mërtiri, pasi asaj i është akorduar kredia me kushte lehtësuese në vitin 2011, në shkelje të dispozitave ligjore. Trajtimi i këtyre materialeve kallëzuese vlerësohet se përbën gjendje të subjektit në kushtet e konfliktit të mundshëm të interesit.
Nisur nga fakti se Mërtiri nuk ka kërkuar dorëheqje nga hetimi çështjeve në fjalë, këto rrethana janë mbajtur në konsideratë në vlerësimin e përgjithshëm.
Ish-Komisionerja Publike parashtroi në ankim dhe gjatë gjykimit në Kolegj se subjekti ka kryer hetim me të meta të dukshme procedurale në pesë çështje penale, përfshirë edhe dy prej tyre për të cilat është analizuar në drejtim të konfliktit të interesit.
Dhe Kolegji ka çmuar se ka pasur mangësi, por janë konsideruar të pamjaftueshme për të sjellë penalizim dhe janë konsideruar në vlerësimin e përgjithshëm.
Të gjitha gjetjet e konstatuara në të tre kriteret janë konsideruar nga Kolegji në vlerësimin e përgjithshëm, prej nga është konkluduar se prokurorja Mariola Mërtiri gjendet e papërshtatshme për të vijuar detyrën, pasi rrethanat faktike e ligjore të konstatuara cilësohen sipas përcaktimeve ligjore, në drejtim të cenimit të besimit të publikut.




