Prokurori i Elbasanit Artur Ismajlukaj u konfirmua në detyrë më 7 korrik 2023 pasi u përball me dy seanca dëgjimore në të cilat kryesisht u diskutua mbi udhëtimet e tij në makina me persona me precedentë penalë – në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Për pasurinë dhe profesionalizmin nuk u evidentuan probleme domethënëse. KPK dërgoi për verifikime të mëtejshme në ILD çështjet e evidentuara, për t’u hetuar në kuadër të shkeljeve disiplinore të mundshme.
Ismajluakaj deklaroi gjatë hetimit administrativ se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Subjekti mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.
Vendimmarrja e Komisionit u vendos në diskutim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, që i kërkoi ish-institucionit të Komisionerëve Publikë ta ankimonin çështjen në Kolegj. Ish-Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim duke çmuar se të dhënat për kontaktet direkte apo indirekte të prokurorit Ismajlukaj me persona të përfshirë në veprimtari kriminale, duhej të vlerësoheshin brenda procesit të vetingut të magjistratëve dhe bazuar në rekomandimin e ONM-së e në jurisprudencën e Kolegjit. Në përfundim, Nino kërkoi shkarkimin e Ismajlukajt për cënim të besimit tek publiku.
Vlerësimet ndryshe të KPA
Ish-Komisionerja Publike ka sjellë në vëmendje të Kolegjit faktin se subjekti i rivlerësimit më datë 8 janar 2017 ka kaluar kufirin shqiptar me një mjet në pronësi të shtetasit K. J., person i përfshirë në krimin e organizuar. Sipas Ninos, për shkak të pozitës së subjektit të rivlerësimit dhe njohjeve të tij të ngushta në Tropojë, nuk duket bindës pretendimi i tij se nuk ka qenë në dijeni të ngjarjeve që lidhen me këtë shtetas. Me këtë automjet, gjithashtu rezulton të kenë udhëtuar persona me të cilët subjekti i rivlerësimit ka lidhje familjare e shoqërore.
Lidhur me këtë çështje, Komisioni ka konstatuar se nuk u provua asnjë e dhënë apo indicie për ekzistencën, qoftë edhe vetëm të një informacion, kontakt, fotografim, bisedë telefonike apo e dhënë e treguar nga një dëshmitar, për subjektin me shtetasin K. J.. Po ashtu, KPK ka konkluduar se nuk ka rezultuar që subjekti i rivlerësimit apo ndonjë nga personat e lidhur të kishte ndonjë komunikim jorastësor me ndonjë person të përfshirë në krimin e organizuar apo që të kenë përfituar ose shkëmbyer ndonjë të mirë materiale të çfarëdo lloji me shtetasin K. J.. Për rrjedhojë është çmuar se për Ismajlukajn nuk disponohen elemente të mjaftueshme provueshmërie të situatave faktike të kontaktit të papërshtatshëm.
Në përgjigje të problematikës së ngritur nga ish-Komisionerja Publike, shumica e trupit gjykues të KPA vlerëson se kalimi i kufirit më datë 8 janar 2017 nga subjekti i rivlerësimit si pasagjer, me automjetin në pronësi të shtetasit K. J. të përfshirë në krimin e organizuar, nuk e përjashton nga përgjegjësia për pakujdesinë e treguar në udhëtimin me këtë automjet, ndonëse nuk është provuar asnjë kontakt i drejtpërdrejtë me të apo e aktivitetit kriminal, dënimit në Itali apo procedurave të ekstradimit të pronarit të makinës.
“…edhe pse në automjet ndodheshin Y. V., në atë kohë me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Tropojë dhe E. H., Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, nuk e përjashton subjektin e rivlerësimit nga përgjegjësia për pakujdesinë e treguar në udhëtimin me këtë automjet”, citohet në vendim.
Ndërsa, udhëtimet po me këtë automjet, edhe i personave të tjerë me lidhje shoqërore apo familjare me subjektin, vlerësohet se nuk mund të afektojnë integritetin dhe etikën profesionale të prokurorit.
Në vendim trajtohen dhe gjetje të tjera lidhur me hetimet e kryera nga subjekti kur ishte oficer i policisë gjyqësore të një çështje ndaj një personi me të cilin kishte pasur marrëdhënie miqësore, rrethanë që sipas Komisioneres Publike është pranuar dhe nga Ismailukaj. Sipas ish-Komisioneres, kjo “është një sjellje e cila më së paku ndikon në perceptimin negativ të qytetarëve në integritetin, përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e organeve të drejtësisë”. Nino ka theksuar në parashtrime se ky element në tërësi me rastet e tjera të rezultuara, qoftë edhe në mungesë të konfliktit të interesit, ndikon në cenimin e imazhit të prokurorisë, duke e vendosur subjektin në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Pretendimet e Ismajlukajt se kishte njoftuar drejtuesin e prokurorisë dhe prokurorin për këtë çështje, Nino i cilësoi si deklarative.
Në parashtrimet në Kolegj, subjekti i rivlerësimit është shprehur se kryerja e veprimeve hetimore sipas parashikimeve ligjore, të cilat kanë passjellë dënimin e shtetasit D. M. jo vetëm nuk e cenon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por përkundrazi e forcon atë.
Ai ka pretenduar se hetimi i kryer në përputhje me ligjin, edhe në kushtet e mundshme të konfliktit të interesit, apo marrëdhënieve miqësore me të pandehurin në këtë rast tregojnë integritetin dhe vendosjen e ligjit e të detyrës para marrëdhënies miqësore.
Në vijim, subjekti ka argumentuar se përderidsa nuk ka asnjë provë që ai të ketë kryer hetime të paplota me qëllim favorizimin e të pandehurit, nuk mund të arrihet në përfundimin e cenimit të besimit të publikut.
Kolegji vëren se megjithëse në Prokurorinë e Tropojës në atë periudhë ka qenë vetëm drejtuesi, një prokuror dhe subjekti në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, në kushtet kur mbetet deklarative se ka njoftuar eprorët lidhur me njohjen që ka pasur me të hetuarin, rrethanat përfaqësojnë një sjellje që tregon trajtimin me neglizhencë të situatës, e cila ndikon në perceptimin e publikut në integritetin dhe pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Lidhur me konstatimet për udhëtimet me shtetasin e dënuar A.Z., subjekti ka shpjeguar se ka pasur marrëdhënie shoqërore me të, e cila daton përpara dënimit të tij penal. Ismajlukaj ka deklaruar se qëllimi i udhëtimit ka qenë për të shkuar në Tiranë ku kishte banimin dhe anasjelltas, pasi mundësitë për të lëvizur në orare të ndryshme kanë qenë të kufizuara. Lidhur me faktin se i pandehuri është dënuar nga gjykata për një vepër penale për të cilën veprimet dhe procedurat hetimore janë realizuar nga subjekti, sipas këtij të fundit, vërteton se nuk është ndikuar në kryerjen e detyrës nga marrëdhëniet e njohjes. Po ashtu, Ismajlukaj ka sjellë në vëmendje dhe dënimin me gjobë të këtij shtetasi, duke theksuar se ky fakt provon dhe rëndësinë e veprës penale në raport me shkeljen e ligjit.
Subjekti ka shtuar se A.Z. pas këtij dënimi ka ushtruar funksione të ndryshme në administratën publike të qytetit të Bajram Currit, pranë Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Tropojë, Bashkisë Tropojë dhe Postës Shqiptare, fakte që sipas tij vërtetojnë edhe rehabilitimin shoqëror, përveçse atij penal të të hetuarit.
Edhe në këtë rast Kolegji vlerëson se, pavarësisht ecurisë hetimore e gjyqësore të procedimit ndaj A.Z., udhëtimi me automjetet e tij përfaqësojnë një sjellje të pakujdesshme që ndikon në perceptimin e publikut rreth integritetit dhe pavarësisë së organeve të drejtësisë.
Gjatë hetimit administrativ në Komision, subjekti ka deklaruar se ka përdorur automjetin në pronësi të shtetasit S. K., pa prokurë apo pa akt të veçantë, për arsye personale, pa shpërblim dhe për një periudhë të shkurtër kohore në vitin 2016. Ai ka shpjeguar se me shtetasit A. K. dhe S. K. ka lidhje familjare. Në vitin 1992, shtetasi S.K. ka qenë i dënuar për vjedhje të pasurisë shtetërore.
Nga të dhënat e TIMS, ka rezultuar se Ismajlukaj ka udhëtuar dhe me një person tjetër të dënuar nga Gjykata e Tropojës për plagosje të lehtë me dashje, në bashkëpunim. Ismailukaj ka shpjeguar se shtetasin N.L. e njeh për shkak të lidhjeve familjare që ai ka me shtetasin S.K.. ai ka pohuar se udhëtimi është kryer për nevoja personale të tij dhe për shkak të përdorimit të automjetit të shtetasit S. K., është marrë shtetasi N. L. si shofer.
Edhe këto raste sipas Kolegjit, tregojnë sjellje që mund të afektojnë integritetin dhe etikën profesionale të prokurorit.
Nino parashtroi dhe një gjetje lidhur me një transfertë në shumën 1 milion lekë nga subjekti në llogarinë e një personi të dënuar në ’99-ën për përvetësim të pasurisë shtetërore dhe armëmbajtje pa leje, vlerë që është deklaruar se i është dhuruar nga vjehrri.
Ismajlukaj ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se shumën 1 milion lekë e ka transferuar në llogarinë e shtetasit G.M. që ta këmbente në monedhën euro, me qëllim kryerjen e pagesave të një apartamenti.
Kolegji vlerëson se transferimi kësaj shume duhej të shmangej nga subjekti, në funksion të ruajtjes së figurës së funksionarit të organeve të drejtësisë.
Në përfundim të analizimit të këtyre fakteve, shumica vlerëson se ato meritojnë të konsiderohen në vlerësimi tërësor. Por, shumica thotë se në vendimarrje është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe objektivitetit, kjo për arsye të rrethanave të konstatuara si, faktit se një pjesë e konstatimeve i përkasin kohës kur Ismajlukaj ka qenë oficer i policisë gjyqësore; disa nga personat kanë qenë të rehabilituar në kohën e kryerjes së veprimit të caktuar nga subjekti, si në rastet e përdorimit të automjetit apo transferimi bankar i shumës.
“…mbi të gjitha nuk u evidentua që ushtrimi i funksionit të subjektit të rivlerësimit të jetë ndikuar nga kontakti me këta persona apo ngjarje, si dhe në kushtet kur dispozitat kushtetuese dhe ligjore në kuadër të procesit të rivlerësimit nuk parashikojnë masa të tjera disiplinore më të lehta se ajo e shkarkimit nga detyra, situatat e analizuara më sipër u gjetën të pamjaftueshme nga trupi gjykues për të bërë të zbatueshëm nenin 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, për cenim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë”, arsyeton shumica e Kolegjit dhe ka çmuar se shkaqet e ish-Komisioneres Publike u gjetën të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit.
Gjyqtarja relatore, Natasha Mulaj vlerëson ndryshe, duke çmuar se vendimarrja e shumicës nukështë proporcionale lidhur me analizën e fakteve të përgjithshme të kësaj çështjeje.
Ajo vlerëson se sjelljet e subjektit nuk mund të justifikohen me pretendimet e parashtruara, që lidhen me largësinë nga familja, lidhjet farefisnore dhe shoqërore në një rreth të vogël si Tropoja. Sipas Mulajt, subjekti për arsye të funksionit duhet të mbante një distancë të sigurt nga personat me probleme me drejtësinë, për të ruajtur integritetin e tij si prokuror, të sistemit të drejtësisë në tërësi, si dhe për të shmangur çdo ndikim të mundshëm apo përceptim negativ të publikut mbi të. “…sidomos kur bëhet fjalë për një rreth të vogël, siç është Tropoja”, shrehet Mulaj.
Në vijim ajo arsyeton se kryerja e veprimeve hetimore ndaj personave me të cilët ka pasur marrëdhënie shoqërore, si dhe udhëtimet e përsëritura me automjetet në pronësi të personave me probleme me drejtësinë, hedhin dyshime mbi integritetin dhe etikën profesionale të një funksionari të sistemit të drejtësisë.
Relatorja Mulaj vlerëson se për këtë çështje nuk mund të zbatohet parimi i proporcionalitetit apo objektivitetit, pasi rastet e sjelljes që hedhin dyshime mbi integritetin dhe etikën profesionale janë të përsëritura gjatë gjithë karrierës së subjektit, pavarësisht detyrës së ushtruar si oficer i policisë gjyqësore apo prokuror.
“…sjellje të cilat në dukje japin panoramën e një familjariteti të subjektit të rivlerësimit me persona që kanë probleme me drejtësinë”, shprehet Mulaj dhe thekson se mbi këtë arsyetim, ka votuar kundër vendimmarrjes së shumicës duke kërkuar shkarkimin e Ismajlukajt.




