Prokurori i Beratit, Tasim Puci në seancën dëgjimore me KPK. Foto: LSA
Analiza KPA Veting

Shkarkimi i prokurorit Tasim Puci për deklarim të pamjaftueshëm u gjet i drejtë nga KPA

Ashtu si Komisioni, edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA konkludoi se prokurori i Beratit, Tasim Puci ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, megjithëse e gjeti një prej pretendimeve të tij të bazuar. Prokurori Puci u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 15 prill të vitit 2021 për problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë, ndërsa mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Prokurori Puci ushtroi ankim duke ngritur pretendime për aspektin procedural dhe pasurinë. Ai pretendoi se Komisioni gjatë rivlerësimit të tij, kishte shkelur parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, parimin e sigurisë juridike, si dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor nga një vendim i paarsyetuar.

Ai kërkoi kalimin e çështjes për shyqrtim në seancë publike, por kërkesa u gjet e pabazuar prej Kolegjit, që argumentoi se pretendimi mbetet deklarativ dhe pa asnjë ilustrim për problematikën ekzakte të identifikuar prej subjektit.

Shkaqet për pasurinë

Komisioni e ka konsideruar të papranueshme sjelljen e prokurorit Tasim Puci në posedimin dhe përdorimin e një automjeti, pa e regjistruar dhe pa e pajisur me leje qarkullimi për disa vite. Po ashtu ka rezultuar pamundësi financiare.

Mgjithëse nga hetimi administrativ ka rezultuar se prokurori Puci dhe familjarët e tij nuk kanë automjet në pronësi, është evidentuar kontrata e blerjes së një makine nga subjekti në qershor të vitit 2012 kundrejt vlerës 500 mijë lekë, shumë për të cilën është përcaktuar se është shlyer tërësisht jashtë zyrës noteriale.

Puci i kundërshtoi gjetjet duke pretenduar se ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Berat dhe nuk e ka përdorur automjetin në fjalë, pasi puna me banesën me qira është vetëm 500 metra larg. Subjekti shpjegoi se makina gjendej në ambjentet e prokurorisë, ku dhe kishte qëndruar gjithmonë. Për mosregjistrimin e kësaj pasurie, ai u justifikua me ngarkesën e punës dhe me dyshimet që kishte se ku do të vazhdonte jetën, në Berat apo në Tiranë.

Dhe në ankim subjekti ngriti të njëjta pretendime, duke theksuar se konkluzioni i Komisionit se mosregjistrimi i një automjeti është një sjellje e papranueshme për një prokuror, lidhet me shkelje të dispozitave të Kodit Rrugor që rëndojnë ekonomikisht mbi magjistratin. Sipas tij, në raste të tilla ligji parashikon sanksione në formën e kamatëvonesave.

Lidhur me pamundësinë financiare të konstatuar prej KPK në masën 355 mijë lekë, subjekti pretendoi se kjo është e vetmja pasuri që ka krijuar në gjithë vitet e punës. Puci ka shpjegusar se një pjesë të pagesës për blerjen e mjetit e ka siguruar nga kursimet dhe një pjesë borxh.

Kolegji vëren se pasi ka analizuar aktet në fashikull dhe pretendimet e subjektit të rivlerësimit, ka rezultuar se ai ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e automjetit në vitin 2012. Për këtë arsye, pretendimet e Pucit për aspektin financiar të kësaj pasurie janë gjetur të bazuara.

Nga ana tjetër, KPA konstaton se Komisioni nuk rezulton të ketë mbajtur një qëndrim në vlerësimin etiko-profesional apo të ketë mbajtur në konsideratë mosregjistrimin e automjetit në funksion të masës disiplinore të marrë. Sipas Kolegjit, KPK duket se është mjaftuar vetëm me vlerësimin pasuror të automjetit, pa specifikuar peshën respektive në vlerësimin e subjektit. Për rrjedhojë, megjithëse problemi evidentuar nga KPK konfirmohet dhe nga Kolegji, është çmuar që të mos e bazojë vendimmarrjen tek gjetja për mosregjistrimin e automjetit.

Nga hetimi i kryer prej Komisionit ka rezultuar se subjekti ka nënshkruar në vitin 2004 një kontratë sipërmarrje për prenotimin e një apartamenti në Tiranë, për vlerën 4 milionë lekë. Po ashtu, është konstatuar se Puci ka paguar shumën prej 10 mijë euro. Në vitin 2011, me anë të një deklarate noteriale për kalim të drejtash, ai i ka kaluar vjehrrit të gjitha të drejtat dhe detyrimet mbi këtë apartament. Pas këtij akti, vjehrri ka paguar shumën prej 2 milionë e 795 mijë lekësh dhe shoqëria ndërtuese ka lidhur kontratën e shitjes së kësaj pasurie të paluajtshme.

Prokurori Puci ka shpjeguar se apartamenti është prenotuar prej tij në vitin 2004, pasi prindërit e bashkëshortes ndiheshin të frikësuar për shumën e parave që do të jepnin dhe në këto kushte i kanë kërkuar atij ta nënshkruante kontratën, ngaqë ishte prokuror.

KPK ka konstatuar se vjehrri dhe vjehrra e subjektit kanë jetuar dhe punuar gjatë gjithë kohës në Përmet dhe se nuk vërtetohet të kenë jetuar apartamentin në kryeqytet. Nga ana tjetër, subjekti e ka deklaruar këtë apartament si adresë banimi, prej vitit 2004 e në vijim. Nisur dhe nga fakti se prej vitit 2017 banesa përdoret nga familja e subjektit, Komisioni ngriti dyshime se kjo është pasuri e fshehur e prokurorit Puci. Prej analizës financiare është konstatuar pamundësi për shlyerjen e çmimit të këtij apartamenti me burime të ligjshme.

Puci i kundërshtoi konkluzionet e KPK, duke pretenduar se hetimi administrativ është kryer bazuar në raportin e pasaktë e të falsifikuar të ILDKPKI-së, si dhe në dokumente të falsifikuara nga shoqëria e ndërtimit. Subjekti kundërshtoi në ankim edhe konstatimin e Komisionit për mosdeklarim të kontratës së sipërmarrjes dhe pagesës së shumës prej 10 mijë eurosh në vitin 2004, duke pretenduar se asnjë nga këto fakte nuk ka ndodhur. Sipas tij, gjithë mandatarkëtimet janë depozituar në Komision dhe ato tregojnë që pagesat për apartamentin janë kryer nga i vjehrri. Ai ka pretenduar në ankim se nuk ka dijeni për këto akte dhe se kush e ka vendosur emrin e tij, duke e cilësuar konkluzionin e KPK të bazuar në dokumente të falsifikuara.

Pretendimet e Pucit janë gjetur të pabazuara dhe nga Kolegji, që vlerëson se apartamenti në Tiranë është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit. KPA konstaton se, subjekti, fillimisht gjatë hetimit administrativ dhe pa asnjë rezervë, ka pranuar kryerjen e veprimeve juridike për apartamentin, përfshirë dhe deklaratën noteriale të heqjes dorë. Po ashtu, ka dhënë shpjegime për shkaqet për të cilat ai ka vepruar.

“[…]në kushtet që në ankim e në parashtrimet e shumta në adresë të Kolegjit, subjekti paraqet një situatë faktike kryekëput të ndryshme, nëpërmjet të cilës pretendon padijeni për pasqyrimin e emrit të tij në këto akte apo edhe veprime të kundërligjshme nga të tretë. Kjo qasje u vlerësua nga trupi gjykues si një përpjekje e subjektit për të përmbysur e kthyer në favor të situatës së tij në proces gjithë sa ka konstatuar Komisioni, bazuar edhe në shpjegimet e zgjeruara të tij gjatë hetimit administrativ”, çmon Kolegji dhe shton se pohimet e subjektit përveçse jobindëse, janë edhe të pakuptimta.

Ky konkluzion sipas Kolegjit, u jep përgjigje dhe pretendimeve të Pucit, që aludon për veprime të kundërligjshme nga disa persona fizikë, juridikë, e institucione në dëm të tij.

Duke konsideruar dhe faktin se subjekti ka qenë në pamundësi për krijimin e kësaj pasurie, Kolegji vlerëson se të gjitha rrethanat e kualifikojnë atë në kushtet e fshehjes së pasurisë.

Komisioni ka hetuar dhe për disa transaksione nga vjehrri i Pucit dhe bashkëshortja ndër vite. Ka rezultuar se vjehrri i ka dërguar subjektit një sasi likuiditetesh në vitet 2011-2012. Bashkëshortja i ka dërguar të atit vlera monetare nëpërmjet depozitimeve cash në vitet 2012-2019 dhe së fundmi asaj i janë dërguar shuma nga babai. Transaksionet janë konstatuar si të paqarta prej Komisionit, si dhe se subjekti nuk ka shpjeguar dhe dokumentuar burimet e ligjshme të të ardhurave të vjehrrit, i cili për këto transaksione është cilësuar person tjetër i lidhur. Megjithatë, për këto konstatime komisioni nuk ka nxjerrë konkluzione.

Puci ka pretenduar se transaksionet janë kryer si pasojë e marrëdhënies së vjehrrit me vajzën e tij për mobilimin e apartamentit, në formën e ndihmës për të përballuar shpenzimet e përditshme. Për burimet që kanë shërbyer për këtë qëllim, subjekti ka theksuar se janë të ardhurat e vjehrrit nga puna si elektricist, depozitat bankare, si dhe dy kredi të marra prej tij për të plotësuar nevojat familjare.

Këto transferta vlerësohen nga Kolegji si një aspekt domethënës, që përpos mungesës së burimeve, janë si një pasqyrim i krijimit të marrëdhënieve financiare të pashpjeguara nga subjekti – kjo në linjë me sa është konstatuar edhe për veprimet juridike të krijuara për apartamentin lidhur me sjellje të Pucit në mungesë transparence.

Në përfundim dhe Kolegji vlerëson se prokurori Tasim Puci gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe se shkarkimi i tij nga detyra duhet të lihet në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *