Markelian Kuqo në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA

KPA njihet me konkluzionet përfundimtare në çështjen e Markelian Kuqos

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 5 tetor me konkluzionet përfundimtare në çështjen e juridiksionit displinor për gjyqtarin e Korçës, Markelian Kuqo, ku ky i fundit kërkoi ndryshimin e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për shkarkimin e tij nga detyra, pasi liroi me kusht të një dënuar me burgim të përjetshëm. Përfaqësuesit e KLGJ-së dhe institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, kërkuan rrëzimin e ankimit të Kuqos si të pabazuar dhe lënien në fuqi të shkarkimit të tij.

Kolegji pezulloi më 11 mars gjykimin e procesit për Kuqon, me argumentin se mungonte një praktikë e unifikuar nga Gjykata e Lartë lidhur me rastet e lirimit me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Ky vendim u revokua më 27 shtator, kur u njoftua se Gjykata e Lartë kishte marrë vendim lidhur me rekursin e të dënuarit Gerd Gjenerari ndaj vendimit të Apelit Korçë, që e cilësoi të pabazuar e të paligjshëm vendimarrjen e Kuqos për lirimin e tij.

Gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua më 10 dhjetor 2020 nga KLGJ me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, për shkelje të rënda dhe cënim të besimit te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

Vendimi i gjyqtarit Kuqo u rrëzua në Apel, pas ankimit të Prokurorisë së Korçës, por Gjenerari nuk është kthyer më në qeli dhe nuk është gjetur dot nga policia. Nga relatimet e palëve pas revokimit të pezullimit të procesit dhe në bisedimet përfundimtare, u mësua se Gjykata e Lartë e kishte lënë në fuqi vendimin e Apelit, duke rrëzuar kështu arsyetimet dhe argumentet e gjyqtarit Kuqo për lirimin e Gjenerarit.

Kuqo i nisi bisedimet përfundimtare të mërkurën me pretendimet e tij kundër vendimit të Kolegjit për pezullimin e procesit. Ai e cilësoi vendimarrjen e KPA-së të pabazuar në ligj. Sipas tij, Kolegji nuk është i autorizuar të veprojë bazuar në Kodin e Procedurës Civile dhe shtoi se nuk kishte parashikim në Kodin e Procedurës Administrative për një gjë të tillë.

Ai solli në vëmendje konstatimin e Kolegjit në seancën parardhëse se vendimi për pezullimin ishte i panakimueshëm dhe pretendoi se nuk mund të kishte revokim për vendimet e paankimueshme.

Në vijim, Kuqo vërejti se nuk rezultonte që KPA t’i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë që të përshpejtonte me gjykimin e rekursit dhe se nuk i ishte komunikuar vendimi i pezullimit. Kuqo shtoi se Gjykata e Lartë kishte pëshpejtuar kryesisht trajtimin e rekursit të Gjenerarit, megjithëse kishte dy vjet që e kishte lënë pezull. Sipas tij, ky përshpejtim i Gjykatës së Lartë dhe shqyrtimi në themel i çështjes, dukej se kishin pasur si qëllim ndikimin në procesin që po zhvillohej në KPA.

Kuqo tha se i krijohej bindja se nuk ishte proceduar në funksion të zgjidhjes së çështjes për të dhënë drejtësi dhe e cilësoi si të paragjykuar vendimarrjen e Gjykatës së Lartë lidhur me rekursin e Gjenerarit.

Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në konkluzionet përfundimtare, Kuqo pretendoi se zgjidhja e çështjes në Gjykatën e Lartë ishte në funksion të rekursit të të dënuarit Gjenerari. Sipas tij, rekursi i Gjenerarit nuk ka lidhje me argumentet e vendimarrjes së tij për lirimin me kusht dhe se për këtë arsye, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk mund të përdoret për zgjidhjen e çështjes disiplinore ndaj tij. “Ka mbetur e paargumentuar se cilat janë shkeljet,” pohoi Kuqo.

Ai u ndal edhe në vendimin e Apelit duke e cilësuar në funksion të cënimit të figurës së tij dhe jo për zgjidhjen e çështjes. Sipas Kuqos, Apeli nuk kishte ndërmarrë veprime për zgjidhjen e çështjes lidhur me lirimin e Gjenerarit dhe se ky mosveprim nuk i ishte nënshtruar gjykimit në Gjykatën e Lartë.

Kuqo këmbënguli se vendimarrja e tij mbetej e pakontestuar me argumente nga Apeli dhe nga Gjykata e Lartë. “Gjykata e Apelit nuk jep argumente se përse duhej që i dënuari të trajtohej si i dënuar me burgim të përjetshëm, kur nuk paraqitej i tillë”, pohoi Kuqo dhe i cilësoi vendimet e dy shkallëve më të larta si të pakuptueshme në lidhje me zgjidhjen e çështjes.

Në vijim ai vërejti se neni 64 i Kodit Penal nuk ka lidhje me nenin 65 që ndalon lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm.

Po ashtu, Kuqo pretendoi se nuk i ishte ofruar një proces i regullt ligjor gjatë hetimit disiplinor në ILD dhe KLGJ. Gjyqtari Kuqo kërkoi që të pranohet ankimi i tij dhe të zhfuqizohet si e pabazuar vendimarrja e KLGJ-së për shkarkimin.

Përfaqësuesit e KLGJ-së dhe ILD-së renditën ecurinë e procesit nga kërkesa për hetim e ministrit të Drejtësisë, deri në vendimarrjen për shkarkimin e Kuqos. Ata parashtruan se, në lirimin me kusht të Gjenerarit, Kuqo kishte vepruar kundër praktikës së unifikuar të Gjykatës së Lartë, si dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ashtu si KLGJ ka arsyetuar për vendimarrjen e Kuqos lidhur me lirimin e Gjenerarit, ashtu kishin argumentuar edhe Gjykata e Apelit Korçë dhe Gjykata e Lartë. Ata e cilësuan vendimin e Kuqos në funksion të kërkesave të Gjenerarit dhe vërejtën se nuk ishte plotësuar kushti i rrethanave të jashtëzakonshme për lirimin e këtij të dënuari.

“Kuqo e përmend vendimin unifikues, por nuk e analizon”, vërejti përfaqësuesi i KLGJ-së.

KLGJ dhe ILD kundërshtuan edhe pretendimet për mungesë të procesit të rregullt ligjor. Ata theksuan se vendimi kishte qenë i arsyetuar dhe se Kuqos i ishin vendosur në dispozcion gjithë rezultatet e hetimit administrativ, si dhe shkaqet e vendimarrjeve për kërkesat e tij. Sipas tyre, Kuqo nuk kishte dorëzuar asnjë kërkesë për përjashtim të relatorit të çështjes së tij, apo të ndonjë anëtari tjetër të KLGJ-së. “Ndryshe nga sa pretendon ankuesi, KLGJ i ka vendosur në dispozicion të gjitha aktet e ILD-së”, pohoi përfaqësuesi i KLGJ-së dhe i cilësoi veprimet e Kuqos në cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Edhe përfaqësuesja e ILD-së ritheksoi se Kuqo synonte të injoronte praktikën e unifikuar dhe se kishte kryer interpretim teorik në vendimarrjen e tij. “Ka bërë arsyetim të pabazuar në ligj lidhur me kushtet e jashtëzakonshme,” pohoi ajo dhe vërejti se Gjykata e Lartë arsyeton se i dënuari nuk plotësonte kushtet për kohën e masës së dënimit, kushtin për të mos qenë përsëritës në kryerjen e veprës penale, si dhe të rrethanave të jashtëzakonshme.

“Fakti se dënimet janë bashkuar nuk përjashtojnë përsëritjen,” arsyetoi përfaqësuesja e ILD-së lidhur me moskonsiderimin e faktit se Gjenerari ishte dënuar më shumë se njëherë.

Ajo e cilësoi jashtë logjikës juridike që, për lirimin me kusht, të zbatohej legjislacioni i kohës kur kishte ndodhur vepra penale për të cilën ishte dënuar. “Pavarësisht pavarësisë së magjistratit, është e rëndësishme që ai të respektojë Kushtetutën duke mos e cënuar besimin e publikut”, pohoi përfaqësuesja e ILD-së.

Ajo kundërshtoi edhe pretendimet se lidhur me shfuqizimin nga Gjykata Kushtetuese legjislacioni për shkeljet e magjistratëve në kohën kur janë kryer veprimet nga subjekti, i cili pretendon se për rrjedhojë, gjithë procedura ndaj tij është e pabazuar në ligj. Sipas saj, kjo situatë nuk mund të passjellë mosmbajtjen e përgjegjësisë nga magjistrati. “Do të krijohej precedent i rrezikshëm”, theksoi përfaqësuesja e ILD-së dhe i cilësoi të pabazuara edhe pretendimet e Kuqos për mungesën e një procesi të rregullt gjatë hetimit disiplinor.

Në përfundim, përfaqësuesit e ILD-së dhe të KLGJ-së konstatuan se Kuqo ka kryer shkelje disiplinore dhe kërkuan rrëzimin e ankimit duke lënë në fuqi shkarkimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *