Prokurorja Elsa Kareçi në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK

Prokurorja Elsa Kareçi e përmbysi balancën negative në KPK

Prokurorja e Tiranës, Elsa Kareçi u konfirmua në detyrë më 18 korrik 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK u bind prej shpjegimeve të saj se bashkëjetesa me ish-bashkëshortin kishte filluar dy vjet më vonë nga vlerësimi i trupës gjykuese, që solli për rrjedhojë përmbysjen e analizës financiare dhe konfirmimin e saj në detyrë. Komisioni nuk gjeti probleme për Kareçin në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Rivlerësimi kalimtar për prokuroren Kareçi u krye nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.

Elsa Kareçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Kavajës. Ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës prej vitit 2007.

Subjekti ka deklaruar se e ka filluar bashkëjetesën me ish-bashkëjetuesin në vitin 2012, por në përmbyllje të hetimit paraprak, Komisioni ka konsideruar se bashkëjetesa ka nisur në vitin 2009, pasi janë evidentuar kontakte e udhëtime të subjektit në atë periudhë.

Bazuar në provat e administruara gjatë hetimit administrativ, Komisioni ka analizuar fillimisht pasuritë e ish-bashkëshortit të subjektit, të krijuara deri në fund të 2008-ës, që kanë rezultuar në vlerën totale rreth 335 milionë lekë. Komisioni vëren se ka qenë e pamundur që prej Kareçit të vërtetohen burimet e ligjshme të ish-bashkëjetuesit për krijimin e pasurive që ai zotëron, konkretisht për të ardhurat nga emigracioni në Austri dhe Gjermani; bono privatizimi; shitja e anijeve në vitin 1996; shitja e një fabrike në 2006-ën; të ardhura nga investime të kryera në kohë të ndryshme, përfshirë investimin në natyrë; si dhe të ardhura nga angazhime dhe veprimtari private.

Subjekti i ka kërkuar KPK-së që në vlerësimin përfundimtar të mbajë në konsideratë rrethanat se po analizohet për deklarime e pasuri të ish-bashkëshortit të përfituara me trashëgimi, për të cilat nuk është përfituese ligjore; si dhe për ato të përfituara në kohën e fejesës, në të cilat nuk ka ndikuar dhe as është përfituese.

Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë përfitim financiar nga pasuritë e ish-bashkëshortit, përkundrazi ka pretenduar se nuk përfiton as detyrimin ushqimor për fëmijët, që është në vlerë fare minimale.

Subjekti i referohet marrëdhënies së ndërlikuar dhe të paqëndrueshme me ish-bashkëshortin dhe ka shpjeguar se po vijojnë procedurat për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit të gjykatës përsa i takon detyrimit ushqimor të tij për vajzat e tyre të mitura, pikërisht për shkak të mospërmbushjes nga ana e tij të këtij detyrimi.

Po ashtu, ajo ka kërkuar që KPK t’i referohet edhe jurispudencës së Kolegjit lidhur me problemet që lidhen me pasuritë e ish-bashkëshortit, të krijuara para martese.

Për pasuritë e ish-bashkëshortit të krijuara përpara bashkëjetesës, në vlerësimin përfundimtar, Komisioni i është referuar Kodit të Familjes dhe jurisprudencës së Kolegjit. Në vendim evidentohen përcaktimet ligjore sipas të cilave pasuritë e krijuara para bashkëjetesës vlerësohen si vetjake. Po ashtu, citohet konkluzioni i Kolegjit, sipas të cilit problemet që lidhen me pasuritë e personit të lidhur të krijuara para martesës me subjektin e rivlerësimit, nuk konsiderohen se mjaftojnë si shkaqe objektive e proporcionale për të sjellë penalizim.

Në vijim, Komisioni konstaton se nuk u vërtetua në asnjë rast blerja e pasurive apo investimeve të çdo lloji, të kryera nga subjekti dhe ish-bashkëshorti i saj gjatë periudhës së bashkëjetesës. Po ashtu, nuk është vërtetuar asnjë lidhje e Kareçit me pasuri të përfituara nga ish-bashkëshorti përpara bashkëjetesës, një pjesë e konsiderueshme të të cilave ai e ka fituar me trashëgimi ligjore.

Ndërkohë, Komisioni ka analizuar edhe pasuritë e subjektit të rivlerësimit duke i ndarë në dy periudha. Ato kur jetonte me familjen prindërore nga viti 2003 kur ka filluar detyrën dhe deri në 2008-ën, si dhe për periudhën 2009-2016 kur është konsideruar fillimisht se ka vijuar bashkëjetesa.

Nga analiza e periudhës së dytë ka rezultuar balancë negative në shumën 12.4 milionë lekë, konstatim që është kundërshtuar si i pabazuar prej prokurores Kareçi. Sipas saj, kjo pamjaftueshmëri ka ardhur për shkak të konsiderimit nga ana e Komisionit të fillimit të bashkëjetesës që në vitin 2009 dhe jo në 2012-ën, ashtu sikurse ajo deklaruar gjatë gjithë kohës.

Kareçi ka ritheksuar faktin se bashkëjetesa e saj me ish-bashkëshortin ka nisur në nëntor të vitit 2011, kur është shpërngulur fizikisht nga shtëpia prindërore dhe është konsoliduar në janar të vitit 2012 kur ka bërë edhe ndryshimin e adresës në gjendjen civile.

Sipas saj, fakti i udhëtimit me ish-bashkëshortin në Maqedoninë e Veriut në vitin 2008 dhe një transaksion i kryer prej saj në llogarinë e tij në shumën 300 euro po atë vit, tregojnë njohjen dhe shoqërinë me këtë person, por jo se ata bashkëjetonin.

Po kështu, sipas subjektit, dhënia e shumës 800 mijë lekë nga ish-bashkëshorti për mbylljen e një kredie nuk tregon se ata kanë qenë në bashkëjetesë. Kareçi ka argumentuar se hua mund t’i marrësh një shoku, të dashurit, një miku apo të fejuarit.

Për deklarimin e adresës së të fejuarit si adresë dytësore në vitet 2009 – 2011, apo edhe për deklarimin përdorimit të një automjeti, subjekti ka pretenduar se i ka kryer këto deklarime për t’u treguar sa më e sinqertë.

Për të vërtetuar pretendimin e saj se bashkëjetesa me ish-bashkëshortin nga nisur në nëntor të vitit 2011 dhe është konsoliduar në janar të 2012-ës, subjekti ka paraqitur disa rrethana dhe prova. Ajo ka shpjeguar se fejesa ka ndodhur në periudhën maj-qershor 2009, kur është bërë prezantimi familjeve.

Subjekti ka deklaruar se prej muajit gusht 2010 shoqëria e administruar prej ish-bashkëshortit kishte fituar ankandin e zhvilluar nga flota detare për shitjen e nëndetëseve dhe për këtë arsye ai ka qëndruar me qira në Vlorë deri në fund të shtatorit 2011, me qëllim zbatimin e kontratës.

Kareçi ka pretenduar se gjatë periudhës së fejesës ajo shkonte dhe vinte nga fshati ku banonte familja prindërore për në Tiranë dhe anasjelltas, ndërsa me ditë të caktuara ose fundjavave qëndronte në Tiranë në banesën e të fejuarit, ndërkohë që ai ishte në Vlorë.

Sipas prokurores, pas konfirmimit të shtatzënisë së fëmijës së parë në gusht 2011, ka kryer shkëputjen nga mjeku i familjes për t’u transferuar në Tiranë, kur dhe ka nisur bashkëjetesën faktike në 13 nëntor 2011. Me konsolidimin e bashkëjetesës në janar të vitit 2012, ajo ka kryer edhe regjistrimin në Gjendjen Civile në Tiranë.

Tjetër argument që ka paraqitur Kareçi, është regjistrimi i saj në qendrat e votimit në fshatin e lindjes për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës dhe ato vendore të vitit 2011.

Për të mbështetur pretendimet e saj, subjekti ka paraqitur si prova një numër të konsiderueshëm dokumentesh shkresore, përfshirë foto të vjetra nga fejesa e saj dhe martesa e vëllait apo dy motrave si dhe përgjigje nga institucionet publike.

Bazuar në të gjitha faktet e parashtruara, subjekti ka pretenduar se konsiderimi i fillimit të bashkëjetesës në vitin 2009 nga ana e Komisionit është i padrejtë dhe ka kërkuar që analiza financiare deri në fund të vitit 2011 duhet të kryhet e ndarë nga ajo e ish-bashkëshortit.

Bazuar në këto prova e shpjegime, Komisioni ka vlerësuar se subjekti ka arritur të heqë dyshimet në lidhje me fillimin e bashkëjetesës në vitin 2009. “Ka vërtetuar bindshëm se pavarësisht elementeve që i krijonin këto dyshime, bashkëjetesa me z. Sh., në kuptim të nenit 163 të Kodit të Familjes, ka filluar de facto në fund të vitit 2011 dhe de jure në janar të vitit 2012, kur është bërë edhe ndryshimi i gjendjes civile prej subjektit. Gjithashtu, subjekti ka vërtetuar se z. Sh. ka qenë i angazhuar dhe ka banuar jashtë Tiranës deri në fund të vitit 2011, që tregon pamundësinë objektive të bashkëjetesës fizike të tyre”, vlerëson KPK dhe shton se subjekti ka qenë konsistente në deklarimet e saj lidhur me periudhën e nisjes së bashkëjetesës.

Në përfundim të procesit, Komisioni ka vlerësuar të konsiderojë si periudhë të fillimit të bashkëjetesës muajin janar të vitit 2012, ç’ka ka afektuar analizën financiare. Për shkak të mospërfshirjes se pasurive dhe likuiditeteve të ish-bashkëshortit të krijuara gjatë viteve 2010 – 2011, balanca negative për periudhën deri në vitin 2016 është përmbysur, nga 12.4 milionë lekë, në 1.3 milion lekë.

Komisioni vëren se kjo shumë përfaqëson një gjendje cash prej 10 mijë euro të pasqyruar nga ish-bashkëshorti i subjektit në deklaratën “veting”, të përfituar prej tij nga shitja e një sipërfaqe toke që e kishte përfituar përpara bashkëjetesës.

Fakti se subjekti nuk e ka shënuar këtë vlerë në deklaratën “veting”, ndërkohë që ka rezultuar e saktë në deklarimet e veta si ndër vite ashtu dhe në atë të rivlerësimit kalimtar, është konsiderur nga Komisioni si një rrethanë që mbështet situatën e pretenduar prej Kareçit, për mosrakordim të plotë me bashkëshortin për shkak të marrdhënieve të tyre jo normale.

“Këto fakte krijojnë bindjen se likuiditeti prej 10.000 euro i përkiste tërësisht z. Sh. dhe nuk është krijuar me të ardhura të paligjshme të subjektit për shkak të ushtrimit të detyrës, dhe jo vetëm,” konkludon KPK, e cila vendosi konfirmimit e Kareçit në detyrë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *