Markelian Kuqo pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA

KPA rifillon procesin për Markelian Kuqon

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA revokoi të martën më 27 nëntor 2022 vendimin e ndërmjetëm për pezullimin e gjykimit të ankimit të gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj për shkarkimin e tij nga detyra, pasi liroi me kusht një të dënuar me burgim të përjetshëm. Më 11 mars, Kolegji vendosi me shumicë votash pezullimin e gjykimit të këtij procesi, me argumentimin se mungonte një praktikë e unifikuar nga Gjykata e Lartë lidhur me rastet e lirimit me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Kryesuesja e trupës gjykuese të KPA, Albana Shtylla njoftoi në fillim të seancës se Gjykata e Lartë kishte marrë vendim lidhur me rekursin e të liruarit prej Kuqos dhe se nga një kopje u ishte vendosur në dispozicion palëve, të cilëve u kërkoi të paraqesin qëndrimin e tyre.

Gjatë seancës publike të zhvilluar të martën në KPA pati shkëputje të energjisë elektrike që solli ndërprerjen e procesit për disa minuta. Shtylla njoftoi se në rast të ndonjë shkëputje tjetër të furnizimit me energji, regjistrimi audio i seancës do të kryhej duke përdorur diktofon.

Gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua më 10 dhjetor 2020 nga KLGJ me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, për shkelje të rënda dhe cënim të besimit te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

Vendimi i gjyqtarit Kuqo u rrëzua në Apel, pas ankimit të Prokurorisë së Korçës, por Gjenerari nuk është kthyer më në qeli dhe nuk është gjetur dot nga policia.

Kuqo ishte i pari që paraqiti qëndrimin e tij lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë për Gerd Gjenerarin, që nga sa u kuptua prej diskutimeve të palëve në seancë, ishte lënë në fuqi vendimi i Apelit që rrëzonte vendimarrjen e shkallës së parë.

Ai pretendoi se vendimi i Kolegjit për pezullimin e procesit deri në shqyrtimin e rekursit për Gjenerarin në Gjykatën e Lartë nuk ishte i bazuar në procedurë, pasi ishte marrë kryesisht, pa i’u nënshtruar debatit në seancë për të marrë qëndrimet e palëve të interesuara.

Në vijim, Kuqo vërejti se vendimi pezullimit ishte mbështetur në dispozitë të Kodit të Procedurës Civile, ndërkohë që gjykimi është i natyrës administrative. Sipas tij, ishte e paqartë përse ishte vepruar kështu nga KPA, pasi nuk gjente asnjë nevojë ligjore që e kërkonte pezullimin për zgjidhjen e gjykimit.

Kuqo këmbënguli se procesi është i natyrës administrative dhe se po e trajtonte këtë aspekt procedural pasi e vlerësonte me ndikim të drejtëpërdrejtë në realizimin e të drejtës së tij për të siguruar një mbrojtje korrekte dhe objektive. Sipas tij, kjo situatë i pamundëson një mbrojtje efektive për shkak se detyrimet procedurale që ndiqen në një proces administrativ, ndryshojnë nga ai civil. “Nuk mund të ketë drejtësi materiale pa respektim të drejtësisë procedurale”, deklaroi Kuqo.

Duke ju referuar faktit se Kolegji është në nivel Gjykate Kushtetuese, Kuqo argumentoi se pezullimi i gjykimeve ndodh kur lind nevoja për të marrë qëndrim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ ose nga Komisioni i Venecias.

Kuqo vërejti se nuk ishte palë në gjykimin e rekursit të Gjenerarit në Gjykatën e Lartë dhe për rrjedhojë nuk mund të pezullohej gjykimi në Kolegj. Sipas tij, pezullimi i procesit administrativ për ankimin e tij mund të pezullohej vetëm nëse do të ishte palë në një proces tjetër gjyqësor, vendimarrja e të cilit do të ndikonte në zgjidhjen e procesit në KPA.

“Ky Kolegj duhet t’u përgjigjet shkaqeve të ankimit, duke mos patur asnjë shkak ligjor dhe kompetencë vlerësuese të pezullojë shqyrtimin e ankesës për rrethana që nuk kanë lidhje varësie me karakterin e gjykimit dhe zgjidhjen e itj, si ky që paraqitet”, deklaroi Kuqo.

Ai konstatoi se KPA e pezulloi procesin deri sa Gjykata e Lartë të shprehej për një çështje për të cilën ILD kishte kryer hetimin disiplinor dhe KLGJ kishte vendosur masën ndaj tij, megjithëse në atë kohë nuk kishte vendimarrje përfundimtare të të tre shkallëve.

Kuqo kërkoi që Kolegji t’u përgjigjej për vlerësim dhe zgjidhje vetëm shkaqeve të ankimit, me argumentin se nuk kishte asnjë mundësi procedurale për të dalë prej këtyre shkaqeve.  Ai i kërkoi trupës se KPA që t’i vendoseshin në dispoizicion argumentet ku është mbështetur për pezullimin e procesit.

Në vijim solli në vëmendje se në ankim ka pretenduar se nuk mund të vazhdonte procedura administrative nga ana e ILD-së dhe KLGJ-së, pa pasur një vendim nga Gjykata e Lartë. Vendimin e Kolegjit për pezullimin e gjykimit deri në momentin e shprehjes së Gjykatës së Lartë për rekursin e ushtruar nga i dënuari i liruar prej Kuqos, ky i fundit e cilësoi si pranim të këtij objekti të ankimit të tij.

Megjithatë, Kuqo theksoi se nëse përfundimi i gjykimit të themelit të çështjes për lirimin e Gjenerarit do të konsiderohet si aspekt vlerësues dhe çmues i shkaqeve të ankimit, atëherë sipas tij, kjo do të ishte më shumë se diskriminuese dhe më tepër se cënimi i procesit të rregullt ligjor. Ai u shpreh se kërkonte në ankim përfundimin e një paligjshmërie dhe jo të thellohej me procedura të iniciuara kryesisht nga Kolegji.

Kuqo trajtoi në parashtrimet e tij edhe përmbajtjen e vendimit të Gjykatës së Lartë, duke pretenduar se nuk gjendet asgjë lidhur me arsyetimin dhe zgjidhjen e çështjes nga ana e tij, në cilësinë e gjyqtarit të shkallës së parë.

Në mënyrë të përmbledhur, Kuqo paraqiti mënyrën e zgjidhjes së çështjes për lirimin e Gjenerarit. Ai argumentoi se ndryshimet ligjore që përcaktonin se, për lirimin me kusht duheshin plotësuar 35 vjet dënim dhe jo 25 vjet ashtu si ishte më parë, sillnin një dënim të ri. Ai vërejti se një dënim i tillë i ri ishte ndaluar nga ana e GJEDNJ-së.

Sipas Kuqos, në rekursin e Gjenerarit nuk ka asnjë pretendim që të lidhet me argumentet e vendimarrjes së tij për lirimin me kusht. Po ashto, sipas tij, Gjykata e Lartë nuk ka paraqitur asnjë vërejtje specifike për mënyrën e zgjidhjes së çështjes në shkallën e parë.

Kuqo pretendoi se zgjidhja e çështjes nga Gjykata e Lartë, nuk e bënte të ligjshme dhe të vlefshme procedurën e hetimit administrativ dhe caktimin e masës disiplinore ndaj tij. Ai i kërkoi Kolegjit që, përpara se të caktohej mënyra se si do të vijonte procesi gjyqësor, të shprehej lidhur me pretendimet që ngriti. Po ashtu, këmbënguli që procesi të fokusohet vetëm në shkaqet e ankimit.

Përfaqësuesit e ILD-së dhe KLGJ-së kërkuan administrimin si provë të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e procesit.

Kryesuesja e seancës, Albana Shtylla shpjegoi se vendimi për pezullimin e procesit ishte marrë kryesisht nga gjykata në dhomë këshillimi, pasi ishte vlerësuar se nuk kishte pasur nevojë për debat gjyqësor. Ajo vërejti se arsyet ishin bërë të njohura dhe theksoi se vendimi i pezullimit është i paankimueshëm.

Pasi Kolegji vendosi të administrojë si provë vendimin e Gjykatës së Lartë, Kuqo kërkoi që përmbajtja e tij të shqyrtohet në kuadët të procedimit disiplinor. Po ashtu, ai kërkoi që ILD dhe KLGJ të relatojnë shkeljet e tij nën dritën e vendimarrjes së Gjykatës së Lartë. “Kjo vendimarrje nuk i shërben procesit dhe nuk zgjidh shkaqet e ankimit. Rrëzon të gjithë shkeljet disiplinore të pretenduara”, pohoi Kuqo dhe shtoi se ato çfarë janë konsideruar nga gjykata si dispozita materiale, ILD dhe KLGJ i kanë çmuar si procedurale.

Një prej përfaqësueseve të ILD-së u shpreh se në këtë proces ajo vetëm mund t’i referohej vendimit të Gjykatës së Lartë. Sipas saj në vendim thuhej se në shkallën e parë ka shkelje ligjore.

Palët kërkuan kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare dhe KLGJ e shtyu seancën për më datë 5 tetor, në orën 10:00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *