Prokurorja Anita Jella (djathtas) dhe avokatja e sja Romina Zano | Foto: BIRN
Analiza KPA Veting

KPA u nda në vlerësimin e prokurores Anita Jella

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u nda në vlerësimin e ankimit të Komisionerit Publik Darjel Sina, kundër vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella.

Prokurorja Jella u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit 2019, por vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i kërkuan Komisionerit Publik që të apelojë çështjen me arsyetimin se ajo duhej të shkarkohej për mangësi në deklarimin e pasurisë dhe probleme të profesionalizmit.

Shumica e trupës së Kolegjit e përbërë nga kryesuesja Ina Rama dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo i kanë vlerësuar të pabazuara shkaqet e ngritua nga Komisioneri duke e gjetur të drejtë konfirmimin e Jellës, ndërsa relatorja Mulaj konstaton deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe probleme për profesionalizmin, duke çmuar se subjekti i rivlerësimit duhej shkarkuar.

Debatet për pasurinë

Në kriterin e pasurisë debatohet më së shumti lidhur me një apartament me sipërfaqe 113 m2 në Durrës, që zotërojnë subjekti dhe bashkëshorti i saj. Komisioneri Publik ka pretenduar se Jella kishte pasur detyrimin për të deklaruar këtë apartament për vitet 2011-2016, kur ka qenë në zotërim të vëllait të bashkëshortit. Sipas tij, posedimi bën pjesë në të drejtat reale dhe deklarimi i pasurive të paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to ka qenë detyrim ligjor për t’u zbatuar nga subjekti i rivlerësimit.

Duke ju referuar akteve të dosjes gjyqësore, Kolegji vëren se ky apartament fillimisht është porositur nga kunati i subjektit në vitin 2010 për vlerën 71 mijë e 190 euro. Me të njëjtën shoqëri ndërtimore ka lidhur kontratë porosie edhe bashkëshorti i subjektit në vitin 2011 për një apartament me sipërfaqe 97 m2, i ndodhur në të njëjtin objekt, kundrejt çmimit 67 mijë e 900 euro. Kjo pasuri rezulton të jetë deklaruar në vitin 2011 nga bashkëshorti i subjektit.

Nëpërmjet një deklarate noteriale të vitit 2016 mes shoqërisë ndërtuese, bashkëshortit të subjektit dhe vëllait të tij, është kryer këmbimi apartamentit të porositur në 2011-ën me atë të pasqyruar nga prokurorja Jella në deklaratën “veting”, të porositur në 2010-ën nga kunati.

Lidhur me pretendimin e Komisionerit Publik mbi mosdeklarimin nga subjekti i rivlerësimit të përdorimit të apartamentit me sipërfaqe 113 m2 për vitet 2011 – 2016, shumica vlerëson se deklaratat e interesave privatë dhe pasurorë, të paraqitura më parë në ILDKPKI, mund të përdoren si provë në procesin e rivlerësimit për të vërtetuar ato çfarë janë pasqyruar në deklaratën “veting”.

“Pavarësisht se subjekti nuk ka deklaruar të drejtën e përdorimit si të tillë në deklaratat periodike vjetore, ai ka deklaruar adresën e banimit e cila përkon me apartamentin në të cilin subjekti ka banuar dhe ka fituar më pas pronësinë”, konstaton shumica dhe vlerëson se nuk rezulton ndonjë sjellje e Jellës që tregon se ajo ka synuar fshehjen e ndonjë marrdhënie pasurore.

Shumica ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Komisionerit, se Jella ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, për shkak të mospërputhjeve në deklaratat periodike, në atë “veting” dhe në shpjegimet gjatë hetimit administrativ, lidhur me kursimet e deklaruara si burim për pagesën e këstit të parë të apartamentit. Sipas shumicës, për pagesën e këstit të parë në shumën 15 mijë euro, mund të rezultojë një diferencë negative në shumën 220 mijë lekë, që është konsideruar jo domethënëse.

Relatorja Mulaj në pakicë vëren se që prej vitit 2003 legjislacioni parashikon qartë se duhen deklaruar pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to. Ajo konstaton se nuk rezulton të jetë provuar revokimi i kontratës së sipërmarrjes për asnjë prej apartamenteve të porositura.

Mulaj shton se për apartamentin me sipërfaqe 113 m2 që subjekti e ka deklaruar në pronësi në deklartaën “veting”, kunati vijon të paguajë këstet e kredisë, ndërsa bashkëshorti dhe ajo vetë paguajnë këstet e kredisë së marrë për apartamentin me sipërfaqe 97 m2, pasuri për të cilën pretendojnë se kanë hequr dorë.

Sipas pakicës, Jella nuk e ka pasqyruar në deklaratat periodike përdorimin e këtij apartamenti, ndërkohë që ka kryer edhe investim për ta përshtatur për banim, në vlerën 450 mijë lekë me burim nga kursimet dhe pagat.

Po ashtu, Mulaj vëren se subjekti nuk ka deklaruar saktë adresën për periudhën 2012-2015, pasi ka shënuar vetëm lagjen dhe objektin ku jetonte në Durrës, por pa specifikuar katin dhe numrin e banesës. “Mosdeklarimi i elementeve të mësipërme, ngre dyshimin se ka tendencë për të krijuar paqartësi për identifikimin e apartamentit të cilin e ka poseduar realisht”, shprehet Mulaj.

Pakica i jep të drejtë Komisionerit edhe lidhur me mospërputhjet në deklarimin e kursimeve në deklaratat periodike vjetore, i cili konstaton se shuma aritmetike e kursimeve në cash deri në fund të vitit 2010 rezulton 1 milion e 830 mijë lekë, e cila nuk përputhet me shumën e pretenduar nga subjekti gjatë hetimit administrativ në Komision prej 2.2 milionë lekë dhe as me atë të pasqyruar në deklaratën “veting”, prej 2.5 milionë lekësh.

Sipas pakicës, nga analiza financiare e kryer duke verifikuar deklaratat e interesave privatë të subjektit për periudhën 2004-2009, ka rezultuar balancë negative në shumën 637 mijë lekë për likujdimin e këstit të parë në shumën 15 mijë euro. Ndërsa nga analiza financiare e kryer duke konsideruar kursime ndër vite në vlerën 2.5 milionë lekë, ashtu si është pasqyruar prej subjektit në deklaratën “veting” ka rezultuar pamundësi në shumën 723 mijë lekë.

Mulaj konkludon se Jella ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe shton se subjekti ka përfituar nga shkëmbimi i apartamenteve një sipërfaqe më të madhe nga sa kishte porositur, ndërkohë që nuk është pasqyruar reflektim lidhur me diferencën në çmim.

Bazuar në këto rrethana, pakica çmon se kunati i Jellës duhej të ishte klasifikuar si person tjetër i lidhur. Sipas saj, nga verifikimet ka rezultuar pamundësi financiare edhe e kunatit të subjektit për likujdimin e shumës 65 mijë euro në vitin 2010 për apartamentin 113 m2.

Në përfundim, relatorja Mulaj vlerëson se pamjaftueshmëria financiare për pagesën e këstit të parë në vlerën 15 mijë euro nga Jella dhe e kunatit për pagesën e kësteve të apartamentit me sipërfaqe 113 m2, krijojnë bindjen se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë.   

Po ashtu, ajo shton se i krijohet bindja se “ekzistojnë indicie, për tentativë të subjektit për fshehje të pasurisë apartament, me sipërfaqe 97 m2”.

Profesionalizmi

Në rivlerësimin profesional, Kolegji ka shqyrtuar një vendim pushimi të prokurores Jella që ka të bëjë me një procedim penal të vitit 2014 në ngarkim të shtetasit I.S. për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Nga ekspertimet e kryera ka rezultuar se në trupin e të ndaluarit ka pasur prani të lëndëve narkotike, ndërsa në aktin e ekspertimit për pluhurin e sekuestruar në banesën e tij ka rezultuar se ishte paracetamol dhe kafeinë. Bazur në këto rezultate Jella ka marrë vendim për pushimin e procedimit penal, për lirimin e shtetasit I.S., si dhe për zhdukjen e provave materiale.

Në parashtrimet e saj në Kolegj, Jella deklaroi se Komisioneri Publik nuk i referohet asnjë dispozite penale apo procedurale penale të shkelur gjatë hetimit të këtij procedimi penal. Ajo pretendoi se vendimi është i arsyetuar dhe i bazuar në prova e në ligj.

Edhe shumica e Kolegjit shprehet se nuk ka gjetur mangësi profesionale të Jellës në cilësinë e prokurores së çështjes.

Relatorja Mulaj në pakicë vëren se nga hetimi i drejtuar nga Jella për këtë procedim penal kanë rezultuar fakte që kundërshtojnë njëra – tjetrën, ku nga njëra anë i ndaluari ka rezultuar përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa materiali i gjetur në shtëpi nuk ishte i tillë.

“Kur jemi përpara dy fateve të kundërta, hetimi duhet të shkojë më tej. Prandaj nuk jam dakord se këto veprime hetimore të ndërmarra nga prokurorja e çështjes të kenë qenë të plota”, vlerëson Mulaj.

Shumica e trupit gjykues ka rrëzuar edhe një pretendim të Komisionerit se në trajtimin e një procedimi penal të vitit 2019 nuk evidentohet ndonjë komunikim i drejtuesit të prokurorisë me prokurorin e çështjes, apo të ketë udhëzuar mbi ecurinë e rastit.

Sipas shumicës, ndryshimet ligjore të vitit 2016 nuk duhen kuptuar si detyrim i drejtuesit të prokurorisë për të nxjerrë udhëzime jo të detyrueshme për të gjitha procedimet penale të regjistruara, duke e konsideruar të pamundur në aspektin kohor dhe në atë të ushtrimit me efektivitet të kompetencave të tij ligjore.

Mulaj në pakicë arsyeton ndryshe lidhur me këto ndryshime ligjore që i kanë dhënë autonomi prokurorit të çështjes në vendimarrje. “Çmoj se është i drejtë pretendimi i Komisionerit Publik në ankim, se ndryshimet ligjore, përfshirë dhe ligjin nr. 97/2016, nuk duhen interpretuar në drejtim të mospërgjegjësisë, rolit mbështetës dhe mbikëqyrës të drejtuesit të Prokurorisë, duke e kthyer drejtuesin e prokurorisë thjesht si nënshkrues shkresash përcjellëse,[…], arsyeton Mulaj.

Shumica ka vlerësuar pa probleme dhe një denoncim anonim ku pretendohet se një oficer i policisë gjyqësore është komanduar në Prokurorinë e Durrësit prej korrikut 2019 dhe deri në muajin dhjetor të atij viti nuk ka kryer asnjë punë.

Nisur nga fakti se oficerit të policisë gjyqësore veprimet hetimore i janë ngarkuar nga prokurorja e çështjeve, prej shumicës nuk janë konstatuar elementë të cilët mund të ngarkonin me përgjegjësi subjektin e rivlerësimit në drejtim të organizimit e shpërndarjes së ngarkesës së punës së tij.

Mulaj në pakicë vëren se oficeri i policisë gjyqësore ka qenë i ngarkuar për trajtimin e 22 çështjeve për periudhën korrik-dhjetor 2019 dhe se ka mbartur për vitin pasardhës 21 çështje penale. “[…]Përfundimi nga OPGj-ja i vetëm një çështjeje penale, në vlerësimin tim nxjerr në pah pamjaftueshmërinë e veprimtarisë hetimore të kryer nga ky oficer i policisë gjyqësore për këtë periudhë”, konstaton Mulaj dhe bazuar në gjithë konkluzionet e saj për pasurinë dhe profesionalizmin, ka votuar për shkarkimin e Jellës nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *