Gjyqtari i Gjykatës Administrative Emiljano Ruli, pas seancës në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
KPK Veting

KPK dëgjon për herë të dytë gjyqtarin Emiljano Ruli

Gjyqtari i Gjykatës Administrative Emiljano Ruli u dëgjua të mërkurën për herë të dytë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas një vendimi të marr në muajin maj për riçelje të hetimeve.

Trupa e kryesuar nga Olsi Komici me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, vuri në dukje se hetimet ishin hapur edhe për dy kriteret e tjera, pasi më herët Ruli ishte hetuar vetëm për pasurinë.

Në seancën e dytë dëgjimore Rulit iu bë me dije se KPK kishte pranuar argumentet e tij dhe kishte gjetur se një hua në vlerë 4 milion lekë marrë për blerjen e një apartamenti ishte me burime të ligjshme. Komisioni, siç tha relatorja, i qëndronte sërish mendimit se babai i Rulit nuk kishte pasur të ardhura për huan tjetër në shumën 3 milion lekë.

Gjyqtari e kundërshtoi pretendimin e Komisionit, e këmbënguli njësoj si në seancën e kaluar se babai kishte pasur të ardhura. Solli si argument një regjistrim në bashkinë Libohovë për taksa vendore në vitin 2001. Ai po ashtu paraqiti një sërë argumentesh pse të ardhurat e babait dhe për pasojë huaja duhej të konsiderohej e ligjshme.

Më tej Komisioni, pasi parashtroi se nuk ishin gjetur probleme në kriterin e figurës, vuri në dukje se Rulit i ishin këkruar shpjegime për disa çështje. Sipas relatores në të paktën dy raste vendimet e gjyqtarit ishin prishur në Apel për shkak se avokatët nuk kishin pasur prokurë të plotë.

Roli e kundërshtoi këtë pretendim. Ai tha se në një rast Apeli Administrativ e kishte marrë në shqyrtim çështjen nga i njëjti avokat me të njëjtën prokurë dhe më pas kishte vendosur prishjen e vendimit për shkak të mungesës së prokurës. Ruli këmbënguli që nuk ishte në gabim edhe në rastet e tjera.

Duke iu referuar ankimeve për vonesa në zbardhje të vendimit, Ruli i tha Komisionit se ata vetë kishin konstatuar se ai përballonte një ngarkesë 4 herë më të madhe se normalja. Po ashtu Ruli kundërshtoi edhe pretendimet e tjera në kriterin e figurës, mbi hetimin gjyqësor të zhvilluar prej tij dhe të ngjashme.

Më herët në seancën dëgjimore të 11 majit, Rulit iu vu në dukje se ishte hetuar vetëm në kriterin e pasurisë. Sipas Komisionit dy huatë nuk ishin përfshirë si burim i ligjshëm në analizën financiare dhe për rrjedhojë ai rezultonte me balancë negative në shumën 8.2 milionë lekë për pagesën e këstit të parë për një apartament. Bazuar në relatimin e të mërkurës 4 milion nga kjo balancë negative, pranohet si të ligjshme nga Komisioni.

Në fund të fjalës së tij Ruli e falënderoi KPK për hetimin e plotë. Ai tha se kërkonte të konfirmohej në detyrë.

Emiljano Ruli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2013, Ruli e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar në seancë ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *