KPA gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Gjon Kodra. Foto:Vladimir Karaj.
KPA Veting

KPA shkarkon prokurorin Gjon Kodra

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të mërkurën prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e prokurorit të Tiranës Gjon Kodra për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Trupa gjykuese që mori vendimin përbëhet nga gjyqtarja Albana Shtylla si kryesuese, si dhe gjyqtarët Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi dhe Rezarta Szhuetz.

Shtylla në leximin e vendimit tha se Kodrës i ishin gjetur pamjaftueshmëri në kriterin e pasurisë. Ajo tha se një shumë 35 mijë euro deklaruar si kursime të bashkëshortes që kishin shërbyer në blerjen e një apartamenti 129 metra katrorë, nuk ishin deklaruar që në deklaratën e parë apo ato vijueset dhe se nuk mund të konsideroheshin burim i ligjshëm.

Gjyqtarja shtoi se KPA e kishte cilësuar telefonatën e Kodrës me vëllain e një deputeti me inicialet P.A, i përfshirë në trafik narkotikësh, si një kontakt i papërshtatshëm. Po ashtu ishte cilësuar si konflikt interesi hetimi prej Kodrës i një kallëzimi. Shtylla tha se Kodra nuk kishte marrë masa për ta shmangur këtë konflikt. Shtylla tha se duke e parë në tërësi çështjen Kodra kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.  Bazuar në këto gjetje Kolegji njoftoi shkarkimin e prokurorit Kodra nga detyra.

Prokurori Kodra u konfirmua fillimisht në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Olsi Komici relator dhe Xhensila Pine anëtare. Por vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa pasi ONM ngriti shqetësime mbi pasurinë e subjektit, profesionalzimin dhe integritetin e figurës.

Kodra e ka filluar karrierën në vitin 1989 si hetues në Tropojë dhe në vitin 1995 është emëruar prokuror ushtarak. Prej më shumë se 20 vjetësh subjekti i rivlerësimit shërben si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *