Seacë dëgjimore në KPA - foto arkive | BIRN/Nensi Bogdani
KPA Veting

Gjyqtari Ardit Mustafaj kërkon rikthimin në detyrë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të mërkurën seacën dëgjimore publike, pjesë të ankimit të gjyqtarit Ardit Mustafaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij nga detyra, bazuar në kriterin e pasurisë.

Në parashtrimet e tij, subjekti i rivlerësimit theksoi se KPK kishte bërë vlerësim të gabuar dhe jo objektiv për një seri aspektesh në lidhje me pasurinë e tij të deklaruar, pëfshirë koston e ndërtimit të një ndërtese në qytetin e Sarandës, burimet e ligjshme të dy personave të lidhur që i kishin dhënë hua, të ardhurat e bashkëshortes nga kurset e matematikës, si dhe dhuratat që ajo kishte marrë nga prindërit përpara martesës.

Ai e akuzoi Komisionin e Pavarur të Kualifkimit për vlerësim të gabuar të pasurive edhe për ndryshimin dhe deformimin e përfundimeve të ekspertëve. Mustafaj është vlerësuar nga KPK për të tri kriteret e rivlerësimit dhe ka pasur një raport pozitiv për integritetin e figurës dhe profesionalizmin.

Ardit Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Prej vitit 2003, ai e ushtroi funksionin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dhjetor 2019, Mustafaj u emërua gjyqtar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ankimi i Muastafajt në KPA po shqyrtohet nga trupa gjyqësore e udhëhequr nga Alban Shylla, me gjyqtaren Ina Rama si relatore dhe anëtarë gjyqtarët Sokol Çomon, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj.

Në parashtrimet e tij përpara KPA-së, gjyqtari Ardit Mustafaj u fokusua gjatë në vlerësimin e një prone të ndërtuar në qytetin e Sarandës në vitin 2003 dhe të shitur 8 muaj më vonë në vitin 2004. Sipas subjektit të rivlerësimit kjo pronë ka një kosto ndërtimi prej 1.8 milionë lekë dhe është shitur me të njejtën vlerë, për shkak se në vitin 2004 ka qenë akoma karabina.

Mustafaj u ankua se KPK e ka vlerësuar gabimisht këtë pronë me vlerën e Entit Kombëtar të Banesave, duke e konsideruar një ndërtesë të përfunduar. Me tej gjyqtari listoi një listë të gjatë provash shkresore dhe fotografike, nga insitucione shtetërore dhe burime të hapur si ‘Google Earth’, për të treguar se ndërtesa kishte qenë karabina vite pasi ishte shitur nga subjekti, të paktën deri në vitin 2010.

Gjithashtu gjyqtari argumentoi se kunati i tij Altin Maçi kishte pasur mjaftueshëm të ardhura të ligjshme për një kredi 2 milionë lekë, që kishte shërbyer për blerjen e pasurisë në Sarandë. Sipas subjektit Maçi kishte punuar nga viti 1998 deri në vitin 2001 si mekanik në tragetin e linjës Sarandë – Korfuz me një rrogë prej 250 mijë dhramish greke dhe më përpara si agjent doganor në portin e Sarandës. Gjyqtari listoi një seri dokumentesh për punësimin e kunatit dhe shpjegoi se për shkak se kishte kaluar një kohë e gjatë dhe kompania greke që kishte në pronësi tragetin ishte mbyllur, e kishte të pamundur të siguronte dokumente për pagesat e sigurimeve shoqërore të huadhënësit. Edhe për një kredi të dytë me vlerë 1.7 milionë lekë, Mustafaj insistoi se KPK kishte konkluduar gabimisht se personi i lidhur nuk kishte pasur burime të ligjshme. Gjyqtari theksoi se huadhënësi kishte pasur të ardhura nga biznesi në fushën e prodhimit të ëmbëlsirave dhe nga transaksionet me pasuri të paluajtshme të bashkëshortes.

Mustafaj gjithashtu i kërkoi KPK-së njohjen si burim i ligjshëm i të adhurave të bashkëshortes së tij me profesion mësuese gjimnazi nga kurset private të matematikës nga viti 1997 deri në vitin 2003, për të cilat ai tha se nuk ka pasur detyrim pagesën e tatimit nga të ardhurat. Gjithastu i kërkoi njohjen e të ardhurat e saj nga dhuratat e bëra nga prindërit dhe reflektimin e tyre në analizën financiare të subjektit.

Pasi u tërhoq në dhomë këshilimi, Kolegji pranoi një seri provash të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit. Në përfundim të seancës Mustafaj kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së për largimin e tij nga detyra dhe konkludimin nga Kolegji se ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë.

Vendimi për gjyqtarin Ardit Mustafaj do të shpallet nga KPA me 21 shtator në orën 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *